Bismilah...

Autor: Shejkh Ibën ‘Uthejmini

Burimi: Sherh Nunijeh Ibnil-Kajjim, kaseta nr.57

 

Ibën Kajjim el-Xheuzijeh thotë:

والله لو أنَّ القُلوب سليمةٌ "

“Pasha Allahun, zemrat tona po t’i kishim përmirësuar,

لتقطَّعت أسفاً من الحِرمان

do të copëtoheshin tërë dëshpërim ngaqë janë privuar!”

 

Shejkh Ibën ‘Uthejmini:

Ai u betua dhe tha të vërtetën: “Pasha Allahun, zemrat tona po t’i kishim përmirësuar, do të copëtoheshin tërë dëshpërim ngaqë janë privuar!” Sa e sa orë të tëra na kalojnë duke qenë të privuar nga përfitimi gjatë atyre orëve?! Nuk përfitojmë asgjë prej tyre, na ikin kot së koti. Mosha dhe koha janë më të shtrenjta se çdo çmim, janë më të shtrenjta se ari, më të shtrenjta sesa argjendi. Ari dhe argjendi po ikën, mund të vijë diçka tjetër në vend të tyre. Por ama, po iku mosha dhe koha, asgjë tjetër nuk e zë dot vendin e tyre, po të ikën, ikën e nuk kthehen më!

﴿وَلَن يُؤَخِّرَ ٱللَّهُ نَفۡسًا إِذَا جَآءَ أَجَلُهَاۚ وَٱللَّهُ خَبِيرُۢ بِمَا تَعۡمَلُونَ﴾

“Allahu nuk ia shtyn kurrë afatin një shpirti, kur atij i vjen exheli i tij. E s’ka dyshim që Allahu e di hollësisht atë që bëni ju.” [el-Munafikun, 11]

حتَّى إِذَا جَاء أَحَدَهُمُ الْمَوْتُ قَالَ رَبِّ ارْجِعُونِ * لَعَلِّي أَعْمَلُ صَالِحًا فِيمَا تَرَكْتُ كَلَّا

 “Derisa kur ndonjërit prej tyre i vjen vdekja, ai thotë: “Zotim im më kthe sërish! Që unë të kem mundësi të bëj vepra të mira për ato që kam lënë mbrapa.” El-Muminun, 99

Kurrën e kurrës!”

Pra, nuk ka kthim mbrapa!

إِنَّهَا كَلِمَةٌ هُوَ قَائِلُهَا وَمِن وَرَائِهِم بَرْزَخٌ إِلَى يَوْمِ يُبْعَثُونَ

“…Në të vërtetë ajo është një fjalë që e thotë ai në fund të fundit, por mbrapa tyre ka një pengesë, e cila do të jetë deri në Ditën kur do të ringjallen.” [el-Mu’minun, 99-100]

لَوْلَا أَخَّرْتَنِي إِلَى أَجَلٍ قَرِيبٍ فَأَصَّدَّقَ وَأَكُن مِّنَ الصَّالِحِينَ

“Sikur të më kishe dhënë kohë edhe për një afat tjetër të afërt, në mënyrë që të jap sadaka dhe të bëhem prej të devotshmëve.” [el-Munafikun, 10]

Tani ti je akoma brenda afatit prandaj shfrytëzoje kohën, caktoji vetes një pjesë nga Libri i Allahut të Plotfuqishëm e të Madhërishëm që ta lexosh çdo ditë, caktoji vetes një kohë për të bërë vepra të mira, çohu në fundin e natës, qoftë edhe për gjysëm ore, përpara sabahut, fol me Zotin tënd, lutju Atij sepse i Lartësuari zbret në qiellin e dynjasë dhe thotë:

من يدعوني فأستجيب له، من يسألني فأعطيه، من يستغفرني فأغفرله.

“Kush më lutet Mua që Unë t’i përgjigjem atij, kush më kërkon Mua që Unë t’i jap atij, kush më kërkon falje Mua që Unë ta fal atë!”

E kush nuk çohet dot përpara sabahut për gjysëm ore?! Kjo është një gjë shumë e lehtë. Ne i kërkojmë Allahut që të na mëshirojë neve me mëshirën e Tij, nga ana tjetër ne nuk çohemi në një të tretën e natës dhe as në gjysmën e natës. Por, a s’kemi mundësi ne që të çohemi vetëm për gjysmë ore dhe të bëjmë dhikër për Allahun, të marrim abdes dhe të falim aq sa të dojë Allahu, pastaj të falim vitri. Unë mendoj se kjo është një gjë shumë e lehtë.

Gjithashtu, ne duhet ta bëjmë krejt jetën tonë dhikër për Allahun, ngaqë besimtari i mençur është ai njeri që e bën të gjithë jetën e tij dhikër për Allahun. Sepse çdo gjë që kemi përpara është shenjë udhëzuese nga shenjat e Allahut. Prandaj, nëse e sjellim ndërmend këtë gjë, që përpara veteve tona kemi shenjat e Allahut, kështu do të motivohemi që të bëjmë dhikër për Allahun e Plotfuqishëm e të Madhërishëm. Pra, kështu do të bëjmë dhikër për Allahun. Kështu që, njeriu duhet të jetë përherë duke bërë dhikër për Allahun, sa herë që shikon shenjat e Allahut në gjithësi, madje sa herë që shikon shenjat e Tij në veten e tij dhe në ndryshimin e gjendjeve të tij.

Për sa i përket zemrës, unë po ju pyes tani, a janë zemrat tuaja gjithmonë në të njëjtën gjendje? Jo, ndonjëherë janë të shkujdesura, ndonjëherë janë të kthyera kah Zoti, ndonjëherë janë duke medituar, ndonjëherë janë në gjallëri të qartë, ndonjëherë zemra jote përjeton një gjallëri në të cilën ndjen një kënaqësi të cilën do ta kujtojë për një kohë të gjatë, ndoshta kujton gjendjen kur njeriu ka qëndruar përpara Allahut të Plotfuqishëm e të Madhërishëm, duke falur namaz, duke bërë sexhde, përpara tridhjetë vitesh apo më shumë, në varësi të moshës së njeriut, ngaqë ato çaste kanë lënë gjurmë në zemrën tënde.

Pra, të tilla gjëra duhet që t’i shfrytëzojmë, duhet t’i shfrytëzojmë dhe të mos i neglizhojmë, ngaqë neglizhimi është sikur vdekja, është ngurtësim për zemrën dhe vdekje për zemrën.

Pra, Ibnul-Kajjimi thotë:

 “Pasha Allahun, zemrat tona po t’i kishim përmirësuar,

do të copëtoheshin tërë dëshpërim ngaqë janë privuar!”

Zemrat do të copëtohen nga dëshpërimi dhe nga privimi i tyre.”

[Mbaroi fjala e Shejkh Ibën ‘Uthejminit.]

 

Përktheu: Alban Malaj