Autor: ‘Abdul-‘Aziiz Ibën Baz
Burimi: Mexhmu’u Fetaua ue Mekalat Muteneui’ah, vëll.22/fq.397
Pyetje: Çfarë duhet të bëjë ai që ka kryer krimin e zinasë (marrëdhënieve seksuale jashtë martesës), në mënyrë që të largojë nga vetja e tij pasojat e asaj vepre të keqe?
Përgjigje: Zinaja është prej harameve më të mëdha, është prej gjynaheve më të mëdha, prandaj Allahu i ka kërcënuar idhujtarët, vrasësit e padrejtë dhe zinaqarët, me dënim të dyfishuar në Ditën e Kijametit, ku do të qëndrojnë të turpëruar e të poshtëruar, për shkak të krimit të rëndë dhe veprës së shëmtuar që kanë bërë, siç ka thënë Allahu i Pastër nga çdo mangësi:
وَالَّذِينَ لا يَدْعُونَ مَعَ اللَّهِ إِلَهًا آخَرَ وَلا يَقْتُلُونَ النَّفْسَ الَّتِي حَرَّمَ اللَّهُ إِلا بِالْحَقِّ وَلا يَزْنُونَ وَمَنْ يَفْعَلْ ذَلِكَ يَلْقَ أَثَامًا (٦٨) يُضَاعَفْ لَهُ الْعَذَابُ يَوْمَ الْقِيَامَةِ وَيَخْلُدْ فِيهِ مُهَانًا (٦٩) إِلا مَنْ تَابَ وَآمَنَ وَعَمِلَ عَمَلا صَالِحًا
“Dhe ata që, pos Allahut, nuk adhurojnë asnjë të adhuruar tjetër, nuk vrasin njeri, gjë që Allahu e ka ndaluar, përveçse me të drejtë, dhe që nuk bëjnë kurvëri. E kush i bën këto, do të marrë gjynahe. Ndëshkimi do t’i dyfishohet në Ditën e Kiametit dhe ai do të qëndrojë përherë kështu i poshtëruar. Me përjashtim të atyre që pendohen, që besojnë dhe bëjnë vepra të mira.” [el-Furkan, 68-70]
Dhe kush ka rënë në ndonjë prej këtyre, ai duhet të pendohet tek Allahu me pendim të sinqertë, me besim të sinqertë dhe me vepra të mira.
Pendimi i sinqertë është atëherë kur i penduari e lë përfundimisht gjynahun, ndjen keqardhje për ato që ka bërë dhe ka vendosmëri të vërtetë që të mos kthehet kurrë më tek ai gjynah, duke pasur frikë nga Allahu i Pastër nga çdo mangësi, duke e madhëruar Atë, duke shpresuar shpërblimin e Tij dhe duke u ruajtur nga ndëshkimi i Tij.
Ka thënë Allahu i Lartësuar:
وَإِنِّي لَغَفَّارٌ لِمَنْ تَابَ وَآمَنَ وَعَمِلَ صَالِحًا ثُمَّ اهْتَدَى (٨٢(
“Unë padyshim që jam Falës i Madh për atë që pendohet, beson, punon vepra të mira dhe ndjek rrugën e Udhëzimit.” [Ta-Ha, 82]
Pra, detyra e çdo muslimani dhe muslimaneje është që të ruhen tej mase nga ky imoralitet kaq i madh dhe nga rrugët që të shpien në të, si dhe të shpejtojnë që të bëjnë pendim të sinqertë për ato që kanë bërë më përpara, sepse Allahu ua pranon pendimin atyre që pendohen me sinqeritet dhe i fal ata.
Përktheu: Alban Malaj