Autor: Muhamed ibën Abdul-Uehhab
Shpjegues: Salih el-Feuzan
Burimi: Sherhu Kitab el-Kebair, fq. 42-45
Kapitulli:
Mendimi i keq për Allahun
Fjala e Allahut të Lartësuar:
﴿ يَظُنُّونَ بِاللَّهِ غَيْرَ الْحَقِّ ظَنَّ الْجَاهِلِيَّةِ ﴾
“Ata mendonin të pavërtetën për Allahun, sikur mendimi i njerëzve të xhahilijetit (mushrikët).” Al-Imran, 154
Dhe fjala tjetër e Allahut të Lartësuar:
﴿وَذَلِكُمْ ظَنُّكُمُ الَّذِي ظَنَنْتُمْ بِرَبِّكُمْ أَرْدَاكُمْ ﴾
“Për shkak të mendimit të keq që patët për Zotin tuaj, Ai ju shkatërroi juve.” Fusilet, 23
Dhe fjala tjetër e Allahut të Lartësuar:
﴿ الظَّانِّينَ بِاللَّهِ ظَنَّ السَّوْءِ عَلَيْهِمْ دَائِرَةُ السَّوْءِ ﴾
“...të cilët mendonin keq për Allahun, ata ka për t’i zënë vorbulla e të keqes.” El-Fet’h, 6
Transmetohet nga hadithi i Ibn Umerit, radijAllahu ‘anhu, se ka thënë: “Më i madhi i mëkateve nga mesi i mëkateve të mëdha është mendimi i keq për Allahun.” Transmeton Ibën Mardaueij (Transmeton Ibën Kethiri në tefsirin e tij, 2/279 dhe e ka forcuar atë).
Transmetohet nga Xhabiri, radijAllahu anhu, se ka thënë: e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, tre ditë para se të vdiste duke thënë: “Askush nga ju të mos vdes pa patur mendim të mirë për Allahun.” Transmeton Muslimi (2877). [1]
Ibën Ebi Dunja solli shtesë në këtë hadith të Muslimit duke thënë: “...sepse një popull, u poshtëruan për shkak të mendimit të keq që kishin për Allahun, dhe Allahu i Madhëruari dhe i Lartësuari, për këtë tha:
﴿وَذَلِكُمْ ظَنُّكُمُ الَّذِي ظَنَنْتُمْ بِرَبِّكُمْ أَرْدَاكُمْ فَأَصْبَحْتُمْ مِنَ الْخَاسِرِينَ﴾
“Për shkak të mendimit të keq që patët për Zotin tuaj, ai ju shkatërroi juve dhe ju u bëtë nga të humburit.” Fusilet, 23 (E ka nxjerrë ibën Ebi Dunja në librin “Husnu Dhanni biLah”, 4 dhe kjo shtesë është në Musnedin e Ahmedit, 15197). [2]
Ata të dy transmetojnë nga Ebu Hurejra se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Allahu i Lartësuar ka thënë: ‘Unë jam ashtu siç mendon robi Im se jam.” (Bukhariu (7405) dhe Muslimi (2675). Imam Ahmedi dhe Ibën Hibbani kanë transmetuar një shtesë: “Nëse ai mendon mirë për Mua, atëherë atij i takon e mira; e nëse mendon keq për Mua, atëherë atij i takon keqja.” (Imam Ahmedi, 9076 dhe Ibën Hibbani në Sahihun e tij, 239) [3]
________________________
[1] Një nga mëkatet e mëdha është edhe mendimi i keq për Allahun dhe kur ky mendim është në agoni të vdekjes. Ai, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Askush nga ju të mos vdes pa patur mendim të mirë për Allahun.” Pra, kjo vlen kur ai është në shtratin e vdekjes, ndërsa sa është gjallë, ai duhet të qëndrojë midis frikë dhe shpresës, të mos e anojë më shumë nga njëra e ta lë tjetrën. E nëse është në agoni të vdekjes, atëherë duhet të ketë më shumë shpresë se sa frikë, sepse koha e veprave ka marrë fund dhe ai s’mund të bëjë më vepra. Në këtë moment, ai duhet të ketë mendim të mirë për Allahun, se Ai do ta falë dhe do ta mëshirojë.
Fjala e të Lartësuarit:
﴿وَذَلِكُمْ ظَنُّكُمُ الَّذِي ظَنَنْتُمْ بِرَبِّكُمْ أَرْدَاكُمْ ﴾
“Për shkak të mendimit të keq që patën për Zotin tuaj, ai ju shkatërroi juve.” Fusilet, 23
Ky ajet u drejtohet pabesimtarëve dhe do të thotë: për shkak të mendimit tuaj se Allahu nuk i di shumë gjëra që i bëni ju, siç janë kufri e shirku, mu për shkak të këtij mendimi Ai u shkatërroi juve dhe ju u bëtë nga të humburit, ngase menduat se Allahu nuk di, nuk shikon dhe nuk përgjigjet. Ky ishte abuzim nga ana e tyre me të drejtën e Allahut.
Fjala e Tij, të Lartësuarit:
﴿ الظَّانِّينَ بِاللَّهِ ظَنَّ السَّوْءِ عَلَيْهِمْ دَائِرَةُ السَّوْءِ ﴾
“...këta të cilët mendonin keq për Allahun, ka për t’i zënë vorbulla e të keqes.” El-Fet’h, 6
Ky ajet lidhet me ndodhinë kur Pejgamberi, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, u nis për në betejë, munafikët nuk u nisën me të duke menduar se Muslimanët nuk do të kthehen më nga beteja, siç ka thënë i Lartësuari:
﴿بَلْ ظَنَنْتُمْ أَنْ لَنْ يَنْقَلِبَ الرَّسُولُ وَالْمُؤْمِنُونَ إِلَى أَهْلِيهِمْ أَبَدًا ﴾
“Madje, ju menduat se i Dërguari dhe besimtarët nuk do të kthehen më te familjet e tyre.” el-Fet’h, 12
Kur i Dërguari, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, dhe shokët e tij u kthyen fitimtarë, atëherë munafikët erdhën të arsyetohen duke thënë:
﴿ شَغَلَتْنَا أَمْوَالُنَا وَأَهْلُونَا فَاسْتَغْفِرْ لَنَا يَقُولُونَ بِأَلْسِنَتِهِمْ مَا لَيْسَ فِي قُلُوبِهِمْ ﴾
“(Munafikat thanë): “Ne ishim të zënë me pasurinë dhe familjet tona, prandaj lutju Allahut që të na falë!” Ata thonë me gjuhën e tyre atë që nuk e kanë në zemrat e tyre.” el-Fet’h, 11
Pastaj Allahu në fund të këtij ajeti tha:
﴿ بَلْ كَانَ اللَّهُ بِمَا تَعْمَلُونَ خَبِيرًا﴾
“Por, Allahu e di atë që po bënit ju.” El-Fet’h, 11
Pra, ata thonin se pasuria dhe fëmijët i angazhuan dhe i penguan nga dalja bashkë me të Dërguarin, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem. Pastaj, për ata që nuk dolën në betejë dhe iu arsyetuan të Dërguarit, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, Allahu tha se ajo që i pengoi munafikët ishte mendimi i keq për Allahun, se Ai nuk do ta ndihmojë të Dërguarin e Tij:
﴿بَلْ ظَنَنْتُمْ أَنْ لَنْ يَنْقَلِبَ الرَّسُولُ وَالْمُؤْمِنُونَ إِلَى أَهْلِيهِمْ أَبَدًا ﴾
“Madje, ju menduat se i Dërguari dhe besimtarët nuk do të kthehen më te familjet e tyre.” el-Fet’h, 12
Do me thënë: ju e dëshironit shkatërrimin e të Dërguarit dhe të shokëve të tij, dhe besonit se ata nuk do të kthehen shëndoshë e mirë; ju donit që armiku i tyre t’i shpartallonte ata. Pra, ky ishte mendim i keq nga ana e tyre dhe ata u bënë nga mesi i njerëzve të humbur. Allahu sqaroi se ajo që i pengoi nga xhihadi ishte mendimi i keq për Allahun e Lartësuar dhe menduan se i Dërguari, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, dhe Sahabët nuk do t’i mund t’i luftonin pabesimtarët dhe t’i mposhtnin ata; dhe se ata me numrin e vogël që kishin, askush prej tyre s’do të kthehej në shtëpi.
Nga kjo kuptuam se mendimi i keq për Allahun është një nga mëkatet e mëdha, andaj Muslimani duhet që gjithmonë të ketë mendim të mirë për Allahun dhe sado që të jenë të mëdha të këqijat dhe mëkatet e tij, njeriu duhet patjetër të kuptojë se dera e pendimit është e hapur dhe se Allahu e pranon pendimin e njeriut nëse ai pendohet dhe ka mendim të mirë për Zotin e tij dhe se rrugëdalja është afër.
Ky hadith paralajmëron që njeriu të mos i humb shpresat në mëshirën e Allahut të Lartësuar dhe të mos i humb shpresat në faljen e Tij. Ky hadith të nxit që të kesh shpresë sidomos kur të është afruar vdekja dhe kur ke vështirësi dhe fatkeqësi.
[2] Një prej mëkateve të mëdha është: mendimi i keq për Allahun dhe me këtë cilësi Allahu i ka përshkruar Munafikët në më shumë se një ajet; ka përmendur se shejtani futet në disa zemra të sëmura duke u pëshpëritur atyre se Allahu nuk ia do të mirën robit të Tij dhe se Ai do të ndëshkojë atë e nuk do ta pranojë pendimin e Tij, si dhe shumë vesvese me të cilat shejtani i devijon disa njerëz me zemra të sëmura, kështu i dëshpëron njerëzit nga mëshira e Allahut dhe i bënë ata që t’i humbin shpresat në mëshirën e Allahut. Kjo konsiderohet një nga mëkatet e mëdha të zemrës dhe me këtë Allahu i ka përshkruar munafikët dhe pabesimtarët. Ai ka thënë:
﴿ يَظُنُّونَ بِاللَّهِ غَيْرَ الْحَقِّ ظَنَّ الْجَاهِلِيَّةِ ﴾
“Ata mendonin të pavërtetën për Allahun, sikur mendimi i njerëzve të xhahilijes (mushrikët).” Al-Imran, 154
Siç ndodhi në betejën e Uhudit, ku Muslimanët patën vështirësi shumë të rëndë dhe një numër i madh i tyre ranë shehid dhe munafikët mendonin se ky është fundi i Muslimanëve dhe se Allahu nuk do t’i ndihmojë të Dërguarin dhe Sahabët e tij dhe se Islami do të marrë fund. Pra, ky ishte mendimi i tyre për Allahun e që është mendimi i xhahilijetit.
Allahu i Lartësuar thotë në Suren el-Fet’h:
﴿وَيُعَذِّبَ الْمُنَافِقِينَ وَالْمُنَافِقَاتِ وَالْمُشْرِكِينَ وَالْمُشْرِكَاتِ الظَّانِّينَ بِاللَّهِ ظَنَّ السَّوْءِ عَلَيْهِمْ دَائِرَةُ السَّوْءِ وَغَضِبَ اللَّهُ عَلَيْهِمْ وَلَعَنَهُمْ وَأَعَدَّ لَهُمْ جَهَنَّمَ وَسَاءَتْ مَصِيرًا﴾
“Ai i ndëshkon munafikët dhe munafiket, mushrikët dhe mushriket të cilët mendojnë keq për Allahun, të cilët mendonin keq për Allahun, ata ka për t’i zënë vorbulla e të keqes.” El-Fet’h, 6
Dhe Ai, i Pastri nga çdo mangësi, ka thënë:
﴿بَلْ ظَنَنْتُمْ أَنْ لَنْ يَنْقَلِبَ الرَّسُولُ وَالْمُؤْمِنُونَ إِلَى أَهْلِيهِمْ أَبَدًا وَزُيِّنَ ذَلِكَ فِي قُلُوبِكُمْ وَظَنَنْتُمْ ظَنَّ السَّوْءِ وَكُنْتُمْ قَوْمًا بُورًا﴾
“Madje, ju menduat se i Dërguari dhe besimtarët nuk do të kthehen më te familjet e tyre dhe kjo gjë qe zbukuruar në zemrat tuaja dhe menduat të keqen dhe kështu ju u bëtë popull i shkatërruar dhe i humbur ” el-Fet’h, 12
Munafikët dhe munafiket menduan se i Dërguari, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, dhe Sahabët e tij, nuk do të ktheheshin më te familjet e tyre pasi që ishin nisur për në luftë, për këtë ata u zmbrapsën dhe nuk morën pjesë në luftë. Por, kur Allahu i ndihmoi të Dërguarin dhe Sahabët të cilët u kthyen triumfues, munafikët erdhën tek i Dërguari, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, duke gjetur arsye para tij se ata i angazhoi pasuria, fëmijët dhe familjet e tyre dhe thanë ashtu siç thotë Allahu për ta:
﴿ شَغَلَتْنَا أَمْوَالُنَا وَأَهْلُونَا فَاسْتَغْفِرْ لَنَا يَقُولُونَ بِأَلْسِنَتِهِمْ مَا لَيْسَ فِي قُلُوبِهِمْ ﴾
“(Munafikat thanë): “Neve ishim të zëmë me pasuritë dhe familjet tona, prandaj lutju Allahut që të na falë!” Ata thonë me gjuhën e tyre atë që nuk e kanë në zemrat e tyre.” el-Fet’h, 11
Pra, ky ishte mendimi i munafikëve.
Kurse besimtari ka mendim të mirë për Allahun. Sado që besimtari të këtë vështirësi, ai nuk i humb shpresat në mëshirën e Allahut sepse e di që mëshira e Tij është e gjerë; e di se kjo fatkeqësi që e ka gjetur, është sprovë nga Allahu për të. Kështu është besimtari: sa më shumë që i shtohen vështirësitë, ai ka më shumë shpresa në Allahun. Prandaj, i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, ka thënë:
واعلمْ أنَّ النصرَ معَ الصبرِ وأنَّ الفرجَ معَ الكربِ وأنَّ معَ العسرِ يسرًا
“Dije se pas durimit vjen ndihma, pas fatkeqësisë vjen rrugëdalja dhe pas vështirësisë vjen lehtësimi.” (Imam Ahmedi, 2703 dhe Taberanij në ‘el-Kebir”, 11243).
Besimtari është gjithmonë kështu. Besimtarit i shtohet besimi në Allahun sa herë që i shtohet fatkeqësia, i ngushtohen rrugët dhe i sulen armiqtë. Ai nuk dëshpërohet asnjëherë.
Besimtari kur bën mëkate dhe gabime, pendohet dhe ka mendim të mirë për Allahun, se Ai e pranon pendimin e tij dhe e falë atë për maketet që ka bërë. Për këtë arsye, i Lartësuari ka thënë:
﴿قُلْ يَا عِبَادِيَ الَّذِينَ أَسْرَفُوا عَلَى أَنْفُسِهِمْ لَا تَقْنَطُوا مِنْ رَحْمَةِ اللَّهِ إِنَّ اللَّهَ يَغْفِرُ الذُّنُوبَ جَمِيعًا إِنَّهُ هُوَ الْغَفُورُ الرَّحِيمُ﴾
“O ju robërit e Mi që i keni bërë dëm vetes, mos i humbni shpresat në mëshirën e Allahut. Vërtet Allahu i falë të gjitha mëkatet. Pa dyshim se ai është Falësi i madh, Mëshiruesi.” Ez-Zumer, 53
Sepse, sado i madh që të jetë mëkati, besimtari e di që falja e Allahut është shumë më e madhe. Nëse Muslimani pendohet, Allahu ia pranon pendimin e çfarëdolloj mëkati, madje nëse pendohet edhe ai që nuk është Musliman dhe hyn në Islam, Allahu e pranon pendimin e tij dhe e fut atë në mëshirën e Tij.
Andaj, besimtari nuk duhet të dëshpërohet nga rrugëdalja prej fatkeqësive, apo të dëshpërohet duke menduar se nuk do të falet pasi që është penduar. Nëse Muslimanit i afrohet vdekja, ai duhet të ketë mendim të mirë për Zotin e tij dhe të mos i humb shpresat nga mëshira e Allahut, apo që të ketë më shumë frikë nga Zjarri në agoni të vdekjes.
Kështu është gjendja e besimtarit gjithmonë, qoftë kur është në agoni të vdekjes apo kur e kaplojnë fatkeqësitë apo vështirësitë, apo kur ka bërë disa gjynahe, ai e ka detyrë që të ketë shpresa të mëdha në Allahun e Lartësuar.
Kurse pabesimtarët dhe munafikët e bëjnë të kundërtën e besimtarit, sepse ata kanë mendim të keq për Zotin e tyre. Për këtë arsye, Allahu do t’i qortojë pabesimtarët Ditën e Kijametit kur do t’i fus ata në Xhehenem duke u thënë:
﴿ وَلَكِنْ ظَنَنْتُمْ أَنَّ اللَّهَ لَا يَعْلَمُ كَثِيرًا مِمَّا تَعْمَلُونَ وَذَلِكُمْ ظَنُّكُمُ الَّذِي ظَنَنْتُمْ بِرَبِّكُمْ أَرْدَاكُمْ فَأَصْبَحْتُمْ مِنَ الْخَاسِرِينَ﴾
“...por ju menduat se Allahu nuk i di shumë gjëra që ju i bënit, dhe për shkak të mendimit të keq që patët për Zotin tuaj, ai ju shkatërroi juve dhe ju u bëtë nga të humburit.” Fusilet, 22-23
Ata mendonin se Allahu nuk i di veprat e kufrit dhe ligësisë që bënin ata, kështu ata u zhytën në kufër dhe kalim të kufijve, ngaqë mendonin se Allahu i Lartësuar nuk i sheh veprat e tyre dhe se këto vepra harrohen dhe mbarojnë. Besimtari nuk mendon kështu. Ai e di se Allahu di çdo gjë dhe e di se Allahu dëgjon dhe shikon. Kështu që, besimtari e di se Allahu e vështron atë, ngase Allahu di çdo gjë dhe për këtë arsye besimtari largohet nga mëkatet dhe i shton veprat e mirë. Kjo është si rrjedhojë e frikës që ka nga Allahu dhe se Ai e vështron atë.
Gjë që është e kundërta me pabesimtarët, të cilët mendojnë se Allahu është i pavëmendshëm ndaj tyre dhe se për veprat e tyre nuk do të merren në llogari, por Allahu i refuzoi ata me fjalën e Tij:
﴿يَوْمَ يَبْعَثُهُمُ اللَّهُ جَمِيعًا فَيُنَبِّئُهُمْ بِمَا عَمِلُوا أَحْصَاهُ اللَّهُ وَنَسُوهُ وَاللَّهُ عَلَى كُلِّ شَيْءٍ شَهِيدٌ﴾
“Në ditën, kur Allahu do t’i ringjallë të gjithë ata dhe do t’i njoftojë për veprat që kanë bërë. Allahu i ka llogaritur të gjitha, kurse ata i kanë harruar. Allahu është Dëshmitar i çdo gjëje.” El-Muxhadeleh, 6
Pra, Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar, i mbikëqyr ata vazhdimisht, e vëzhgon gjendjen e tyre dhe Ai di çdo gjë. Për këtë arsye, Pejgamberi, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, ka thënë:
اتَّقِ اللَّهَ حَيْثُمَا كُنْتَ
“Ki frikë Allahun kudo që të jesh!”
(Transmetojnë Imam Ahmedi, 21354 dhe Tirmidhiu 1987).
Po ashtu, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, ka thënë:
الإِحْسَانُ أَنْ تَعْبُدَ اللَّهَ كَأَنَّكَ تَرَاهُ، فَإِنْ لَمْ تَكُنْ تَرَاهُ فَإِنَّهُ يَرَاكَ
“Ihsani (Përpikmëria në adhurim) është që ta adhurosh Allahun sikur ti e sheh Atë. Edhe pse ti nuk e sheh Atë, Ai të sheh ty.” Transmetojnë Bukhariu, 50, dhe Muslimi, 9.
Nëse ti nuk e ke mbërritur gradën e jekinit (bindjes së thellë) sikur ti e sheh Allahun me sy, e cila gradë është e para, atëherë dije se Allahu të sheh ty, dhe kjo është grada e dytë.
Ky është ihsani (përpikmëria dhe përvetësimi i adhurimit) midis robit dhe Zotit të tij; robi sikur e sheh Allahun, e Plotfuqishëm e të Madhëruar, përmes emrave, cilësive dhe begative të Tij, kjo për shkak të fuqisë që ka bindja e thellë e besimtarit. Pra, besimtari nuk e sheh Atë në këtë botë me sytë e tij, porse e “sheh” Atë me diturinë që ka. Kur besimtari e “sheh” Atë me diturinë e tij, është sikur ta ketë parë Atë me sy. Përderisa ai nuk mund ta arrijë këtë gradë (që ta shoh Allahun në dunja), le ta dijë se Allahu e sheh atë. Edhe kjo është prej ihsanit, porse është poshtë gradës së parë.
[3] Ky është hadith madhështor, ku Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar, thotë në një hadith kudsij: “Unë jam ashtu siç mendon robi Im se jam.” Nëse ai mendon mirë, Ai i jep të mirën, e nëse ai mendon keq, Ai i jep të keqen. Pra, shpërblimi varet nga lloji i veprës.
Ai që mendon se Allahu nuk do t’ia pranojë pendimin, do të ndëshkohet dhe se patjetër do të jetë nga banorët e Zjarrit, Allahu do ta shpërblejë atë në bazë të këtij mendimi, sepse ai pati mendim të keq për Zotin e tij. Kurse ai që ka mendim të mirë për Zotin e tij dhe ka bindje të thellë se Allahu do t’ia falë gjynahet e tij, atëherë Allahu do të veprojë në varësi të mendimit të tij.
Kuptimi i këtij hadithi është: se Allahu e trajton robin në bazë të mendimit që ka për Të dhe vepron me të në bazë të asaj që ai pret, qoftë mirë apo keq. Qëllimi i hadithit është: nxitja e njeriut që të ketë shpresa në mëshirën e Allahut po aq sa edhe frikë si dhe të ketë mendim të mirë për Allahun. Po ashtu, hadithi paralajmëron kundër dëshpërimit dhe humbjes së shpresave nga mëshira e Allahut dhe nxit të kemi shpresa në Allahun.
Përktheu: Jeton Shasivari