Autor: Hafidh ibn Rexheb el-Hanbeli
Burimi: Xhami'ul 'uluumi uel hikem, 453
Ka thënë el-Hasen (el-Basrij):
“Njeriu mëkaton, pastaj pendohet dhe i kërkon Allahut falje dhe Ai e fal atë. Por, nuk ia fshin mëkatet prej librit të veprave të tij derisa njeriu të takohet me Allahun dhe ta vë në dijeni për ato mëkate, edhe pse ai është penduar!”
Pas kësaj, Hasen el-Basrij qau aq shumë dhe tha: “Sikur të mos qanim për asgjë tjetër përveç turpit të atij çasti, do të mjaftonte të qanim vetëm për të!”
Ka thënë Bilal ibn Sa'd: “Pa dyshim që Allahu i fal gjunahet, por nuk i fshin ato prej librit të veprave të njeriut edhe nëse ai pendohet, derisa t’ia bëjë me dije ato Ditën e Gjykimit.”
Ka thënë Ebu Hurejrah: “Ditën e Gjykimit, Allahu e afron njeriun afër Vetes së Tij, e mbulon atë me Mbulesën e Tij duke e fshehur prej të gjithë krijesave të tjera, dhe ia paraqet atij librin e veprave të tij brenda asaj Mbulese dhe i thotë: “O biri i Ademit, lexoje librin e veprave të tua!” Ai e lexon atë dhe shikon një vepër të mirë, dhe për shkak të kësaj i ndriçohet fytyra e i gëzohet zemra! Allahu i thotë: “O robi Im, a e di këtë vepër?””
Ai i thotë: Po.
Allahu i thotë: “Ta kam pranuar këtë vepër.” Kështu, ai i bën sexhdeh Allahut.
Më pas Allahu i thotë: “Ngrije kokën dhe kthehu e lexo te libri i veprave të tua!”
Ndërkohë që ai lexon, shikon një mëkat dhe si rrjedhojë i errësohet fytyra, i dridhet zemra, frikësohet tej mase dhe turpërohet prej Zotit të tij aq sa nuk e di askush përveç Atij.
Allahu i thotë: “O robi Im, a e di këtë mëkat?”
Ai i thotë: Po, o Zoti im!
Allahu i thotë: “Unë ta kam falur atë.”
Kështu që ai i bënë sexhdeh, ndërsa krijesat tjera nuk shohin gjë tjetër përveç sexhdes së tij, dhe i thonë njëri-tjetrit: “Lum si ky njeri! Nuk ka bërë asnjë mëkat!” Ata nuk e dinë se çfarë ka ndodhur mes tij dhe Zotit të tij për gjërat që ia bëri me dije.”
Ka transmetuar Ebu Uthman el-Hindij se Selman (el-Farisij) ka thënë: “Ditën e Gjykimit, njeriut do t’i jepet libri i veprave të tij dhe do të lexoj nga fillimi ku do të gjej aty mëkatet e tij! Gati sa nuk kaplon mendimi i keq (se do të dënohet). Pastaj vështron në fund të librit dhe sheh se janë veprat e tij të mira! Pastaj, vështron përsëri në fillim të librit, dhe kur shikon se veprat e tij të këqija janë ndërruar me vepra të mira!”
Përktheu: Servet Mata