Burimi: أسئلة وأجوبة 1 | دورة دلائل في القرآن على محاسن الاسلام
Pyetje: Kemi një pyetje këtu që thotë: “Si ta zbatojmë butësinë në marrëdhëniet tona kur përballemi në situata të ndryshme me shokët anë, kolegët tanë, familjet dhe bijtë tanë?”
Përgjigje: O vëllezër, morali arrihet me përpjekje. Nëse e ushtron veten për patur një moral të caktuar, pas një periudhe, ke për të parë se ai moral do të bëhet karakter yt. Nuk ka moral që t’i nuk mund ta fitosh. Por duhet patjetër që të kërkosh ndihmë nga Allahu, Azze ue Xhel-le, dhe të përpiqesh vazhdimisht për këtë. Ka ca njerëz që thonë: “Unë jam gjaknxehtë! Unë jam gjaknxehtë! Unë kështu jam!”
Nuk është ashtu! Ti mund ta kalitësh veten tënde. Stërvite veten tënde që ta lësh gjaknxehtësinë avash-avash, ke për të parë se kjo gjaknxehtësi do të bjerë dalëngadalë.
Butësia është një moral i mirë të cilin në fillim e kë të rëndë, pastaj ajo do të bëhet shprehi. Mundohu që këtë butësi ta kesh me familjen tënde, sepse gjëja më e vështirë e moralit është që ta zbatosh atë me familjen tënde. Për këtë arsye, shumë njerëz nuk mund të sillen mirë brenda në shtëpi. Siç e kanë një shprehje njerëzit: “Jashtë shtëpisë si mjalti, e në shtëpi si qepa.”
Kur është jashtë, u buzëqesh njerëzve, duke u thënë: “O habibi (dashamir)! O vëllai im!” E kur ai gabon ndaj tij, ia kthen duke thënë: “Allahu të faltë! Allahu të faltë!” Pastaj, sapo hyn në shtëpi dhe sheh një gabim të gruas, i thotë: “Moj ti...! Babai yt kështu! Nëna jote ashtu!” Sepse njeriu në shtëpi nuk shtiret dhe heq çdo lloj maske. Në shtëpi nuk ngelet vetëm se morali i mirë.
Prandaj, vendi më i mirë i stërvitjeve për moral të mirë është shtëpia. Nëse ti e zbaton moralin e mirë në shtëpi, atëherë ji plotësisht i bindur se do ta zbatosh atë edhe jashtë shtëpisë tënde. Por jo e kundërta. Kjo arrihet duke u përpjekur!
Nëse je i martuar dhe ke fëmijë, stërvite veten tënde që të jesh i butë me ta, me gjuhë dhe me vepra. Pas një kohë, ke për të parë se kjo do të të bëhet zakon. Kur ta kesh mësuar këtë rrugë, pastaj do ta kesh të lehtë kur të ballafaqohesh me vështirësi në situata të ndryshme. Kështu, do të kesh mundësi që ta zbatosh këtë moral të vyer.
Përktheu: Jeton Shasivari