Bismilah...

Shpjeguar nga Shejkh Zejd Ibën Muhammed Ibën Hadij el-Medkhalij

Burimi: 'Aun el-Ehadis-Samed Sherh el-Adabil-Mufrad, vëll.3/fq.424

Na transmetoi Isma`ili, i cili tha: na transmetoi Maliku, nga Ebij Zinadi, nga E'araxhi, nga Ebij Hurajrah – radij-Allahu 'anhu –, se i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – ka thënë:

"Nga njerëzit më të këqinj është ai me dy fytyra, ai i cili shkon tek disa me një fytyrë kurse tek disa të tjerë shkon me një fytyrë tjetër." [Hadith Sahih]

Tek ky hadith, fundi i tij shpjegon fillimin e tij, ngaqë e ka shpjeguar Pejgamberi – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – njeriun me dy fytyra në fjalën e tij: "ai i cili shkon tek disa me një fytyrë kurse tek disa të tjerë shkon me një fytyrë tjetër." Dhe kjo është ajo që bëjnë munafikët dhe ata që u përngjasojnë atyre, por që janë prej njerëzve të Islamit. Pamja e atij (që ka dy fytyra) është ashtu siç është thënë në hadith: shkon një burrë apo një grua tek një burrë apo tek një grua tjetër, me të folur dhe sjellje në të cilat ai nuk është i vërtetë dhe as i sinqertë. Pastaj shkon tek disa të tjerë - të cilët ndoshta janë kundërshtarët e tij – me një fytyrë tjetër dhe me fjalë të cilat janë të pabaza, me të cilat ai s'ka për qëllim që të bëjë përmirësim, porse ka për qëllim që të bëjë shkatërrim, si për shembull shkatërrimi mes atyre që kanë hasmëri, shkatërrime mes atyre që kanë grindje etj. Kurse besimtari ka një fytyrë dhe ka sjellje korrekte me njerëzit, prandaj shikon se ai nuk të ha në besë, nuk tallet me njerëzit dhe nuk bën prapaskena kundër tyre, porse qëndron besnik ndaj tyre në fjalët e tij, në marrëdhëniet e tij, në sjelljet e tij dhe në premtimin e tij, sepse tek besimtari, ajo që ai ka përbrenda dhe ajo që shfaq është e njëjtë, nuk ndryshon ajo që ai ka përbrenda nga ajo që ai shfaq dhe as ajo që ai shfaq nga ajo që e mban përbrenda. Madje e gjithë çështja e tij është mirësi.

Kurse që t'i marrësh me të mirë ata, nga frika e sherrit të tyre, kjo ka ardhur në Fjalën e të Lartësuarit:

إِلا أَنْ تَتَّقُوا مِنْهُمْ تُقَاةً

"…vetëm nëse këtë e bëjnë për t’u ruajtur nga ata." [Aali-Imran, 28]

Domethënë nga mosbesimtarët. Dhe kjo është brenda kufijve të Sheriatit, nuk arrin deri në shkeljen e marrëveshjeve dhe as deri në tradhëti, porse qëllimi i tij është që shpëtojë nga sherri i tyre. Në marrëdhëniet me qafirat dhe me zullumqarët nuk ka gjë të keqe që të veprohet kështu dhe ai që vepron kështu në këtë rast nuk hyn tek njerëzit me dy fytyra, porse hyn tek Fjala e Tij:

إِلا أَنْ تَتَّقُوا مِنْهُمْ تُقَاةً

"…vetëm nëse këtë e bëjnë për t’u ruajtur nga ata." [Aali-Imran, 28]

E ka përjashtuar Allahu – Tebarake ue Te'ala – atë, vjen me sjellje, nëpërmjet të cilave kërkon të dalë nga sherri i qafirave dhe nga sherri i atij që u përngjason atyre, duke qenë brenda kufijve të Sheriatit, duke mos shkelur marrëveshjet dhe duke mos bërë padrejtësi në gjak, në pasuri dhe në nder.

Përktheu: Alban Malaj