Njeriu duhet të bëjë shok atë që është njeri i besës dhe i sinqertë, ashtu siç kërkon për amanetin e tij njerëz me besë që ta ruajnë amanetin. Dhe ky është një parim shumë i rëndësishëm në zgjedhjen e shokut.
Kur zgjedh një shok, ti i përcjell atij ndjenjat e tua, i jep atij sekretet e tua dhe e afron pranë vetes tënde, prandaj ti duhet të zgjedhësh për shok nga njerëzit që kanë besë dhe sinqeritet. Sepse besniku, edhe nëse ndodh diçka mes jush, ai i fsheh sekretet që di për ty.
Ndërsa ai që nuk ka besë, ndoshta je shoqëruar me të për vite të tëra dhe ai t’i di sekretet e tua më shumë se familja jote. Por ama kur ndodh diçka mes jush, ai fillon që t’i përhapë ato që di për ty. Dhe kjo në kohën tonë është edhe më e dukshme, sidomos nëpër rrjetet sociale.
Ndërsa shoku i sinqertë, është i sinqertë me ty. Nëse ai shikon te ti ndonjë mangësi apo diçka që të shëmton ty, ai të këshillon, të mëson dhe ta sqaron ty. Kurse kedhabi (ai që të mban me gënjeshtra), ndoshta ta zbukuron gjendjen tënde, ndërkohë që ti ke gjëra që të shëmtojnë. Kështu që, kjo është një urtësi pas së cilës duhet të kapemi fortë me dhëmballë.
Përktheu: Abdullah Beqiri