Bismilah...

Autor: Shemsuddin Muhamed bin Bekër bin Ejjub ibën Kajjim el-Xheuzijeh, (v.751 H.)

Burimi: Ed-Dau ue ed-Deua (Sëmundja dhe Ilaçi), fq. 148-149

 

 

 

18 – Mëkatet e prishin logjikën e shëndoshë (el-‘akl). Mendja e shëndoshë ka dritë, kurse mëkati e shuan këtë dritë, dhe kjo patjetër të ndodh. Nëse shuhet kjo dritë, mendja do të dobësohet dhe do të jetë e mangët.

 

Njëri prej Selefëve ka thënë: “Nuk ka njeri që t’i bëjë mëkat Allahut, derisa të mos e përdorë logjikën e shëndoshë.” [1]

 

Kjo është gjë që shihet me sy. Në qoftë se ai do ta përdorte logjikën e shëndoshë, ajo do ta pengonte atë nga mëkati. Ai është në Dorën e Zotit të Lartësuar dhe në Fuqinë e Tij. Allahu e shikon robin dhe ai është në ‘shtëpinë’ e tij si dhe në Madhështinë e Fuqisë së Tij. Melaiket janë dëshmitarë kundër tij dhe e vëzhgojnë atë. Kurani këshillues e ndalon atë nga mëkati, Imani këshillues e ndalon atë, vdekja këshilluese e ndalon atë dhe zjarri këshillues e ndalon atë. Atë gjë që ai e humb për shkak të gjynahut nga të mirat e dunjasë dhe ahiretit është shumëfish më e madhe, e ajo është kënaqësia që ai arrin me lënien e gjynahut. Pra, ai që ka mendje të shëndoshë, a i jep përparësi poshtërimit dhe nënçmimit me mëkate?

 

 

19 – Nëse mëkatet e shtohen, ato e vulosin zemrën e mëkatarit. Kështu, ai është nga të shkujdesurit. Siç ka thënë njëri nga Selefët për Fjalën e të Lartësuarit:

 

﴿كَلَّا  بَلْ  رَانَ عَلَىٰ قُلُوبِهِمْ مَا كَانُوا يَكْسِبُونَ﴾

“Jo, nuk është ashtu! Por veprat e tyre të këqija, i mbuluan zemrat e tyre.” el-Mutaffifin, 14

Se është për qëllim vazhdimi në mëkate; bërja e mëkateve njëri pas tjetrit. [2]

 

El-Hasen ka thënë: “Janë mëkatet që bëhen njëri pas tjetrit derisa ta verbojnë zemrën.” [3]

 

Një tjetër ka thënë: “Kur njerëzit i shtojnë mëkatet, ato i rrethojnë zemrat e tyre.” [4]

 

Baza e kësaj është se zemra ndryshket nga mëkatet. Nëse mëkatet shtohen, atë e mbulon ndryshku derisa të bëhet mbulesë për zemrën. Pastaj, ky ndryshk e pushton zemrën derisa të bëhet ves, dry dhe vulë. Kështu, zemra do të ketë një pëlhurë dhe mbulesë. Nëse zemrës i ndodh një gjë e tillë pasi që i ka ardhur udhëzimi dhe dituria, ajo do të përmbyset kokëposhtë. Në këtë rast, këtë zemër, do ta marrë përpara armiku i tij dhe do ta shpie atë andej nga të dojë ai.

 

 

Fundnota:

[1] Nuk kam gjetur ndonjë transmetim me këto fjalë. Ibën Ebi Dunia transmeton në librin e tij “el-‘Aklu ue Fadluhu,” (19), Ibën Hibbani në “Raudatul-‘Ukala” (fq. 19) me zinxhir të dobët nga el-Hasen, i cili ka thënë: “Nuk plotësohet feja e njeriut, derisa të plotësohet mendja e tij.” E transmeton Ibën Hibbani në “eth-Thikat,” (7/658) me zinxhir të dobët nga Ebi ‘Alijeh se ka thënë: “Një rob, nuk i bën mëkat Allahut, vetëm se për shkak të injorancës.”

 

[2] Këtë Ibën Kajjimi e përmend në veprën e tij “Medarixhu Salikin” (3/223), ku thotë: “Ibën Abbasi dhe të tjerët ka thënë: ‘Janë mëkatet që bëhen njëri pas tjetrit të cilat e mbulojnë zemrën derisa të bëhet si pëlhurë dhe mbulesë sipër saj.” E ka nxjerrë Bejhakiu në “esh-Shu’ab” (6812) nga Ibrahim bin Ed’hem.

 

[3] Tefisiri i Taberiut (24/201) dhe autori ka përmendur diçka të ngjashme si kjo në librin “Shifaul-‘Aliil” (94) nga Muxhahidi.

 

[4] Autori në librin “Shifaul-‘Aliil” ia ka atribuuar këtë thënie el-Ferrait, e cila gjendet në veprën e tij “Me’ani el-Kuran” (3/246).

 

 

Përktheu: Jeton Shasivari