Burimi: sahab.net
Është pyetur shejkhu i nderuar Salih el-Feuzan, hafidhahullah:
Pyetje: Shejkh i nderuar, Allahu u dhëntë sukses! Cili është kriteri për lodrat e fëmijëve siç janë kukullat dhe lodrat e vajzave që janë në formën e kafshëve apo në formën e njerëzve dhe që mund të jenë prej pellushi apo rrobe. Si të dallojmë midis kukullave të ndaluara dhe atyre të lejuara?
Përgjigje: Lodrat që janë të lejuara nuk janë ato që gjenden sot. Ato që gjenden sot janë të sofistikuara dhe kanë një formë ndryshe nga lodrat e mëparëshme. Lodrat dhe kukullat që gjenden sot janë origjinal imitim i krijesave, madje ato edhe flasin, qeshin, ecin dhe lëvizin, janë ndryshe (nga ato që kanë qënë më përpara). Nuk lejohet që fëmijët të mësohen me këto lodra me të këtillë forme dhe pamje. Ka edhe shumë lodra të tjera që nuk janë me pamje e figura, siç janë makinat e të tjera gjëra të cilat nuk u përngjasojnë krijesave me shpirt.
- Është pyetur shejkh Muhamed bin Salih el-Uthejmin:
Pyetje: Cili është gjykimi i blerjes së kukullave për vajza dhe figurave që gjenden nëpër libra, siç janë figurat e kafshëve dhe shpendëve e të tjera si këto, me të cilat fëmijët kënaqen kur i shohin dhe mësojnë nëpërmjet shikimit në to. Nuk e di, cili është gjykimi rreth tyre?
Përgjigje: Të ashtuquajturat kukulla për fëmijë dhe që janë të formësuara në pamjen e gruas, vajzës apo djalit, ndahen në dy grupe:
- Grupi i parë është i lejuar dhe në të ska diskutim. Këtu hyn ato që po prodhohen kohët e fundit, ku pamja është si një hije, nuk ka as sy, as gojë, as hundë dhe për këtë nuk ka dyshim në lejueshmërinë e saj. Dhe Aisha, radijAllahu anha, ka pasur vajza të këtij lloji me të cilat luante.
- Grupi i dytë janë ato kukulla që prodhohen nga materialet plastike dhe që janë origjinal në pamjen e njeriut, nga sytë, buzët, qerpikët, vetullat, madje disa prej tyre edhe ecin dhe flasin. Për lejueshmërinë e kësaj kategorie ka mendime të ndryshme por nuk tregohem i rreptë në lidhje me këtë, nga hadithi i Aishes se ajo luante me vajza, thuhet se: kjo tregon hapsirë veprimi dhe tolerim ndaj vajzave, veçanërisht sepse ajo me këtë gjen kënaqësi, por megjithëkëtë themi: për aq kohë sa gjendet diçka që i zëvendëson këto (kukullat), nuk duhet të anohet në diçka të dyshimtë, në një kohë që gjendet diçka jo e dyshimtë; ngase Pejgamberi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, ka thënë:
دع ما يريبك إلى ما لا يريبك
“Braktisi gjërat në të cilat ke dyshim dhe vepro me ato në të cilat je i sigurtë”
Ndërsa figurat me kafshë të tjera si kali, luani etj...nuk duhen mbajtur absolutisht dhe në vend të tyre janë makinat prej lodre, traktorë prej lodre e të tjera si këto. Fëmija luan me to ashtu siç luan edhe me kafshët. E nëse nuk ka rrugëzgjidhje tjetër, si psh ti bëhet dhuratë ndonjë prej këtyre kafshëve, atëherë ua pret kokën dhe i lë pa kokë dhe nuk ka gjë të keqe në këtë.
Mexhmu’ul fetaua lish-shejkh Muhammed bin Salih el-Uthejmin, rahimehullah, 4/26.
- Shejkhul Albani thotë:
Tani, a lejohet ajo që bëjnë shumë prej nënave dhe baballarëve që u blejnë vajzave të tyre lodra të cilat vijnë prej vendeve të kufrit dhe që janë prodhuar në atë mënyrë ku pasqyrohen traditat, zakonet dhe morali i tyre?! Kështu psh, sheh imitimin i femrës së veshur me pantallona të shkurtra, i duken kofshët, flokët i ka të shkurtra deri tek veshët. E gjithë kjo është kundërshtim (i fesë), me përjashtim të rastit të cilin e përmendëm më lartë, që këto lodra të bëhen vetë në shtëpi. Për më tepër, ato përbajnë traditat dhe zakonet e atyre vendeve, ku ata fëmijë të cilët luajnë me këto kukulla ndikohen prej tyre e nëse rriten me këto gjëra, do të duan që të vishen me ato veshje me të cilat jetuan kur ishin të vegjël. Dhe nga ky aspekt, nuk lejohet mbajtja e fëmijëve prej lodre dhe lodrave që sot quhen kukulla. Mendoj se me këtë u plotësua përgjigja dhe nuk ka ngelur më gjë.
Përktheu Umm 'Akil