Bismilah...

Autor: el-Khatib el-Bagdadi

Abdullah Ibn Mes’udi ka thënë: “Mësoni! Dhe kur të keni mësuar, atëherë punoni.”

Ez-Zuhri ka thënë: “Puna e atij që punon dhe nuk ka dije nuk ka për t’u besuar nga njerëzit dhe ata nuk kanë për të qenë të kënaqur me fjalën e një alimi (dijetari) i cili nuk punon (me atë që thotë).

Sehl Ibn Abdullah el-Fustani ka thënë: “Të gjithë njerëzit janë të dehur me përjashtim të dijetarëve; dhe të gjithë dijetarët janë të hutuar me përjashtim të atij që punon sipas dijes së tij.”

Sehl Ibn Abdullah el-Fustani ka thënë gjithashtu: “Dynjaja është e marrë dhe e pavlerë me përjashtim të dijes; dhe e gjithë dija është argument kundër atij (që e posedon atë) me përjashtim të asaj e cila vihet në zbatim; dhe të gjitha veprat janë të pavlera përveç atyre që janë me sinqeritet; dhe sinqeriteti është një rrezik i madh derisa të vuloset nga ajo (vepra).

Jusuf Ibnul-Hunejn ka thënë: “Me sjelljet e mira ju kuptoni dijen, me dijen korrigjohen veprat tuaja, me veprat arrihet urtësia, me urtësinë ju kuptoni zuhdin dhe përfitoni prej tij, me zuhdin vjen braktisja e dynjasë, me braktisjen e dynjasë vjen përmallimi për Ahiretin dhe me përmallimin për Ahiretin fitohet Kënaqësia e Allahut Azze ue Xhel.”

Malik Ibn Dinar ka thënë: “Kur një rob kërkon dije për ta praktikuar atë, dija e bën atë modest (të përulur) dhe kur e kërkon atë për diçka tjetër, ajo do t’i shtojë moralin e poshtër dhe fodullëkun.”

Ebu Hurejra ka thënë: “Shembulli i dijes e cila nuk vihet në zbatim është si puna e pasurisë e cila nuk shpenzohet në rrugën e AllahutAzze ue Xhel.”

Ebu Derda ka thënë: Unë nuk kam frikë se do më thonë: O Amir çfarë ke mësuar? Por më tepër merakosem se do më thuhet: O Amir, çfarë ke bërë me atë atë që ke mësuar!”

Umer Ibn Abdul-Azijz ka thënë: “Kushdo që nuk e konsideron fjalën si pjesë të punës së tij do të bëjë gjynahe tej mase; dhe kushdo që punon pa dije do të bëjë më shumë keq sesa mirë.”

Malik Ibn Dinar ka thënë: “Vërtet kam gjetur mes fjalëve të urta: Nuk ka mirësi për ju që të dini atë që nuk e dini ndërkohë që nuk punoni me atë që e dini, ngase shembulli i këtillë është si shembulli i një burri që mbledh dru për zjarr dhe i lidh ato në një vandak dhe përpiqet që t’i mbajë por e ka të pamundur, kështu, ai shton edhe një vandak tjetër mbi të.”

Atta el-Khurasani ka kumtuar: “Ishte një djalosh që shkonte tek Nëna e Besimtarëve herë pas here dhe e pyeste atë e ajo i tregonte. Kështu një ditë, ai shkoi tek ajo dhe e pyeti e ajo ia ktheu: “O biri im, a ke punuar me atë që ke dëgjuar nga unë?” Ai tha: “Jo uallahi, oj nëna ime.” Kështu ajo i tha: “O biri im, atëherë përse kërkon ta shtosh argumentin e Allahut kundër nesh dhe vetes tënde.”

Fudejl Ibn Ijjad ka thënë: “Sa i përket hadithit, është më mirë që njeriu të mos e dëgjojë atë sesa ta dëgjojë dhe pastaj të mos punojë sipas tij.”

Sufjan eth-Theuri ka thënë: “Ah sikur të mos e kisha shkruajtur dijen dhe të isha i shpëtuar nga dija ime në mënyrë që ajo të mos ishte as kundër meje dhe as për mua.”

Esh-Sha’bi ka thënë: Në të vërtetë nuk jemi ne dijetarët por ne veç kemi dëgjuar hadithe dhe i kemi përcjellë ato, ngase dijetarë janë ata të cilët kur kanë dije punojnë.”

Përktheu Alban Malaj