Bismilah...

Autor: Shejkh Salih ‘Abdul-‘Azijz Ali-Shejkh
Burimi: Pjesë e shkëputur nga transkipti i kasetës me titull, “Rëndësia që i kushtuan Selefët Kërkimit të Diturisë”,

Nxënësi i dijes duhet të mësojë përmendësh në mënyrë që të ketë kuptim të thellë. Në të shkuarën, disa dijetarë mësonin përmendësh fjalorin (el-Kamus). Nuk është e saktë që Mu’xhemin ta quash Kamus. Kjo për shkak se Mu’xhemi është një libër i zbrazët nga të gjitha ato gjëra me ndikim jo-Arab që kanë depërtuar në gjuhë. Domethënë, ai zëvendëson ato që ke harruar nga gjuha Arabe ose i heq ato fjalë të huaja jo-Arabe që kanë zënë vend në gjuhën tënde. Kurse fjala Kamus do të thotë oqean (d.m.th. ky term ilustron përmasat e librit). Prandaj është gabim që Mu’xhemi të quhet Kamus. Disa mendojnë se Mu’xhem nënkupton Kamus (por siç u shpjegua) kjo është gabim sepse Kamus do të thotë oqean.

Fejruz Abadi e quaji fjalorin e tij el-Kamus el-Muhijt dhe el-Kamus el-Uasijt për faktin se ai dallon dhe shpjegon gjuhën Arabe, ashtu siç është thënë (në mënyrë figurative se gjuha Arabe) është e hallakatur, kështu që Fejruzi (u përpoq) që ta mblidhte atë në fjalorin e tij.

Disa nga dijetarët i mësonin përmendësh ata fjalorë të mëdhenj. Kur disa dijetarë të asaj kohe u pyetën për një njeri të tillë (që kishte mësuar përmendësh krejt fjalorin) dhe i cili ishte i dashuruar pas shkencave moderrne - ndonëse ai ishte vetë dijetar - kur disa nga dijetarët u pyet për këtë rast dhe u thanë se filani kishte mësuar përmendësh fjalorin, ata u përgjigjën duke thënë:

“Masha`Allah, ne paskemi një kopje tjetër të fjalorit këtu në qytet.”

Sot, në kohën e sotme, nuk i kushtohet rëndësi (dhe po nënçmohet) mësimi përmendësh. Mësimi përmendësh është baza e diturisë që la trashëgimi Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem). Allahu i Lartësuar i ka thënë të Dërguarit të Tij:

فَإِذَا قَرَأْنَاهُ فَاتَّبِعْ قُرْآنَهُ (١٨)ثُمَّ إِنَّ عَلَيْنَا بَيَانَهُ (١٩)

Dhe kur ta lexojmë atë, ti përcille leximin e tij! Pastaj, e kemi Ne për detyrë që ta shpjegojmë ty.[el-Kijame, 18-19]

Në fillim vjen mësimi përmendësh:

فَإِذَا قَرَأْنَاهُ فَاتَّبِعْ قُرْآنَهُ (١٨)

Dhe, kur ta lexojmë atë, ti përcille leximin e tij!” [el-Kijame, 18]

Pastaj Allahu thotë në një ajet tjetër:

كَذَلِكَ لِنُثَبِّتَ بِهِ فُؤَادَكَ

...për ta forcuar zemrën tënde...” [el-Furkan, 32]

Pastaj Allahu thotë në një ajet tjetër:

وَقُرْآنًا فَرَقْنَاهُ لِتَقْرَأَهُ عَلَى النَّاسِ عَلَى مُكْثٍ وَنَزَّلْنَاهُ تَنْزِيلا (١٠٦)

Ky është një Kuran, të cilin Ne e kemi ndarë pjesë-pjesë, që ti t’ua mësosh njerëzve pak nga pak, duke e shpallur atë kohë pas kohe.” [el-Isra, 106]

ثُمَّ إِنَّ عَلَيْنَا بَيَانَهُ (١٩)

Pastaj, e kemi Ne për detyrë që ta shpjegojmë ty.” [el-Kijame, 18-19]

Domethënë, shpjegimi, sqarimi dhe kuptimi do të vijnë pas mësimit përmendësh (të tekstit).

Po kështu edhe Suneti (tregon vlerën e madhe të mësimit përmendësh): Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) këshilloi dhe inkurajoi që Suneti i tij të vihet në zbatim me anë të kujtesës. Ai (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë, “Allahu e ndriçoftë fytyrën...” që do të thotë: Allahu e ndriçoftë fytyrën e tyre në këtë dynja dhe në ahiret.

Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë:

Allahu e ndiçoftë fytyrën e atij që dëgjon fjalët e mia, i mëson ato përmendësh ashtu si i dëgjoi dhe pastaj ua transmeton të tjerëve; ndoshta ai që po i transmetohet mund të ketë kuptim më të thellë sesa ai që e dëgjoi atë.

A nuk e ruajtën Sahabët Sunetin duke e mësuar atë përmendësh? Po! A nuk ishin të gjithë Sahabët dijetarë të Fik’hut Islamik? Jo, jo të gjithë ishin, por (ata që nuk ishin dijetarë) e zbatonin Sunetin me anë të kujtesës së tyre dhe e tansmetuan atë (tek Sahabët e tjerë që ishin dijetarë të Fik’hut Islamik). Pra, dolën ata që (mësuan përmendësh), kuptuan, e ruajtën dhe e shpjeguan Sunetin në mënyrë që të mbronin dhe të ruanin Fenë tek ky Umet.

Ebu Hurejra (radij-Allahu ‘anhu) i përsëriste vazhdimisht thëniet e Pejgamberit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) në mënyrë që t’i mbante mend. Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) e dinte se sa të vështirë e kishte ai, kështu që i tha, “Eba Hir, zgjidhe gunën tënde”. Pastaj, ai (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) i tha, “Shtrëngoje tani.” Dhe Ebu Hurejra (radij-Allahu ‘anhu) e shtrëngoi. Më pas ai (radij-Allahu ‘anhu) tha: “Mbas kësaj nuk kam harruar asgjë nga dija që kam dëgjuar.

Ebu Hurejra mësoi përmendësh pjesën më të madhe të Sunetit në krahasim me të gjithë Sahabët e tjerë. Ai shkonte pas Pejgamberit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) duke marrë prej tij gjithçka që mundej. Kjo ishte grada e rëndësisë (që i kushtonin diturisë) dhe pasioni i atyre që i kishin ngritur bazat e tyre nëpërmjet mësimit përmendësh, domethënë ai që përpiqej dhe punonte shumë për të mësuar përmendësh. Kjo për shkak se kuptimi vjen dhe ikën, (për shembull) një pjesë (e dijes që kuptove) kur u diplomove në gjimnaz deri kur u diplomove në kolegj. Sa dije të ka mbetur akoma nga shkencat që mezi sa i kuptove (dhe nuk i mësove dot përmendësh)? Sidoqoftë, sikur t’i kishe mësuar përmendësh (dhe Allahu e di më së miri), ato do të kishin mbetur akoma. (Dhe nëse ke harruar një pjesë prej tyre), sikur të shkoje tani e t’i shihje edhe një herë, ato do të ktheheshin sërish në kujtesën tënde (fare kollaj), dhe sikur ta rishikoje edhe njëherë shpjegimin e tyre, ai do të kthehej sërish në mëndjen tënde, nëse Allahu të jep sukses.

Prandaj, nxënësi i dijes duhet të përpiqet tej mase dhe duhet t’i kushtojë rëndësi të madhe mësimit përmendësh, njësoj si rëndësia që i kushtuan Selefët mësimit përmendësh. Ka shumë transmetime për sa i përket rëndësisë që i kushtuan Selefët mësimit përmendësh. Kushdo që lexon librat e biografive (të Selefëve) do të gjejë shumë informacion rreth kësaj teme. Ne po përmendim një transmetim për këtë çështje në mënyrë që ta bëjmë paksa më të qartë; rëndësia që i kushtuan ata mësimit përmendësh.

Esh-Sha’bi (rahimehullah) ka thënë: “Amir bin Sherahil (rahimehullah) ishte një nga dijetarët më të mëdhenj të tabi’inëve.” Ai përmendi disa nga shkencat që Amiri i zotëronte me mjeshtëri dhe pastaj tha: “Ai (rahimehullah) thoshte: Nëse doni, unë mund t’ju recitoj poezi për një muaj të tërë pa i përsëritur ato.”

Megjithatë, nuk është mirë që dijetari të përqëndrojë të gjithë vëmendjen e tij dhe fëmijërinë e tij në mësimin e poezive, por ai duhet të përfitojë dhe të përvetësojë (nga poezitë) aq sa i nevojitet.

 

Përktheu Alban Malaj