Autor: Ibën Kajjim el-Xheuzijeh
Burimi: Ed-Dau ue ed-Deua, fq. 132 - 138
Mëkatet lënë pasoja të shëmtuara, të urryera e të dëmshme për zemrën, trupin, dynjanë dhe ahiretin, që nuk i di askush tjetër pos Allahut.
Disa prej tyre janë:
1 – Privimi nga dija
Me të vërtet dija është dritë të cilën Allahu e fut në zemër, kurse mëkati e shuan këtë dritë. Kur Shafiju u ul para Malikut dhe i lexoi atij (atë që kishte mësuar përmendësh), ai e pëlqeu zgjuarsinë e madhe që pa tek ai dhe inteligjencën si dhe kuptimin e tij të shëndoshë, i tha: “Po shoh se Allahu paska hedhur dritë në zemrën tënde, mos e shuaj këtë dritë me errësirën e gjynahut.”
Shafiju ka thënë: “Iu ankova Ueki’ut për nxënien e dobët përmendësh dhe ai më udhëzoi duke më këshilluar që t’i braktis mëkatet.” Ai më tha: “Dije se dituria është mirësi dhe mirësia e Allahut nuk i jepet mëkatarit.”
2 – Privimi nga furnizimi (rizku)
Në Musnedin (e Imam Ahmedit) është transmetuar (hadithi): “Robi privohet nga furnizimi për shkak të një mëkati që ka bërë.” Siç u përmend më përpara.
Ashtu si frika (devotshmëria - takua) ndaj Allahut që e sjell furnizimin, po kështu edhe mos-pasja frikë ndaj Allahut sjell varfëri. Kështu që, nuk kërkohet furnizimi i Allahut ashtu siç kërkohet me braktisjen e mëkateve.
3 – Izolimi (vetmia) që mëkatari ndjen në zemrën e tij në mes tij dhe Allahut
Mëkatari, parimisht, nuk ia di vlerën dhe nuk bën krahisim se ç’është kënaqësia (e vërtetë, sh.p.), sikur të mblidheshin tek ai të gjitha kënaqësitë e dynjasë, nuk mund ta shuanin atë izolim (në mes tij dhe Allahut). Këtë gjë (kënaqësinë e vërtetë) nuk e ndjen vetëm se ai që ka jetë në zemrën e tij.
“Të vdekurit plaga nuk i dhemb.”
Pra, nëse ai do t’i braktiste mëkatet duke qenë i kujdesshëm të mos bjerë në atë izolim (vetmi), do të ishte njeri që logjikon, i çliruar për shkak se ka hequr dorë prej tyre.
Një njeri iu ankua një të devotshmi për vetminë që ndjente në shpirt, ai i tha:
“Nëse të kanë izoluar mëkatet, atëherë hiq dorë prej tyre nëse dëshiron dhe rehatohu. Nuk ka gjë më të hidhur për zemrën sesa zaptimi i mëkateve të njëpasnjëshme. Prej Allahut kërkojmë ndihmë.”
4 – Izolimi që ndodh në mes tij dhe njerëzve
Si zakonisht, izolimi i tij nga njerëzit e mirësisë (hajrit). Ai ka një ndjenjë izolimi në mes tij dhe atyre. Sa më shumë që shtohet ky izolim, aq më shumë largohet prej tyre dhe ndenjjes me ta. Ai privohet nga begatia e të përfituarit nga ata. Ai i afrohet palës së shejtanit aq sa largohet nga pala e të Gjithëmëshirshmit. Ky izolim shtohet derisa të zë vend, dhe ky izolim ndodh në mes gruas së tij, birit të tij dhe të afërmve të tij, në vetveten e tij, dhe kështu e sheh atë të izoluar brenda vetes së tij.
Disa Selefë kanë thënë: “Kur unë i bëj mëkat Allahut e shoh këtë tek edukata e kafshës dhe gruas sime.”
5 – Vështirësimi i çështjeve të tij
Nuk përballet me një çështje vetëm se e gjen atë të mbyllur, apo se e gjen atë të vështirë dhe në të kundërtën, ai që ia ka frikën Allahut, Ai ia lehtëson çështjet, dhe ai që nuk ia ka frikën Allahut, Ai ia vështirëson çështjet. O Allah, sa e habitshme! Si robi i gjen të mbyllura dyert e mirësisë dhe përfitimit dhe rrugët e saja i gjen të vështira për të, kurse ai nuk e di se përse i ka ndodhur kjo?!
6 – Errësira që ai ndjen realisht në zemër
Ai e ndjen atë ashtu siç e ndjen errësirën e natës së zymtë kur ajo errësohet, kështu bëhet edhe errësira e mëkatit në zemrën e tij, sikurse errësira e dukshme që ai e sodit. Me të vërtet bindja (ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij) është dritë kurse mos-bindja (mëkati) është errësirë. Sa më shumë që shtohet errësira, aq më shumë shtohet pavendosmëria e tij, saqë ai bie në bidate, devijime dhe në gjëra shkatërruese, kurse ai nuk e ndjen atë, sikurse i verbëri që del në errësirën e natës dhe ec vetëm. Kjo errësirë shtohet derisa të bëhet e dukshme për syrin, pastaj shtohet derisa ta mbulojë fytyrën dhe të behët e zezë, të cilën e sheh çdonjëri.
Abdullah ibën Abbasi ka thënë: “Vepra e mirë është shkëlqim në fytyrë, dritë në zemër, zgjerim i furnizimit, fuqi në trup, dashuri në zemrat e njerëzve. Kurse vepra e keqe është zymtësi në fytyrë, errësirë në zemër, dobësi në trup, pakësim i furnizimit dhe urrejtje në zemrat e njerëzve.”
7 – Mëkatet dobësojnë zemrën dhe trupin
Dobësimi i zemrës është një gjë e qartë, madje nuk pushon së dobësuari atë derisa t’ia marr jetën tërësisht. Kurse dobësia e trupit, fuqia e besimtarit vjen nga zemra e tij, sa më shumë i forcohet zemra, aq më shumë i forcohet trupi. Kurse i shthururi (el-faaxhir) edhe në qoftë se është i fortë në trup, porse ai ka gjënë më të dobët kur është i nevojshëm, kështu që ajo forcë e tij e tradhton atëherë kur ai është më se i nevojshëm për të.
Medito për forcën e trupave të Persisë dhe Romakëve, si i tradhtoi ajo forcë atëherë kur kishin më së shumti nevojë për të dhe i mposhtën njerëzit e Imanit (Muslimanët) me forcën e trupave dhe zemrave të tyre?
8 – Privimi nga vepra e mirë
Në qoftë se nuk do të kishte ndëshkim tjetër për mëkatin, mjafton që ai e pengon veprën e mirë që të jetë zëvendësi i tij dhe ia pret rrugën një vepre tjetër të mirë, kështu që i ndërpritet një rrugë e një vepre të tretë, pastaj një të katër, e kështu me radhë. Pra, për shkak të një gjynahu, atij i ndërpriten shumë vepra tjera. Çdonjëra nga këto vepra është më e mirë për të se sa dynjaja dhe çfarë ka në të. Kjo është e ngjashme me njeriun i cili është ngopur dhe si pasojë e kësaj është sëmurë për një kohë të gjatë, gjë që e ka ndaluar të hajë gjëra më të mira se ajo e para. Prej Allahut kërkojmë ndihmë.
9 – Gjynahet shkurtojnë jetën dhe largojnë begatinë
Dhe kjo ndodh me të vërtetë, sepse ashtu si bamirësia që ta shton jetën (me lejen e Allahut, sh.p.) po ashtu edhe shthurja (me veprat e këqija) e shkurton jetën.
Njerëzit (dijetarët) kanë rënë në mospajtime për këtë çështje. Një grup (dijetarësh) thanë: “Shkurtimi i jetës së mëkatarit është largimi i begatisë nga jeta e tij.” Kjo është e vërtetë. Dhe kjo është nga disa pasojat e gjynaheve.
Një grup tjetër (dijetarësh) thanë: “Përkundrazi, ai (gjynahu) e shkurton jetën përnjëmend, ashtu siç e pakëson furnizimin. Pra, Allahu – i Pastri nga çdo mangësi – i ka bërë sebepe (shkaqe) begatisë në furnizim që e shtojnë apo e pakësojnë atë, po ashtu edhe begatia në jetë ka shkaqe që e shtojnë apo pakësojnë atë. (Këta dijetarët) kanë thënë: “Zgjatja e jetës nuk ndërpritet për shkak të sebepeve, ashtu si shkurtohet për shkak të sebepeve. Furnizimi dhe jetëgjatësia, lumturia dhe mjerimi, shëndeti dhe sëmundja, pasuria dhe varfëria, janë me caktimin (kadaa) e Zotit - të Plotfuqishmit dhe të Lavdëruarit. Kështu që, Ai cakton çfarë të dojë nga shkaqet të cilat i ka bërë motive që shpijnë tek ato, të cilat janë të caktuara (me kader).”
Një grup tjetër (dijetarësh) kanë thënë: “Pasoja e mëkatit në shkurtimin e jetës është në jetën reale, e që është jeta e zemrës. Prandaj, Allahu – i Pastri nga çdo mangësi - e quajti qafirin të vdekur, të pajetë, siç ka thënë i Lartësuari:
أَمْوَاتٌ غَيْرُ أَحْيَاءٍ
“Të vdekur, të pajetë.” En-Nahl, 21
Jeta reale është jeta e zemrës. Jeta e njeriut është një periudhë e jetës së tij. Kështu që, jeta e tij nuk është tjetër vetëm se një kohë e caktuar. Jeta e tij varet nga Allahu. Ato orë janë jeta e tij. Andaj, bamirësia, devotshmëria dhe vepra e mirë, shtojnë në këtë kohë të caktuar e cila është realiteti i jetës së tij dhe ai nuk ka jetë pa to.
Si përmbyllje, nëse robi largohet nga Allahu dhe jepet pas gjynaheve, i humb ditët e jetës së tij reale të cilat do t’i gjej në fund të humbjes së tij ditën kur do thotë:
يَقُولُ يَا لَيْتَنِي قَدَّمْتُ لِحَيَاتِي
“(Njeriu) do të thotë: “Sikur t’i kisha dhënë përparësi (mirësisë dhe veprave të mira) për jetën time (në botën tjetër).” El-Fexhr, 24
Kështu që, ose ajo (jeta e ahiretit, sh.p.) të jetë në favor të tij bashkë me aspiratën e tij për dobitë e dynjasë dhe ahiretit ose ajo të jetë kundër tij. Nëse ai nuk ka aspirata për të (ahiretin), atëherë atij i ka humbur e gjithë jeta e tij dhe i ka shkuar jeta kot më kot. Nëse ai ka aspirata për atë (dynjanë) rruga e tij është e gjatë për shkak të pengesave dhe i vështirësohen shkaqet e mirësisë, aq sa ai jepet ndaj të kundërtës së saj (mirësisë) dhe kjo është mungesë e vërtetë në jetën e tij.
Sekreti i kësaj çështjeje është se jeta e njeriut është një periudhë e jetës së tij dhe ai nuk ka jetë vetëm se duke iu përkushtuar Zotit të tij dhe të kënaqet me dashurinë ndaj Tij dhe të përmendurit e Tij, si dhe t’i japë përparësi asaj me të cilën kënaqet Ai.
Përktheu: Jeton Shasivari
16 Xhumadal-Ula 1436
7 Mars 2015
Medine