Shpjeguar nga Shejkh Zejd Ibën Muhammed Ibën Hadij el-Medkhalij
Burimi: 'Aun el-Ehadis-Samed Sherh el-Adabil-Mufrad, vëll.3/fq.425
1310 - Na transmetoi Muhammed Ibën Se'iid el-Asbahanij, i cili tha: na ka transmetuar Sherijku, nga Rukejni, nga Nu'ajm Ibën Handhaleh, nga 'Ammar Ibën Jasir, i cili ka thënë: E dëgjova Pejgamberin – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – të thotë:
"Ai që ka patur dy fytyra në dynja, do të ketë dy gjuhë prej zjarri Ditën e Kijametit." Kaloi aty pranë një burrë trupmadh dhe ai (Pejgamberi – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem -) tha:
"Ky është prej tyre." [Hadith Hasen]
Ky hadith përmban sqarim për dënimin e atij që ka dy fytyra, sepse shpërblimi tek Allahu është sipas llojit të veprës. Kështu që, përderisa ai në dynja ka patur dy gjuhë, flet me njërën gjuhë tek disa njerëz dhe flet me gjuhën tjetër tek disa të tjerë, ai do të ketë në Ahiret dy gjuhë prej zjarri – Allahu na ruajt -. Dhe ai është prej dënimeve më të tmerrshme. Kurse specifikimi që bëri Pejgamberi – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – me përmendjen e atij burrit që pa, është prej shenjave të pejgamberllëkut, domethënë është prej mrekullive, sepse Allahu i ka treguar Pejgamberit të Tij – 'alejhis-salatu ues-selam – gjëra që nuk i shikon njeriu. Dhe ai mund të thotë për një njeri: "Ky është prej banorëve të Xhenetit." E mund të thotë për një njeri tjetër: "Ky është prej banorëve të Zjarrit." Pasi që t'i ketë ardhur shpallja nga qielli:
وَمَا يَنْطِقُ عَنِ الْهَوَى (٣) إِنْ هُوَ إِلا وَحْيٌ يُوحَى (٤)
"Dhe ai nuk flet nga epshi. Nuk është tjetër ajo (që thotë ai) veçse Shpallje që i shpallet atij."
[en-Nexhm, 3-4]
Përktheu: Alban Malaj