Burimi: Beua’ithu el-khalaasi mine-dhunuub, fq. 13-15
Imami Abdul-Ganijj el-Makdisij, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij “Kitabu Teu-uabin”, ka treguar një ngjarje nga Ibrahim bin Ed'hem se një person erdhi tek ky dhe i tha: “O babai i Is'hakut, unë i kam bërë dëm vetes time me mëkate! Më këshillo diçka që kjo të jetë qortim dhe shpëtim për zemrën time.”
Ibrahim bin Ed'hem i tha: “Nëse i pranon këto pesë gjëra dhe ke mundësi t'i realizosh, atëherë nuk do të të bëjnë dëm mëkatet dhe asnjë qejf i yti s’ka për të shkuar dëm.”
I tha ky njeri: “Pa m’i thuaj se cilat janë ato o babai i Is'hakut!?”
Ibrahim bin Ed'hem i tha:
💠 “E para: Nëse do t’i bësh mëkat Allahut të Lartësuar, atëherë mos ha prej rizkut të Tij!”
Ky njeriu i tha: "Atëherë ku të ha unë kur çdo gjë që është në tokë është rizku i Allahut!?”
Kështu Ibrahim bin Ed'hem i tha: "O njeri, a është në rregull që të hash prej rizkut të Allahut dhe t'i bësh mëkate Atij?!”
Ai njeriu i tha: “Jo!”
Pastaj i tha : "Ma trego të dytën."
Ibrahim bin Ed'hem i tha:
💠 “E dyta: Nëse do t'i bësh mëkat Allahut të Lartësuar, atëherë mos bano askund në tokën e Tij."
Ai i tha: “Kjo është më e madhe dhe më e rëndë se e para. Përderisa lindja dhe perëndimi, si dhe çdo gjë ndërmjet tyre është e Allahut, atëherë ku të banoj unë?”
Kështu Ibrahim bin Ed'hem i tha atij: “O njeri, a është në rregull që të hash prej rizkut të Allahut, të banosh në tokën e Tij, e në të njëjtën kohë t'i bësh mëkate Atij!?”
Ai i tha: “Jo, nuk është në rregull!” Pastaj i tha: "Ma trego të tretën."
Ibrahim bin Ed'hem i tha:
💠 “E treta: Nëse do t'i bësh mëkat Allahut të Lartësuar dhe në të njëjtën kohë ti ha nga rizku i Allahut dhe banon në Tokën e Allahut, atëherë gjej ndonjë vend ku të fshihesh nga Allahu ku Ai nuk do të mund të të shohë ty, me qëllim që aty të bësh mëkate!”
Ky njeri tha: “Si mund të ndodhë kjo kur Allahut nuk mund t’i fshihet asgjë dhe Ai i di të gjitha sekretet!”
Atëherë Ibrahimi i tha: “O njeri, a është në rregull që të hash nga rizku i Allahut, të banosh në tokën e Tij dhe t'i bësh mëkat Atij, kurse Ai të sheh ty dhe s'ke mundësi t'i fshihesh Atij?"
Ky njeriu i tha: “Jo, nuk mundem, s’ka mundësi! Më trego të katërtën.”
Ibrahimi i tha:
💠 “E katërta: Nëse të vjen meleku i vdekjes që të ta marrë shpirtin, thuaj atij ‘ma shtyj afatin për më vonë derisa të pendohem sinqerisht dhe të bëj vepra të mira’!”
Ky njeriu tha: “Jo, meleku i vdekjes këtë nuk e pranon!”
Atëherë Ibrahimi i tha: “O njeri, përderisa nuk ke mundësi ta shtysh vdekjen për më vonë që të pendohesh dhe ti e din se kur të vijë ky melek nuk të shtyhet afati i vdekjes, atëherë si do që ti të largohesh nga mëkatet?"
Ai njeriu pastaj i tha: “Ma trego të pestën!”
Ibrahimi i tha:
💠 “E pesta: Ditën e Kijametit kur të vijnë Zebanijet që të të marrin dhe të të çojnë në Zjarr, ti mos shko me ta!”
Ky njeriu i tha: “Ata nuk kanë për të më lënë mua! Ata nuk do ta pranojnë këtë gjë nga unë!”
Ibrahimi i tha: “Atëherë, si shpreson ti që të shpëtosh!?”
Në fund ky njeriu i tha: “O Ibrahim, mjaft më! Mjafton me kaq!. Unë i kërkoj falje Allahut dhe pendohem tek Ai!”
Përktheu: Jeton Shasivari