Bismilah...

Autor: Shejkh ‘Abdul-‘Azijz Ibn Baz

Burimi: https://binbaz.org.sa

 

 

Të gjitha lavdërimet i takojnë Allahut. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Tij – Pejgamberin tonë Muhamedin –, si dhe mbi Familjen dhe Shokët e tij.

 

Nuk ka dyshim se kërkimi i diturisë është nga veprat më të virtytshme të adhurimit. Dhe kjo është një nga shkaqet që sjellin suksesin e Xhenetit dhe është nder për ata që veprojnë sipas saj. Prej çështjeve më të rëndësishme është që robi të ketë sinqeritet në kërkimin e dijes. Kjo arrihet duke studiuar vetëm për hir të Allahut dhe për asnjë qëllim tjetër, sepse kjo është rruga nëpërmjet të cilës mund të arrish përfitim dhe sukses duke u ngritur në pozitat më të larta në këtë botë dhe në botën tjetër.

 

Është transmetuar në hadith se Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë:

“Kush mëson diçka prej diturisë me të cilën kërkohet Fytyra e Allahut, por ai nuk e mëson atë përveç se për të arritur disa qëllime të kësaj dunjaje, ai nuk ka për ta nuhatur aromën e Xhenetit në Ditën e Gjykimit.”

Transmetuar nga Ebu Dauudi me një zinxhir të mirë transmetimi.

 

Tirmidhiu transmeton një hadith me një zinxhir në të cilin ka pak dobësi, se Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë:

“Kush kërkon dituri për të garuar me dijetarët, ose për të debatuar me injorantët, ose që fytyrat e njerëzve të kthehen nga ai, atëherë Allahu do ta fusë atë në Zjarr.”

 

Kështu që, unë e këshilloj çdo nxënës të dijes dhe çdo Musliman që të kenë sinqeritet për Allahun në të gjitha veprimet e tyre, duke vepruar në përputhje me Fjalët e Allahut:

فَمَن كَانَ يَرْجُو لِقَاءَ رَبِّهِ فَلْيَعْمَلْ عَمَلًا صَالِحًا وَلَا يُشْرِكْ بِعِبَادَةِ رَبِّهِ أَحَدًا

“Kështu, kush shpreson takimin me Zotin e vet, le të bëjë vepra të mira dhe të mos shoqërojë askënd në adhurimin e Zotit të tij!” [el-Kehf, 110]

 

Në Sahihun e Muslimit është transmetuar se Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë:

“Allahu ka thënë: Unë jam më i panevojshmi për të gjithë ata që mi shoqërojnë në adhurimin Tim. Kush bën një vepër në të cilën ai përzien edhe dikë tjetër përkrah Meje (në adhurim), atëherë Unë e braktis atë dhe shirkun e tij.”

 

Gjithashtu, unë e këshilloj nxënësin e dijes dhe çdo Musliman që të kenë frikë Allahun dhe ta dinë se Allahu i sheh ata në çdo çështje, si dhe të veprojnë me thënien e Tij:

إِنَّ الَّذِينَ يَخْشَوْنَ رَبَّهُم بِالْغَيْبِ لَهُم مَّغْفِرَةٌ وَأَجْرٌ كَبِيرٌ ﴿١٢﴾

“Vërtet, për ata që i frikësohen Zotit të tyre pa e parë Atë, do të ketë falje dhe shpërblim të madh!” [el-Mulk, 12]

 

Dhe thënia e Tij:

وَلِمَنْ خَافَ مَقَامَ رَبِّهِ جَنَّتَانِ ﴿٤٦﴾

“Për ata që i frikësohen paraqitjes para Zotit të vet, do të ketë dy kopshte!” [er-Rrahman, 46]

 

Disa nga Selefët kanë thënë: “Kulmi i diturisë është frika ndaj Allahut.”

 

‘Abdullah Ibn Mes’udi – radij-Allahu ‘anhu – ka thënë: “Është e mjaftueshme si dije që robi të ketë frikë Allahun dhe është e mjaftueshme si injorancë që robi të jetë i mashtruar në këtë gjë (d.m.th. duke mos iu frikësuar Allahut).”

 

Dhe disa nga Selefët kanë thënë: “Më i dituri për Allahun, është ai që i frikësohet më së shumti Atij.”

 

Ajo që tregon saktësinë e këtij kuptimi është thënia e Pejgamberit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –:

“Ndërsa unë – betohem në Allah – i frikësohem Allahut më shumë nga ju dhe jam më i binduri (duke pasur takua) ndaj Tij mes jush.”

Transmetuar nga Bukhari dhe Muslimi.

 

Kështu që, sa herë që dituria e robit për Allahut përforcohet, kjo është një mjet që përforcon takuan (devotshmërinë) dhe ikhlasin (sinqeritetin) e tij dhe e përmban atë që të mos i kalojë kufijtë (që ka vendosur Allahu) dhe nga gjynahet. Prandaj Allahu ka thënë:

نَّمَا يَخْشَى اللَّـهَ مِنْ عِبَادِهِ الْعُلَمَاءُ

“Me të vërtetë ata që i frikësohen më shumë Allahut nga robërit e Tij janë dijetarët.” [Fatir, 28]

 

Pra, ata që janë më të diturit për Allahun dhe Fenë e Tij, ata janë që i frikësohen më shumë Atij dhe janë më të bindurit ndaj Tij mes të gjithë robërve. Në krye të tyre janë të Dërguarit dhe Pejgamberët – ‘alejhimus-salatu ues-selam – dhe ata që shkuan pas tyre në mirësi.

 

Prandaj, Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – na ka njoftuar se nga shenjat e suksesit është që robi i Allahut të arrijë kuptimin e Fesë, siç ka thënë ai:

“Atij që Allahu ia do të mirën, i jep kuptimin e Fesë.”

Transmetuar nga Bukhari dhe Muslimi nga hadithi i Mu’auijes – radij-Allahu ‘anhu.

 

Kjo nuk është për ndonjë arsye tjetër, por vetëm nga fakti që kuptimi i fesë do ta shtyjë robin që të zbatojë Urdhrat e Allahut, që t’i frikësohet Atij, t’i kryejë detyrat që i ka caktuar Ai dhe të qëndrojë larg atyre gjërave që sjellin Zemërimin e Tij. Dhe kjo do ta shpjerë atë drejt sjelljeve të mira, veprave të drejta dhe do ta bëjë që të jetë i sinqertë me Allahun dhe me robërit e Tij.

 

Kështu që, unë i lutem Allahut që të na japë ne dhe të gjithë nxënësve të dijes, si dhe të gjithë Muslimanëve kuptimin e Fesë së Tij dhe kapjen fort pas saj. Dhe unë i lutem Allahut që të na ruajë nga të këqijat e veteve dhe veprave tona. Me të vërtetë Ai është i Plotfuqishëm për ta bërë këtë.

 

 

Përktheu Alban Malaj