Autor: Ibën Kajim el-Xheuzijeh
Burimi: ed-Dau ue ed-Deua, fq. 139 – 140
10 – Mëkatet mbjellin mëkate tjera dhe e sjellin njëri-tjetrin, deri në atë gradë saqë njeriu e ka të vështirë t’u ndahet dhe t’u shqitet.
Siç ka thënë njëri prej Selefëve (të parëve tanë të devotshëm):
“Pa dyshim se nga dënimi i një vepre të keqe është vepra e keqe që e pason atë dhe prej shpërblimit të një vepre të mirë është vepra e mirë që e pason atë.”
Kështu që, nëse robi bën një vepër të mirë, tjetra që është përkrah saj, i thotë “Më bëj edhe mua.” Nëse ai e bën atë, e dyta i thotë të njëjtën gjë dhe kështu me radhë. Kësisoj, dobia shumëfishohet dhe veprat e mira shtohen. Po kështu janë edhe veprat e këqija. Derisa veprat e mira dhe mëkatet, të bëhen veti të ngulitura, cilësi të pandashme dhe aftësi të qëndrueshme. Nëse bamirësi largohet nga vepra e mirë, i ngushtohet shpirti dhe i ngushtohet toka për atë që ka bërë; ndjen në shpirtin e tij se është bërë sikur peshku pa ujë, gjersa të kthehet në të, atëherë i rehatohet shpirti dhe gjen prehje.
Nëse një kriminel do të largohej nga mëkatet dhe të fillonte të bënte vepra të mira, do t’i ngushtohej shpirti dhe gjoksi. Do t’i ngushtoheshin rrugët, derisa t’u kthehet mëkateve. Shumë prej të shthururve në mëkate bien vazhdimisht në mëkate pa mos ndjerë ndonjë kënaqësi për këtë apo pa mos patur ndonjë shkas, për arsye se ai ndjen dhimbjen e ndarjes nga mëkatet. Siç e ka thënë el-Hasen bin Hani, prijësi i një fisi:
Gotën e parë piva me lezet
Kurse ajo e radhës ishte ilaçi të parës
Kurse një tjetër (poet) ka thënë:
Ishte ilaç, kurse sëmundje m’u bë tani
Ashtu siç pijaneci që shërohet me raki
Robi vazhdon që të vuajë nga dashuria për të bërë vepra të mira, të pasionohet pas tyre, t’i dojë ato dhe të ndikohet prej tyre, derisa Allahu – i Pastri nga çdo mangësi – t’ia dërgojë melekët me mëshirën e Tij, që t’i gëlojnë ndjenjat për të bërë vepra të mira, të ketë zell për to, ta trazojnë nga shtrati dhe ndenjja e tij. Kurse, robi tjetër që vazhdon të ketë pasion për mëkate, ndjen dashuri për to dhe ndikohet prej tyre, derisa Allahu t’ia dërgojë shejtanët, e ta bëjnë atë që t’i gëlojnë ndjenjat për to.
I pari (robi i veprave të mira) e forcoi ushtrinë e veprave të mira me ndihmë dhe kështu ata u bënë nga ndihmuesit më të mëdhenj të tij, kurse tjetri (robi i veprave të këqija) e forcoi ushtrinë e mëkateve me ndihmë, dhe kështu ata ngelën ndihmuesit e tij.
Përktheu: Jeton Shasivari