Autor: Imam Rabij ibën Hadi el-Medkhali
Burimi: http://ar.alnahj.net/audio/2047/7-1436
Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit.
Lavdërimi i takon Allahut, lëvdata dhe shpëtimi qoftë për të Dërguarin e Allahut, për familjen e tij, shokët e tij dhe për ata që e pasojnë udhëzimin e tij.
Më tej:
E porosis veten time dhe të gjithë Muslimanët, ndërsa selefijt në veçanti: që të kenë frikë Allahun – e Madhëruar e të Lartësuar – dhe të kapen për Litarit të Allahut – të Plotfuqishëm e të Madhëruar – të kenë vëllazëri në mes selefijve në veçanti, si dhe marrëdhënie e bashkëpunim në vepra të mira dhe devotshmëri. Të largohen nga shkaqet e mospajtimit (khilaf) – Allahu ju bekoftë – sepse kjo e prish imazhin e da’uetit të tyre, e prish imazhin e tyre dhe i gëzon armiqtë e tyre.
I këshilloj selefijt që të kenë frikë Allahun – e Madhëruar e të Lartësuar – dhe të kenë zell të madh për dashuri, vëllazëri, mëshirë dhe dashamirësi të ndërsjellë në mes veti dhe të largohen nga shkaqet e mospajtimit (khilaf). Ai që gabon nga selefijt, nuk poshtërohet, por këshillohet. E këshillon atë ai që ka mendje të shëndoshë dhe ka njohuri të sakta, e këshillon me urtësi dhe me këshillë të bukur.
I porosis vëllezërit në Britani në veçanti, që të bashkëpunojnë me vëllezërit e tyre selefij në Kuvajt, në Mbretërinë e Arabisë Saudite, në Egjipt, në Sudan si dhe në të gjitha anët e botës Islame.
Nëse atyre ju vjen ndonjë grup nga Kuvajti ose nga ndonjë vend tjetër, le ta mirëpresin me gjithë respekt dhe nderim. Të mos kenë frikë nga asnjëri. Nuk ka frikë – in sha Allah. Allahu ju bekoftë. Shejtani ju frikëson dhe ju tremb nga filani e filani, mos ia keni frikën vetëm se Allahut – të Madhëruar e të Lartësuar. Respektojeni njëri-tjetrin, nderojini vëllezërit tuaj Kuvajtian të cilët kanë derdhur mund të madh në vënien e bazave të da’uetit tuaj duke e përhapur, inkurajuar dhe përkrahur atë. Andaj, mos e përbuzni këtë të mirë.
Allahu ju dhëntë sukses dhe ua përmirësoftë gabimet tuaja, ju bekoftë dhe i bashkoftë zemrat tuaja dhe e largoftë nga ne dhe ju çdo te keqe.
Lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qoftë për Pejgamberin tonë Muhamedin, familjen dhe shokët e tij.
Këto fjalë dolën nga unë në natën e 7 Sheualit 1436.
Ua theksoj përsëri vëllezërve të cilët e sulmojnë verbalisht njëri-tjetrin këto ditë dhe shkëmbejnë fjalë të këqija me njëri-tjetrin, që të kenë frikë Allahun dhe t’ju vijë turp nga këto veprime të pahijshme. Nuk ka durim, nuk ka butësi, e nuk ka shumë të tjera...
Da’ueti selefij ngrihet mbi këto baza: durim, butësi, vetëpërmbajte, e etj. Nëse ndonjëri gabon, nuk refuzohet – Allahu ju bekoftë –, hesht dhe këshilloje ti vetë duke qenë kjo këshillë në mes teje dhe atij. Lërini këto grindje. Kini turp nga Allahu – i Plotfuqishëm e i Madhëruar. Respektojeni njëri-tjetrin. Mos ia prishni imazhin da’uetit selefij me këto grindje të pahijshme. Kini frikë Allahun për vetët tuaja dhe për këtë da’uet.
Lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qoftë për Pejgamberin tonë Muhamedin, familjen e tij dhe shokët e tij.
Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org
Përktheu: Jeton Shasivari
25 Korrik 2015