Autor: Ibën Kudameh el-Makdisij
Burimi: Mukhtesar Minhaxhul-Kasidin, fq. 156
Dije se, nëse Allahu i Lartësuar ia do të mirën një robi, e bën atë që t’i shohë mangësitë te vetja e tij. Mangësitë nuk i fshihen atij që ka zgjuarsi. Nëse ai i kupton mangësitë e tij, i bëhet i mundur kurimi i tyre, porse shumica e njerëzve i injorojnë mangësitë e veta. Shikojnë qimen në syrin e vëllait të tij, e nuk e sheh trarin në syrin e vet.
Ai që do të hetojë një të metë te vetja e tij, për këtë ka katër mënyra:
Mënyra e parë: Të ulet para një shejkhu (dijetari) i cili do ta vë në dijeni për të metat e tij, në mënyrë që ta njoftojë me mangësitë e tij dhe rrugët e kurimit të tyre. Në këtë kohë, kjo mundësi është e rrallë. Ai që ka gjetur një shejkh, ka gjetur një njeri të mirë e të zgjuar, andaj, nuk duhet t’i ndahet atij.
Mënyra e dytë: Të kërkojë një shok besnik, të zgjuar, fetar dhe ta caktojë atë si një vëzhgues të vetes së tij, në mënyrë që ta vë në dijeni për atë që është e urryer në moralin dhe veprat e tij. Prijësi i besimtarëve, Umer ibën Khatab – radijAllahu ‘anhu – thoshte: “Allahu e mëshiroftë atë njeri që na i bën të qarta mangësitë tona.”
Selefët i donin ata që ua vinin në dukje mangësitë, kurse ne tani në këtë kohë, në shumicën e rasteve, njerëzit më të urryer janë ata që na njoftojnë për mangësitë tona.
Mënyra e tretë: Të përfitojë duke i kuptuar mangësitë e vetes së tij nga gjuha e armiqve të tij. Ngase me të vërtetë, syri i mllefosur i nxjerr në pah të metat. Përfitimi i njeriut nga një armik grindës që ia përmend mangësitë e tij është më i madh se përfitimi nga një shok lajkatar që i fsheh mangësitë e tij.
Mënyra e katërt: Të përzihet me njerëzit, dhe çdo gjë që e sheh të qortuar në mesin e tyre, e shmang atë për veten e tij.
Përktheu: Jeton Shasivari