Bismilah...

Burimi: Fetaua el-Harem el-Mekkij, viti 1414, nr. 09a

 

Nuk ka mundësi që Allahu ta devijojë zemrën e dikujt, vetëm se atëherë kur ekziston një fatkeqësi në zemrën e tij. Nëse zemra e njeriut është e shëndoshë dhe e pastër, nuk është e mundur që ta devijojë atë.

Argument për këtë është fjala e Allahut, të Madhëruarit dhe të Lartësuarit:

فَلَمَّا زَاغُوا أَزَاغَ اللَّهُ قُلُوبَهُمْ

“Kur ata devijuan, atëherë Allahu ua devijoi zemrat e tyre.” Es-Saff, 5

Zemrën e pastër nuk ka mundësi që Allahu ta devijojë, sepse Allahu i Lartësuar është më Fisniku dhe më Bujari dhe nuk e devijon këtë zemër të pastër.

Prandaj, po të drejtohem ty dhe më përpara edhe vetes: Hetoje zemrën tënde! Kontrolloje zemrën tënde! A mos vallë ka dyshime aty? A mos ka mllef? A mos ka urrejtje për ndonjë ligj të Allahut? A mos ka haset (zili)?

Këto gjëra mund të duken të lehta, por në realitet janë sikur krimbi në hurmë i cili e ha atë pak nga pak dhe e përfundon atë.

Andaj, pastroje zemrën tënde nga shirku, dyfaqësia, dyshimet në fe, nifaku (hipokrizia), mllefi, urrejtja dhe mospëlqimi i ndonjë ligji të Allahut. Nëse ti nuk e bën këtë, atëherë ti je në buzë të shkëmbit gati për t’u rrëzuar.

Allahu na ruajttë! Allahu na i pastroftë zemrat të gjithëve!

 

Përktheu: Jeton Shasivari