Pyetësi thotë: Sa herë që vizitoj babain, ai zakonisht më shan dhe më përzë pa të drejtë. Cili është gjykimi për këtë?
Përgjigje: Puthja kokën dhe duart. Pastaj lutju Allahut për të. Ti nuk ke ardhur në këtë botë përmes atij. Ai të ka edukuar dhe të ka mbrojtur kur ishe i vogël, edhe nëse është i egër me ty. Sa do keq të të bëjë ty, ai prapëseprapë është babai yt! Edhe nëse të thërret në shirk, ai prapë është babai yt!
Përmbaje veten dhe duro për hir të Allahut! Allahu thotë:
ادْفَعْ بِالَّتِي هِيَ أَحْسَنُ فَإِذَا الَّذِي بَيْنَكَ وَبَيْنَهُ عَدَاوَةٌ كَأَنَّهُ وَلِيٌّ حَمِيمٌ
“...të keqen ktheje me të mirë. Atëherë armiku yt me të cilin kishit armiqësi, do të bëhet shok i ngushtë.” Fusilet, 34
E si është puna me babain? Sa më shumë që ai bëhet i ashpër, ti shtoje sa më shumë sjelljen e mirë me të. Duro për hir të Allahut të Madhëruar e të Lartësuar, dhe përmbaje veten. Kjo me lejen e Allahut do të të shpie drejt krenarisë në dynja dhe ahiret. Allahu do të të japë fitore, do të ndihmojë dhe do të ruajë.
Këshilla ime o vëllezër është: Që të silleni mirë me prindërit në mënyrën absolute për çdo gjë, edhe nëse ata sillen keq me ty. Sillu mirë me ta duke u folur atyre fjalë të mira. Mos të dëgjojnë ata prej teje as edhe fjalën “uf”. Sillu mirë me ta duke i mbajtur lidhjet me ta dhe duke u bërë mirë atyre.
Ki frikë Allahun për prindërit e tu dhe lutju Atij për të drejtën tënde. Bëj sa më shumë lutje që Allahu të udhëzojë babain tënd. Pasha Allahun o vëllezër, njëherë më erdhi një i ri në shtëpi dhe më tha: “O Shejkh, babai im ishte i ashpër me mua. Edhe unë ia ktheja me ashpërsi dhe u largova prej tij. Tani ai ka vdekur dhe jam bërë pishman. Ai është babai im; e ndjej mungesën e tij; jam bërë pishman se çfarë veprova.” Qante. Ia shpjegova dhe e këshillova se si mund t’i bënte mirë mbasi ai ka vdekur.
O vëllezër, pasha Allahun, sido që të jetë babai, ai është mirësi. Sido që të jetë mamaja, ajo është mirësi. Nuk e njeh kush këtë mirësi, përveç atij që i ka humbur. Ai e di këtë mirësi ashtu siç duhet. Njerëzit e logjikshëm e dinë këtë mirësi edhe kur i kanë prindërit gjallë, por ai që e di tamam siç duhet është ai që e ka humbur këtë mirësi. Prindërit janë rrugë për në Xhenet dhe dyert e Xhenetit.
Atëherë, përpiqu me veten tënde. Bëj durim dhe këshilloji edhe tjerët për durim. O vëlla, përkujto çdo herë se shpërblimi është Xheneti. Nuk ka gjë më të shtrenjtë se ai, as më të mirë, as më të lartë. Duro, nxit tjerët për durim dhe tregohu i vendosur.
Përktheu: Abdullah Beqiri