Autor: Muhamed Ibën Salih el-‘Uthejmin
Burimi: Sherh el-'Akijdeh es-Sefarinijeh, fq.21-23
Prandaj, ka thënë Nu’ajm Ibën Hammad el-Khuza’ij – rahimehUllah –, Shejkhu i Bukharit:
“Kush e përngjason Allahun me krijesat e tij ka bërë kufër; kush mohon përshkrimin që ia ka bërë Allahu Vetes së Tij ka bërë kufër; dhe assesi nuk ka përngjasim në përshkrimin që Allahu ia ka bërë Vetes së Tij dhe as në përshkrimin që ia ka bërë Atij i Dërguari i Tij.”[1]
Këtu futet edhe ajo që përhapet nëpër filmat vizatimorë, sepse ata e përngjasojnë Allahun e Plotfuqishëm e të Madhërishëm me një plak të frikshëm që ka pamje irrituese, mjekër të gjatë, trup gjigant, qëndron sipër reve, që lëviz erërat dhe bën çfarë të dojë. Në realitet – dhe Allahun e kam Dëshmitar për këtë që po them – kjo është haptazi promovim i kufrit, sepse fëmija po i pa këto që në vegjëli, atij do t’i bëhet normale kjo gjë në veten e tij, derisa të vdesë, me përjashtim të atyre që i ka mëshiruar Allahu. Ka thënë i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –:
فَأبَوَاهُ يُهَوِّدَانِهِ أوْ يُنَصِّرَانِهِ أوْ يُمَجِّسَانِهِ
“Sepse prindërit e tij do ta bëjnë atë çifut ose do ta bëjnë të krishterë ose do ta bëjnë mexhusij.” [2]
Prandaj unë them se, ata që i shfaqin këto filma për fëmijët e muslimanëve do të japin llogari të rëndë para Allahut në Ditën e Kijametit, sepse ata duan – le të pranojnë ose le të refuzojnë! – që me këto gjëra të devijojnë njerëzit në një devijim të qartë.
Kështu që, detyra që kemi të gjithë ne, përderisa këto filma janë të kësaj natyre, është që të paralajmërojmë anëtarët e familjeve kundër tyre, që të mos bien në këtë sherr të pakapshëm, i cili është më i madh sesa sherri i këngëve dhe gjëra të ngjashme me to, sepse përderisa njeriu me këtë pamje të tmerrshme përngjasohet me Allahun – ‘Azze ue Xhel-le –, atëherë s’ka dyshim që kjo është prej të këqijave më të mëdha – Allahu na ruajttë!
Them gjithashtu: shikoni se si armiqtë e Allahut duan ta poshtërojnë Zotin e Lavdisë dhe Madhërisë me këto gjëra që përhapen shumë shpejt mes njerëzve, njësoj siç përhapet pa u ndjerë zjarri në qymyr, e njësoj siç përhapet pa u ndjerë helmi në trup.
Prandaj, detyra që kemi ne o ju muslimanë, sidomos këtu në vendin tonë (Arabia Saudite), është që të jemi shumë të kujdesshëm dhe syçelë, sepse vendi ynë po sulmohet në akiden, moralin dhe veprat e tij, nga të gjitha anët.
Mos mendo që sulmi është vetëm kur të vjen armiku me ushtritë e tij, me tanket dhe raketat e tij, për të shkatërruar tokat dhe për të vrarë njerëzit, dhe kaq! Përkundrazi, sulmi është pikërisht ky sulm problematik që po depërton mes njerëzve, ndërsa ata nuk po e kuptojnë. Njeriu është qenie humane, banor që përshtatet, largohet nga diçka që sapo e dëgjon për herë të parë, por me kalimin e kohës rehatohet dhe miqësohet me atë gjë nga e cila u largua në fillim, bëhet për të sikur ajo të jetë një gjë normale. Madje, edhe sëmundjet që janë në trup, kur virusi i sëmundjes hyn fillimisht, trupi tkurret, ndikohet dhe ndizet nga ai. Por më mbas, ka të ngjarë që trupi ta përballojë atë.
Sidoqoftë, unë dua nga nxënësit e diturisë që të kryejnë përgjegjësinë që kanë, që t’i paralajmërojnë njerëzit kundër këtyre filmave, për sa kohë që transmetohen këto gjëra, pasi nuk ka njeri që beson në Allahun – ‘Azze ue Xhel-le – që të dyshojë se transmetimi i këtyre filmave do t'i shpjerë fëmijët në mohimin e Allahut – ‘Azze ue Xhel-le – dhe në poshtërimin e Allahut – SubhaneHu ue Te'ala.
Fundnota:
[1] Shiko: Mexhmu’ul-Fetaua, vëll.5/fq.110.
[2] E ka transmetuar Bukhari në Sahihun e tij, libri i Xhenazeve, kapitulli: “Nëse fëmija hyn në Islam dhe pastaj vdes, a i falet xhenazja atij?”, me numër (1358); e ka transmetuar edhe Muslimi në Sahihun e tij, libri i Kaderit, kapitulli: “Kuptimi që çdo fëmijë lind në fitra dhe gjykimi i vdekjes…”, me numër (2658).
Përktheu: Alban Malaj