Me të vërtetë Allahu e ka beguar këtë Umet dhe e ka dalluar atë duke i dërguar ata të cilët e rigjallërojnë Fenë, i japin jetë asaj që është shuar nga kjo Fe, i refuzojnë interpretimet e pabaza të injorantëve, deklaratat e gënjeshtarëve, shtrembërimet që kanë sjellë njerëzit e devijuar, dhe e sqarojnë Sunetin nga bidati, duke i ndihmuar kështu Pasuesit e Sunetit dhe duke i shkatërruar Pasuesit e Bidatit bashkë me deklaratat e tyre të pavërteta. Ata janë të kapur fortë pas Sunetit të Pejgamberit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), Sahabëve (radij-Allahu ‘anhum) dhe atyre që i ndoqën ata në mirësi, qoftë në çështjet e besimit, fjalëve apo veprave. Ata janë dijetarët e shquar të udhëzimit; ata i sjellin dritën errësirës; janë ata të cilët janë të drejtë dhe të përqëndruar në ndjekjen e Sunetit (ittiba’), larg nga çdo bidat (ibtida’).
Pra, Umeti është bekuar me këta: ata janë Imamët e ripërtëritjes (muxhedidun) dhe Ulematë e përmirësimit. Për këtë kemi thënien e të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Me të vërtetë Allahu do të dërgojë për këtë Umet në krye të çdo njëqind vjetëve dikë i cili do t’ua ripërtërijë Fenë.” [1]
El-Hafidh Ibn Kethir ka përmendur, siç ka ardhur në Keshful-Khafe (Zbulimi i të Fshehtës, 1/283):
“Çdo grup i njerëzve pretendon se Imami i tyre është ai për të cilin bën fjalë ky hadith. Ajo që duket nga pamja e jashtme, dhe Allahu e di më së miri, është se Ai i shpërndan mbajtësit e dijes nëpër çdo grup: ata që janë Ulematë e kategorive të ndryshme (të dijes), si mufesirinët (komentuesit e Kur'anit), muhadithinët (dijetarët e hadithit), fukahatë (dijetarët e fik’hut), nuhatët (gramaticienët), lagaui’jinët (gjuhëtarët) dhe Ulematë e kategorive të tjera (të dijes).”
El-Hafidh Ibn Haxher ka thënë në el-Fet’h (13/295):
“Nuk është e thënë që në krye të çdo shekulli (njëqind vjetëve) të jetë vetëm një… (megjithëse) kjo është vetëm nga njëra anë. Sepse vërtet, mbledhja e cilësive që nevojiten për ripërtëritjen dhe rilindjen nuk është e kufizuar vetëm tek një formë nga format e ndryshme të mirësisë. Dhe nuk është e thënë që të gjitha cilësitë e mirësisë dhe përsosmërisë të jenë tek një person i vetëm, përveç kur kjo pretendohet për ‘Umer bin ‘Abdul-‘Azijz… Kështu që, në bazë të kësaj: çdokush që është dalluar me diçka nga kjo (mirësi) në krye të çdo shekulli, atëherë ky është qëllimi (i hadithit), pavarsisht nëse ata janë të shumtë në numër ose jo.”
Shejkh ‘Ali el-Hadadi ka thënë në veprën e tij “Libri i 40 Haditheve rreth Medh’hebit të Selefëve”, i kontrolluar nga Shejkh Salih el-Feuzan dhe Shejkh ‘Ali bin Nasir el-Fakihi:
Vlera e Dijes dhe Dijetarëve dhe Refuzimi i atyre që i nënvlerësojnë ata:
Ebu Derda (radij-Allahu ‘anhu) ka thënë: E dëgjova të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) të thotë: “Kushdo që ecën në një rrugë për të kërkuar dije, Allahu ka për t’i lehtësuar atij një Rrugë për në Xhenet. Me të vërtetë Melekët ulin krahët e tyre në shenjë kënaqësie për kërkuesin e dijes. Banorët e qiejve dhe banorët e tokës, madje edhe peshku në ujë kërkojnë falje për Dijetarin. Vlera e Dijetarit para adhuruesit të thjeshtë është si vlera e [ndriçimit të] Hënës para [vezullimit të] yjeve. Vërtet Dijetarët janë trashëgimtarë të Profetëve. Profetët nuk lënë pas trashëgimi as Dinarë e as Dirhem por Dije, dhe kushdo që merr prej saj ka marrë një thesar të mjaftueshëm.” [2]
Imam Ahmedi ka thënë: “E gjithë lavdia i takon Allahut, i Cili në çdo epokë dhe në çdo interval kohor mes Pejgamberëve ka nxjerrë një grup nga njerëzit e dijes të cilët thërrasin të devijuarit për në udhëzim – ata i bëjnë ball me durim çdo keqtrajtimi dhe çdo dëmtimi. Me Librin e Allahut ata i dhanë jetë atij që ishte i vdekur dhe me dritën e Allahut i dhanë shikimin atij që ishte i verbër.
Sa njerëz që qenë vrarë nga Iblisi ata i ringjallën, sa njerëz që kishin devijuar e kishin humbur ata i udhëzuan. Sa i mrekullueshëm ka qenë ndikimi i tyre tek njerëzit dhe sa keq janë sjellë njerëzit me ta.
Ata largojnë nga Libri i Allahut ndryshimet e atyre që i shkelin kufijtë, pretendimet e pabaza të gënjeshtarëve dhe interpretimet e gabuara të injorantëve, të gjithë ata të cilët mbajnë flamurin e bidateve dhe shkaktojnë fitne e sherre – ata kanë mosmarrëveshje rreth Librit [të Allahut], ata e kundërshtojnë Librin [e Allahut] dhe pajtohen në kundërshtimin e Librit. Janë ata të cilët flasin për Allahun dhe Librin e Tij pa dije. Ata debatojnë rreth asaj që është e paqartë në Libër dhe i mashtrojnë injorantët me të tilla paqartësi – Dhe Allahu na ruajt nga fitnet e të devijuarve.” [3]
Nga çfarë u tha më sipër do arrish të kuptosh se Allahu e ruan dijen nëpërmjet Dijetarëve, siç ka thënë i Dërguari (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Vërtet Allahu nuk e merr dijen duke ua hequr atë robërve por e merr atë duke marrë Ulematë (d.m.th. duke sjellë vdekjen e Dijetarëve), derisa të mos mbeten më Dijetarë. Pastaj njerëzit do të marrin injorantët për udhëheqës dhe do t’i pyesin ata [për çështje fetare] dhe ata do të japin fetva pa dije. Kështu që, ata vetë janë të humbur dhe do t’i çojnë në humbje edhe të tjerët.” [4]
Jo të gjithë janë të denjë për të dhënë fetva:
Imamët e Selefëve dhe ata që ndjekin rrugën e tyre janë mjaft të kujdesshëm me dijen dhe fetvatë, e jo si injorantët e ditëve tona të cilët flasin dhe japin fetva rreth çështjeve të reja të aktualitetit, xhihadit, politikës etj.
Imam Xhemalud-Din Ebil-Feraxh ‘Abdur-Rrahman bin Muhamed bin ‘Ali, i njohur ndryshe si Ibnul-Xheuzi (ka vdekur në vitin 597H) ka thënë në librin e tij “Ta’dhijmul-Futja” (versioni i shkurtuar, fq. 72-78): “Me të vërtet Dijetarët e Selefëve, Allahu qoftë i kënaqur me ta, edhe pse ishin të kualifikuar në shkencat (e dijes) për të dhënë fetva, ata e ndaluan dhënien e fetvave nga frika që kishin.”
‘Abdur-Rrahman bin Ebi Lejla ka thënë: “Kam arritur njëqind e njëzetë (120) nga Sahabët e të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) nga Ensarët; nuk kishte njeri prej tyre vetëm se kur pyetej për ndonjë çështje, ai do ta drejtonte atë tek vëllai i tij (nga Ensarët).” [5]
‘Abdur-Rrahman Ibn Ebi Lejla ka thënë: “Kam arritur njëqind e njëzetë Ensarë nga Sahabët e të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) – [kur] pyetej ndonjëri prej tyre për një çështje, ai e drejtonte tek një tjetër kurse ai e drejtonte tek një tjetër dhe vazhdonin kështu derisa çështja kthehej prapë tek i pari.” [6]
‘Umejr bin Sa’d ka thënë: “E pyeta Alkamen për një çështje [7] dhe ai më tha: “Shko tek ‘Abide (Ibn ‘Amr Selemani el-Meradi) dhe pyet atë.” Këshu që shkova tek ‘Abide dhe ai më tha: “Shko tek Alkame.” Unë i thashë: “Alkameja më dërgoi tek ty!” Atëherë më tha: “Shko tek Mesruk dhe pyet atë.” Kështu që shkova tek Mesruk dhe ai më tha: “Shko tek Alkame dhe pyete.” Unë i thashë: “Alkameja më dërgoi tek ‘Abide kurse ‘Abide më dërgoi tek ty.” Ai tha: “Shko atëherë tek ‘Abdur-Rrahman Ibn Ebi Lejla.” Kështu që shkova dhe e pyeta atë dhe atij nuk i erdhi mirë. Pastaj u ktheva tek Alkame dhe e njoftova [për atë çfarë ndodhi] dhe ai tha: “Thuhej më përpara: Njerëzit që japin fetva janë më të vegjlit në dije.” [8]
Sufjan bin ‘Ujejne ka thënë: “Njerëzit më të ditur për të dhënë fetva janë ata që heshtin më shumë para tyre, kurse njerëzit më injorantë për të dhënë fetva janë ata që flasin më shumë.” [9]
Ebus-Salt ka thënë: Shejkhu im ka thënë: “Uallahi, sikur të pyetej Maliku për një çështje, atij do t’i dukej sikur po qëndronte midis Xhenetit dhe Xhehenemit.”
Nuk duhet të jepen fetva apo përgjigje për çështje të cilat ende nuk kanë ndodhur:
Kharixhe bin Zejd ka thënë: “Kur Zejd bin Thabit pyetej për ndonjë çështje, ai thoshte: “A ka ndodhur kjo?” Dhe nëse ata thonin: “Jo.” Ai u thoshte: “Lëreni derisa të ndodhë.” [10]
Thotë Abdullah ibn Mesud : Isha bashkë me Pejgamberin Salallahu alejhi ue selem në një tokë me hurma dhe ai ishte i mbeshtetur në një degë hurme kur papritur kaluan disa hebrenjë (çifutë), i thanë njëri-tjetrit pyeteni për shpirtin. Disa thanë : çfarë nevoje keni që ta pyesni, çfarë ju bën juve të dyshoni tek ai. Të tjerë thanë : Mos ju bën të dëgjoni diçka që urreni. Të tjerët thanë patjetër do ta pyesim dhe e pyetën për shpirtin. Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ndaloi dhe nuk ju përgjigj. E kuptova (Ibn Mesudi) që po i shpallej dhe qëndrova në vëndin tim, kur i zbriti shpallja tha : « Të pyesin për shpirtin thuaj që shpirti është çështje që e di vetëm Zoti im dhe nuk ju është dhënë prej dijes së Tij vetëm se pak." (Isra :85). [11]
Fundnota:
[1] Sahih: Ebu Davudi në Sunenin e tij (n. 4291), Ebu Amr ed-Dani në “el-Fiten” (3/742/364). Shiko es-Sahijhah (1874) të Imam Albanit.
[2] Sunen Ebu Davud (3/317, n. 3641), Sunen Tirmidhi (5/48, n. 2682).
[3] er-Radd ‘alel-Xhehmijeh uel-Zinadikah, (fq. 2).
[4] Transmetuar nga Bukhari (1/50, n. 100) dhe Muslimi (4/2058, n. 13).
[5] Transmetuar nga Ebu Khajtheme Zuhejr bin Harb në “el-Ilm” (n. 21); Ibn Abdil-Berr në “el-Xhami” (n. 2201) dhe (2202); Ebu Nu’ajm në “el-Hiljeh” (4/351) – Sahijh.
[6] Sahih: el-Fesauij në “el-Ma’rifeh uet-Tarijkh” (2/817); el-Khatib në “el-Fakih uel-Mutefakih” n. 640; Bejhakiu në “el-Medkhal” n. 801; Darimi në “es-Sunen” (1/53).
[7] Çështja kishte të bënte me blerjen e një deleje apo dhie me kusht që qumështi dhe leshi t’i jepeshin shitësit. (shiko el-Mugni dhe Mexhmu’ el-Fetaua).
[8] Transmetuar nga el-‘Axhurri në “Akhlakul-Ulema” (118-119); el-Khatib në “el-Fakih uel-Mutefakih” (n. 642); Ebu Ismail el-Heraui në “Dhemul-Kelam” (n. 532).
[9] Transmetuar nga el-Khatib në “el-Fakijh uel-Mutefakih” (n. 1079).
[10] Sahih: el-Khatib në “el-Fakijh uel-Mutefakih” (623); Ibn Abdil-Berr në “el-Xhami” (2058); el-Axhurri në “Akhlakul-Ulema” (fq. 76-77).
[11] Buhari Hadithi 4721 ; Buhari në Fet’hun vëll. 8 fq. 509.
Përktheu: Alban Malaj