Autor: Abdur-Razzak bin Abdul-Muhsin el-Bedër
Mutarrif ibën ‘Abdullah ibën Shikhir, Allahu i Lartësuar e mëshiroftë, – që ishte prej dijetarëve të tabiinëve – pa një njeri që kishte një lloj veshjeje të bukur dhe ecte me mendjemadhësi dhe fodullëk. Ai - Allahu e mëshiroftë - i tha atij: “O robi i Allahut, kjo është ecja e atyre që Allahu i urren.” Ai ia ktheu: “A nuk më njeh ti mua?” Domethënë ky njeri që kishte këtë veshjen e bukur, kishte pamje të bukur dhe ecte me mendjemadhësi, kurse ai i foli me këto fjalë! Pra, ai njeri ia kthen: “A nuk më njeh mua?” Domethënë a nuk e di ti kush jam unë që më flet kështu? Iu përgjigj: “Posi jo, uAllahi unë të njoh ty. Fillimi yt ishte një pikë sperme, e fundi yt do të jetë kufomë e neveritshme, dhe ndërmjet këtyre dy gjendjeve ti transporton fëlliqësira!” Domethënë ti mban në bark jashtëqitje. Kështu, ky njeri u largua dhe e la atë ecjen me mendjemadhësi. Pra, ai e edukoi atë me këtë fjalë.
Prej fjalëve të bukura të selefëve që është me të njëjtën kuptim, është edhe fjala e Hasan el Basrit - Allahu i Lartësuar e mëshiroftë - që ka thënë: "I çuditshëm është biri i Ademit! Bëhet mendjemadh kur dihet që ai ka dalë nga vendi i urinës dy herë: një herë ka dal nga vendi i urinës së babait dhe një herë nga vendi i urinës së nënës së tij."
Pastaj kur rritet e shikon veten si më të lartin prej njerëzve me gradën më të lartë, ecën me mendjemadhësi, duke u mburrur, mendjemadh dhe kryeneç ndaj robërve të Allahut. Nëse do të reflektonte dhe të shikonte mirë realitetin e vetes së tij dhe gjendjes së tij, mendjemadhësia do i ishte larguar. Ka dalë nga vendi i urinës dy herë, herën e parë kur ishte një pikë sperme, kurse përfundimi i tij do jetë gjithashtu në varr, ku do hahet nga toka dhe nga krimbat, e gjithashtu ndërmjet këtyre dy gjendjeve ai mban të fëlliqurat (domethënë në bark mban jashtëqitje).
Një prej selefëve kaloi njëherë pranë një të riu që ecte me mendjemadhësi dhe duke u mburrur. Ai ia preku barkun atij dhe i tha: “Nëse do ta ndjeje prezencën e jashtëqitjeve në barkun tënd, ti nuk do ecje në këtë mënyrë.” Ai ecte me mburrje dhe me mendjemadhësi, duke e parë veten si më të mirin e më të lartin nga të gjithë njerëzit.
Prandaj, nga njerëzit më të urryer tek Allahu janë mendjemëdhenjtë. Do të përmendet në vazhdim se Ditën e Gjykimit ata do të ringjallen sikur milingonat, mendjemëdhenjtë do kenë fytyrën e njeriut, por madhësia dhe forma e tyre do jetë sikur e milingonave. Allahu na ruajtë!
Përktheu: Abdullah Beqiri
Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org