Autor: Muhamed ibën Abdul-Uehhab
Shpjegues: Shejkh Salih el-Feuzan
Burimi: Sherhu Kitab el-Kebair, fq. 77-82
Shejkh Muhamed ibën Abdul-Uehhabi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
Fjala e Allahut të Lartësuar:
﴿فَبِمَا نَقۡضِهِم مِّيثَٰقَهُمۡ لَعَنَّٰهُمۡ وَجَعَلۡنَا قُلُوبَهُمۡ قَٰسِيَةٗۖ يُحَرِّفُونَ ٱلۡكَلِمَ عَن مَّوَاضِعِهِۦ ﴾
“Për shkak se ata e thyen marrëveshjen e tyre, Ne i mallkuam ata dhe i bëmë zemrat e tyre të ashpra. Ata i shtrembërojnë fjalët nga përmbajtja e tyre.” El-Maideh, 13 [1]
Fjala e Allahut të Lartësuar:
﴿ٱللَّهُ نَزَّلَ أَحۡسَنَ ٱلۡحَدِيثِ كِتَٰبٗا مُّتَشَٰبِهٗا مَّثَانِيَ تَقۡشَعِرُّ مِنۡهُ جُلُودُ ٱلَّذِينَ يَخۡشَوۡنَ رَبَّهُمۡ ثُمَّ تَلِينُ جُلُودُهُمۡ وَقُلُوبُهُمۡ إِلَىٰ ذِكۡرِ ٱللَّهِۚ ﴾
“Allahu ka zbritur fjalën më të mirë në një libër, pjesët e të cilit i përngjasojnë njëra-tjetrës dhe përsëriten. Prej tij u rrëqethet lëkura atyre që i frikësohen Zotit të tyre, pastaj lëkurat dhe zemrat e tyre qetësohen me përmendjen e Allahut.” Ez-Zumer, 23 [2]
Fjala e Allahut të Lartësuar:
﴿۞أَلَمۡ يَأۡنِ لِلَّذِينَ ءَامَنُوٓاْ أَن تَخۡشَعَ قُلُوبُهُمۡ لِذِكۡرِ ٱللَّهِ وَمَا نَزَلَ مِنَ ٱلۡحَقِّ ﴾
“A nuk ka ardhur koha për ata që besojnë, që zemrat e tyre të frikësohen me përmendjen e Allahut dhe para të vërtetës që Ai ka zbritur.” El-Hadid, 16 [3]
Transmetohet nga Ibën Amri, radijAllahu anhu, se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Mëshironi të tjerët, që edhe ju të mëshiroheni! Falni të tjerët, që Allahu t’ju falë juve! Mjerë për ata që janë si puna hinkës që përcjellin vetëm fjalë. Mjerë për këmbëngulësit të cilën këmbëngulin në atë që kanë bërë duke e ditur.” Transmetojnë Ahmedi (6541) dhe Bejhakiu në librin “Shu’uabul-Iman (7236). [4]
Ka ardhur një hadith te Tirmidhiu nga Abdullah ibën Umeri i cili thotë: “Mos flisni shumë pa e përmendur Allahun, sepse e folura e tepërt pa e përmendur Allahun, e ashpërson zemrën. Zemrat më larg Allahut janë zemrat e ashpra.” El-Kadaij në Musned esh-Shihab (853). [5]
Transmetojnë ata dy nga Xheriri, radijAllahu anhu, se ka thënë: “Ai që nuk i mëshiron njerëzit, as Allahu nuk e mëshiron atë.” Transmetojnë Bukhariu (6018) dhe Muslimi (47). [6]
__________________________________
Shejkh Salih el-Feuzan thotë:
[1] Autori vazhdon të përmend mëkatet e mëdha të zemrës, ku një ndër to është edhe vrazhdësia e zemrës, e që është një mëkat i madh. Zemra është mbreti i trupit, siç ka thënë ai, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem:
، أَلاَ وَإِنَّ فِي الْجَسَدِ مُضْغَةً إِذَا صَلَحَتْ صَلَحَ الْجَسَدُ كُلُّهُ، وَإِذَا فَسَدَتْ فَسَدَ الْجَسَدُ كُلُّهُ. أَلاَ وَهِيَ الْقَلْبُ
“Në trupin e njeriut është një copë mishi, nëse ajo përmirësohet, atëherë përmirësohet i tërë trupi. E nëse ajo prishet, atëherë prishet i tërë trupi. Ajo copë mishi është zemra.” Transmetojnë Bukhariu (52) dhe Muslimi (1599).
Nëse zemra zbutet duke e përmendur Allahun, atëherë do të ‘zbuten’ edhe gjymtyrët e tij dhe do të nisen drejt punëve të mira. E nëse zemra është e ashpër, atëherë kjo zemër do të lë gjurmë në të gjitha gjymtyrët duke i bërë ato të ashpra, të ngurta dhe të plogështa ndaj bindjes së Allahut.
Zemra mund të ashpërsohet dhe të bëhet më e ngurtë se guri. Allahu i Lartësuar thotë
﴿ثُمَّ قَسَتۡ قُلُوبُكُم مِّنۢ بَعۡدِ ذَٰلِكَ فَهِيَ كَٱلۡحِجَارَةِ أَوۡ أَشَدُّ قَسۡوَةٗۚ وَإِنَّ مِنَ ٱلۡحِجَارَةِ لَمَا يَتَفَجَّرُ مِنۡهُ ٱلۡأَنۡهَٰرُۚ وَإِنَّ مِنۡهَا لَمَا يَشَّقَّقُ فَيَخۡرُجُ مِنۡهُ ٱلۡمَآءُۚ وَإِنَّ مِنۡهَا لَمَا يَهۡبِطُ مِنۡ خَشۡيَةِ ٱللَّهِۗ وَمَا ٱللَّهُ بِغَٰفِلٍ عَمَّا تَعۡمَلُونَ٧٤﴾
“Pastaj zemrat e tyre u ngurtësuan pas saj (mohimit të argumenteve) dhe u bënë sikur gurët apo edhe më të forta. Ka gurë prej të cilëve burojnë lumenj. Ka gurë të cilët çahen dhe prej tyre buron ujë; ka gurë të cilët rrëzohen nga frika që kanë prej Allahut. Vërtet Allahu nuk është i pavëmendshëm ndaj asaj që punoni ju.” El-Bekare, 74
Pra, zemra është më e ngurtë se guri nëse nuk e përmend Allahun. Ngurtësia e zemrës ka disa shkaqe disa prej të cilave do të përmenden në vazhdim.
Allahu i Lartësuar ka thënë:
﴿لَوۡ أَنزَلۡنَا هَٰذَا ٱلۡقُرۡءَانَ عَلَىٰ جَبَلٖ لَّرَأَيۡتَهُۥ خَٰشِعٗا مُّتَصَدِّعٗا مِّنۡ خَشۡيَةِ ٱللَّهِۚ ﴾
“Nëse këtë Kuran do t’ia kishim zbritur një mali, do ta kishe parë atë të përulur dhe të copëtuar nga frika prej Allahut.” El-Hashr, 21
Pra, leximi i Kuranit duke medituar rreth tij, e zbut zemrën. Por, nëse zemra largohet nga meditimi rreth këtij Kurani dhe nuk përpiqet që ta kuptojë atë, atëherë zemra ngurtësohet. Nëse Allahu do t’i drejtohej malit duke i folur me këtë Kuran, do të shikoje se mali do të përulej dhe do të thyhej nga frika që ka prej Allahut. Kurse zemra e birit të Ademit është më e ngurtë dhe më e ashpër se mali.
Pra, ky është qëllimi me këtë kapitull këtu: paralajmërimi kundër zemrës së ashpër e të ngurtë dhe thirrja që të bëhen shkaqet për t’u zbutur zemrat.
Një ndër shkaqet më të mëdha për zbutjen e zemrave është: leximi i Kuranit duke medituar rreth tij dhe duke qenë i përqendruar. Vërtet ky Kuran i zbut zemrat.
Një ndër shkaqet e ashpërsimit të zemrës është: thyerja e marrëveshjes me Allahun. Allahu i Lartësuar thotë:
﴿۞أَلَمۡ أَعۡهَدۡ إِلَيۡكُمۡ يَٰبَنِيٓ ءَادَمَ أَن لَّا تَعۡبُدُواْ ٱلشَّيۡطَٰنَۖ إِنَّهُۥ لَكُمۡ عَدُوّٞ مُّبِينٞ٦٠﴾
“O bijtë e Ademit a nuk bëra marrëveshje me ju që mos të adhuroni shejtanin, vërtet ai është armiku juaj i hapur.” Jasin, 60
Gjithashtu ka thënë:
﴿وَإِذۡ أَخَذَ رَبُّكَ مِنۢ بَنِيٓ ءَادَمَ مِن ظُهُورِهِمۡ ذُرِّيَّتَهُمۡ وَأَشۡهَدَهُمۡ عَلَىٰٓ أَنفُسِهِمۡ أَلَسۡتُ بِرَبِّكُمۡۖ قَالُواْ بَلَىٰ شَهِدۡنَآۚ أَن تَقُولُواْ يَوۡمَ ٱلۡقِيَٰمَةِ إِنَّا كُنَّا عَنۡ هَٰذَا غَٰفِلِينَ١٧٢﴾
“Kur Zoti yt nxori nga kurrizi i bijve të Ademit pasardhësit e tyre dhe i bëri të dëshmojnë kundër vetes së tyre duke u thënë: ‘A nuk jam Unë Zoti juaj?’ Ata thanë: ‘Po, dëshmojmë se Ti je (Zoti ynë).’ Në mënyrë që mos të thonë Ditën e Kiametit: ‘Këtë gjë nuk e kemi ditur.’” El-Araf, 172
Pra, Allahu mori besën nga bijtë e Ademit pasi që i nxori të gjithë nga kurrizi i babait të tyre të cilët ngjanin sikur të ishin milingona, pastaj mori besën nga ata që të adhurojnë vetëm Allahun dhe të mos i bëjnë atij ortak në adhurim. Ai që adhuron diçka tjetër në vend të Allahut, e ka tradhtuar këtë marrëveshje dhe e ka thyer besën e dhënë. Kjo është e ngjashme me atë që ka përmendur Allahu për Bijtë e Israilit:
﴿۞وَلَقَدۡ أَخَذَ ٱللَّهُ مِيثَٰقَ بَنِيٓ إِسۡرَٰٓءِيلَ وَبَعَثۡنَا مِنۡهُمُ ٱثۡنَيۡ عَشَرَ نَقِيبٗاۖ وَقَالَ ٱللَّهُ إِنِّي مَعَكُمۡۖ لَئِنۡ أَقَمۡتُمُ ٱلصَّلَوٰةَ وَءَاتَيۡتُمُ ٱلزَّكَوٰةَ وَءَامَنتُم بِرُسُلِي وَعَزَّرۡتُمُوهُمۡ وَأَقۡرَضۡتُمُ ٱللَّهَ قَرۡضًا حَسَنٗا لَّأُكَفِّرَنَّ عَنكُمۡ سَئَِّاتِكُمۡ وَلَأُدۡخِلَنَّكُمۡ جَنَّٰتٖ تَجۡرِي مِن تَحۡتِهَا ٱلۡأَنۡهَٰرُۚ فَمَن كَفَرَ بَعۡدَ ذَٰلِكَ مِنكُمۡ فَقَدۡ ضَلَّ سَوَآءَ ٱلسَّبِيلِ١٢ ﴾
“Allahu e mori besëlidhjen nga Bijtë e Israelit dhe nga mesi i tyre caktuam dymbëdhjetë mbikëqyrës, dhe u tha: “Unë jam me ju! Në qoftë se ju e kryeni namazin, e jepni zekatin, besoni të dërguarit e Mi, i ndihmoni ata dhe i jepni hua Allahut (do të jepni për bamirësi), atëherë Unë me siguri do t’ua shlyej gjynahet tuaja dhe do t’ju fus në Xhenete nëpër të cilat rrjedhin lumenj.” El-Maide, 12
Pas këtij ajeti, Allahu thotë:
﴿فَبِمَا نَقۡضِهِم مِّيثَٰقَهُمۡ ﴾
“Për shkak se ata e thyen besëlidhjen...” el-Maideh, 13
Për shkak të kësaj mangësie, pra thyerjes së besëlidhjes, atyre u ndodhën dy gjëra:
💠 E para: Allahu i mallkoi ata.
Pra, i largoi dhe përjashtoi ata nga mëshira e Tij. Ky ishte dënimi i parë kundër tyre meqë e thyen besëlidhjen, kështu Allahu i mallkoi. Andaj, ata që ishin pabesimtarë nga mesi i Bijve të Israilit, ishin të mallkuar.
Allahu i Lartësuar ka thënë:
﴿لُعِنَ ٱلَّذِينَ كَفَرُواْ مِنۢ بَنِيٓ إِسۡرَٰٓءِيلَ عَلَىٰ لِسَانِ دَاوُۥدَ وَعِيسَى ٱبۡنِ مَرۡيَمَۚ ذَٰلِكَ بِمَا عَصَواْ وَّكَانُواْ يَعۡتَدُونَ٧٨﴾
“Ata që mohuan nga Bijtë e Israilit, u mallkuan nga gjuha e Daudit dhe Isait, të birit të Merjemes. Për arsye se ata ishin të pabindur dhe i kalonin kufijtë.” El-Maideh, 78
Ndërkaq besimtarët që ishin nga mesi i Bijve të Israilit, ishin të devotshëm dhe Allahu i lavdëroi ata duke thënë:
﴿۞لَيۡسُواْ سَوَآءٗۗ ﴾
“Nuk janë të njëjtë...” al-Imran, 113
Kjo refuzon ata të cilët thonë “Mos i mallkoni Jehudët dhe të Krishterët.” Ndërsa Allahu është Ai i Cili i ka mallkuar më përpara, duke thënë:
﴿فَبِمَا نَقۡضِهِم مِّيثَٰقَهُمۡ لَعَنَّٰهُمۡ وَجَعَلۡنَا قُلُوبَهُمۡ قَٰسِيَةٗۖ ﴾
“Për shkak se ata e thyen marrëveshjen e tyre, ne i mallkuam ata dhe i bëmë zemrat e tyre të ashpra.” El-Maideh, 13
Meqë ata e thyen besëlidhjen dhe marrëveshjen me Allahun, zemrat e tyre u bënë të ngurta. Nëse ata do ta kishin mbajtur besëlidhjen e tyre me Allahun, zemrat e tyre do të ishin zbutur. Kjo nuk vlen vetëm për Bijtë e Israelit, por kjo vlen për të gjithë që bëjnë vepra sikur Jehudët, qofshin ata Muslimanë apo jo-Muslimanë.
💠 E dyta: Allahu i bëri zemrat e tyre të ngurta e të vrazhda.
Ai tha:
﴿فَبِمَا نَقۡضِهِم مِّيثَٰقَهُمۡ لَعَنَّٰهُمۡ وَجَعَلۡنَا قُلُوبَهُمۡ قَٰسِيَةٗۖ يُحَرِّفُونَ ٱلۡكَلِمَ عَن مَّوَاضِعِهِۦ ﴾
“Për shkak se ata e thyen besëlidhjen e tyre, ne i mallkuam ata dhe i bëmë zemrat e tyre të ashpra. Ata i shtrembërojnë fjalët nga përmbajtja e tyre.” El-Maideh, 13
Kështu, ata nuk i marrin këshillat dhe porositë për shkak se zemrat e tyre janë bërë të ashpra dhe të ngurta. Pra, thyerja e marrëveshjes e bën zemrën të ngurtë.
[2] Fjala e Allahut që thotë:
﴿ٱللَّهُ نَزَّلَ أَحۡسَنَ ٱلۡحَدِيثِ كِتَٰبٗا مُّتَشَٰبِهٗا مَّثَانِيَ ﴾
“Allahu ka zbritur fjalën më të mirë në një libër, pjesët e të cilit i përngjasojnë njëra-tjetrës dhe përsëriten” Ez-Zumer, 23
Fjala e Tij “pjesët e të cilit i përngjasojnë” do të thotë i përngjasojnë në bukuri, hijeshi dhe thënien e të vërtetës.
Fjala e Tij “përsëriten” do të thotë se Allahu i ka përsëritur në të këshillat dhe historitë e ndryshme me qëllim që të zbuten zemrat. “Prej tij u rrëqethet lëkura atyre që i frikësohen Zotit të tyre”.
Kurse ata që nuk e kanë frikë Zotin e tyre, Kurani u lexohet atyre, por nuk lë kurrfarë gjurme tek ata.
Kurani i zbut zemrat dhe argument për këtë është fjala ku thotë:
﴿ ثُمَّ تَلِينُ جُلُودُهُمۡ وَقُلُوبُهُمۡ إِلَىٰ ذِكۡرِ ٱللَّهِۚ ﴾
“...pastaj lëkurat dhe zemrat e tyre qetësohen me përmendjen e Allahut.” Ez-Zumer, 23
Kjo tregon se nëse Kurani lexohet me meditim dhe me gjithë zemër, kjo e zbut zemrën. Kjo është e ngjashme me ajetin tjetër ku Ai, i Pastri nga çdo mangësi, thotë:
﴿إِنَّمَا ٱلۡمُؤۡمِنُونَ ٱلَّذِينَ إِذَا ذُكِرَ ٱللَّهُ وَجِلَتۡ قُلُوبُهُمۡ ﴾
“Besimtarë janë ata të cilët kur përmendet Allahu, zemrat e tyre dridhen nga frika.” El-Enfal, 3
Pra, përmendja e Allahut i zbut zemrat, kurse shkujdesja duke mos e përmendur emrin e Tij, kjo e ashpërson zemrën. Pastaj Ai tha:
﴿إِنَّمَا ٱلۡمُؤۡمِنُونَ ٱلَّذِينَ إِذَا ذُكِرَ ٱللَّهُ وَجِلَتۡ قُلُوبُهُمۡ وَإِذَا تُلِيَتۡ عَلَيۡهِمۡ ءَايَٰتُهُۥ زَادَتۡهُمۡ إِيمَٰنٗا وَعَلَىٰ رَبِّهِمۡ يَتَوَكَّلُونَ٢ ٱلَّذِينَ يُقِيمُونَ ٱلصَّلَوٰةَ وَمِمَّا رَزَقۡنَٰهُمۡ يُنفِقُونَ٣ أُوْلَٰٓئِكَ هُمُ ٱلۡمُؤۡمِنُونَ حَقّٗاۚ
“Besimtarë janë ata të cilët kur përmendet Allahu, zemrat e tyre dridhen nga frika. E kur t’u lexohen ajetet e Tij, atyre u shtohet besimi dhe në Zotin e tyre mbështeten. Ata të cilët e falin namazin dhe prej asaj që Ne u kemi dhënë, ata japin. Vërtet këta janë besimtarët e vërtetë. Ata do të kenë grada të larta, falje dhe furnizim të bollshëm te Zoti i tyre.” El-Enfal, 3-4
Arsyeja që Allahu i përshkroi ata se janë besimtarë të vërtetë është se kur u lexohen atyre ajetet e Allahut, zemrat e tyre zbuten kur e dëgjojnë, kështu i madhërojnë ato ajete dhe si rrjedhojë gjymtyrët e tyre nënshtrohen duke treguar gatishmëri për vepra dhe ata shpejtojnë menjëherë për të kryer detyrat e fesë dhe i braktisin ndalesat e fesë.
Pra, kjo është esenca: zbutja e zemrave. Nga këtu kuptohet se fjala e Tij të Lartësuarit:
﴿ٱللَّهُ نَزَّلَ أَحۡسَنَ ٱلۡحَدِيثِ ﴾
“Allahu e zbriti fjalën më të mirë.” Ez-Zumer, 23
Pra, Kurani është fjala më e mirë.
﴿وَمَنۡ أَصۡدَقُ مِنَ ٱللَّهِ حَدِيثٗا٨٧﴾
“E kush është më i vërteti në fjalë se Allahu?” en-Nisa, 87
﴿وَمَنۡ أَصۡدَقُ مِنَ ٱللَّهِ قِيلٗا١٢٢﴾
“E kush është më i vërteti në të folur se Allahu?” en-nisa 122
[3] Ky është qortim nga Allahu për besimtarët, që ata të mos largohen nga Kurani, dhe si rrjedhojë e këtij largimi zemrat e tyre të mos bëhen të ashpra. Prandaj, Allahu i nxit besimtarët me fjalën e Tij ku thotë:
﴿۞أَلَمۡ يَأۡنِ لِلَّذِينَ ءَامَنُوٓاْ أَن تَخۡشَعَ قُلُوبُهُمۡ لِذِكۡرِ ٱللَّهِ وَمَا نَزَلَ مِنَ ٱلۡحَقِّ
“A nuk ka ardhur koha për ata që besojnë, që zemrat e tyre të frikësohen me përmendjen e Allahut dhe para të vërtetës që Ai ka zbritur. ”
Kjo e vërtetë është Kurani.
وَلَا يَكُونُواْ كَٱلَّذِينَ أُوتُواْ ٱلۡكِتَٰبَ مِن قَبۡلُ
“... dhe të mos bëhen sikur ata të cilëve u zbritën libra më përpara...”
E që janë Jehudët dhe të Krishterët.
فَطَالَ عَلَيۡهِمُ ٱلۡأَمَدُ فَقَسَتۡ قُلُوبُهُمۡۖ وَكَثِيرٞ مِّنۡهُمۡ فَٰسِقُونَ١٦﴾
“Dhe pas një kohe të gjatë (pas vdekjes së Musait dhe pejgamberëve të tjerë), zemrat e tyre u ngurtësuan dhe shumica e tyre janë të prishur.” El-Hadid, 6
Ata u dhanë pas dunjasë, pas kënaqësive, ngrënies, pasurive, fëmijëve. Kështu atyre u kaloi një kohë e gjatë duke mos iu kthyer librit të Allahut. Si pasojë e kësaj, zemrat e tyre u ngurtësuan, sepse e lanë pas dore Teuratin dhe Inxhilin.
Prandaj, Allahu i paralajmëron besimtarët që të kenë kujdes dhe të mos bëjnë vepra që bënë ata, duke u larguar nga Kurani dhe kështu t’u ngurtësohen zemrat ashtu si u ngurtësuan zemrat e atyre që ishin para tyre.
[4] Kjo është një ndër shkaqet e zbutjes së zemrës, e që është mëshira për të dobëtit, nevojtarët, te mjerët, të varfrit, duke shfaqur dhembshuri për ta, duke u bërë mirë atyre dhe duke u shoqëruar me ta. Të gjitha këto veprime e zbusin zemrën.
Largimi nga nevojtarët dhe të varfërit, kjo është ajo që ngurtëson zemrën, kurse që të përzihesh dhe të shoqërohesh me të varfrit dhe skamnorët, t’i shohësh ata dhe t’u bësh mirë atyre, këto e zbusin zemrën dhe të nxisin që të kesh mëshirë. Shpërblimi është në varësi të llojit të veprës që bëhet. Prandaj, ai, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, thotë:
ارْحَمُوا تُرْحَمُوا
“Mëshironi, që të mëshiroheni!.”
Pra, kini mëshirë për të varfrit dhe skamnorët, që Allahu t’ju mëshirojë juve. Gjithashtu vlen nëse bëhet e kundërta e kësaj. Nëse nuk kemi mëshirë për të tjerët, kjo do të jetë shkak që edhe Allahu të mos na mëshirojë neve meqë nuk i mëshirojnë të varfit dhe të dobëtit. Nëse dikush të bën një të keqe apo e shkel të drejtën tënde, ti fale atë dhe sillu me mirësi me qëllim që edhe Allahu të të falë ty. Nëse do që Allahu të të falë ty, atëherë fale atë që të ka bërë keq ty, sepse shpërblimi është në varësi të veprës së bën.
Fjala e tij: “Mjerë për ata që janë si puna e hinkës që përcjellin vetëm fjalë.”
Hinka është ajo që vendoset në grykën e gjymit apo të shishes që përdoret për të shtënë ujë apo lëngje nëpërmjet saj. Hinka nuk mban gjë kur derdhet diçka sipër saj dhe ajo përcjell çdo lloj lëngu. Kështu është edhe shembulli i atyre njerëzve të cilët dëgjojnë përmendjen e Allahut, dëgjojnë Kuranin, por nuk e kuptojnë atë dhe nuk preken. Prandaj, janë shëmbëllyer me punën e hinkës.
Fjala e tij: “Mjerë për këmbëngulësit të cilët këmbëngulin në atë që e kanë bërë duke e ditur.”
Ky është kërcënim për ata të cilët vazhdimisht bëjnë gjynahe dhe nuk u shqepen atyre. Ata nuk kërkojnë falje nga Allahu dhe e dinë se ajo që bëjnë është gjynah.
Nuk ka njeri të pagabueshëm! Çdo njeri bie në gjynahe dhe bën vepra të këqija, por njeriu e ka obligim që të pendohet tek Allahu. Ama nëse ai vazhdon me gjynahe dhe nuk pendohet, atëherë Allahu premton se do ta ndëshkojë atë.
Allahu ka thënë se një ndër cilësitë e robërve të Tij të devotshëm është se ata nuk këmbëngulin në gjynahe. Thotë Allahu i Lartësuar dhe i Madhëruar:
﴿۞وَسَارِعُوٓاْ إِلَىٰ مَغۡفِرَةٖ مِّن رَّبِّكُمۡ وَجَنَّةٍ عَرۡضُهَا ٱلسَّمَٰوَٰتُ وَٱلۡأَرۡضُ أُعِدَّتۡ لِلۡمُتَّقِينَ١٣٣ ٱلَّذِينَ يُنفِقُونَ فِي ٱلسَّرَّآءِ وَٱلضَّرَّآءِ وَٱلۡكَٰظِمِينَ ٱلۡغَيۡظَ وَٱلۡعَافِينَ عَنِ ٱلنَّاسِۗ وَٱللَّهُ يُحِبُّ ٱلۡمُحۡسِنِينَ١٣٤﴾
“Ngutuni për të kërkuar falje nga Zoti juaj dhe drejt Xhenetit gjerësia e të cilit është sa gjerësia e qiejve dhe tokës, i cili është përgatitur për të devotshmit. (Kta të devotshëm janë ata) të cilët japin lëmoshë edhe kur gëzojnë mirëqenie edhe kur janë në vështirësi, ata që nuk e shfryjnë mllefin dhe i falin njerëzit. Allahu i do ata që bëjnë vepra të mira.” Al-Imran, 133-134
Ai që vazhdon të bëjë vazhdimisht një mëkat të vogël, ky mëkat do të bëhet i madh. Në hadith ka ardhur:
لا كبيرةَ مع الاستغفارِ ولا صغيرةَ مع الإصرارِ
“Nuk ka gjynah të madh nëse kërkohet falje për të dhe nuk ka gjynah të vogël nëse vazhdohet me këmbëngulje në të.”
Kështu që, Muslimani e ka detyrë që kur të bëj një gjynah, të pendohet sa më shpejtë. Por nëse ai vazhdon të jepet pas atij gjynahu, atëherë Allahu e kërcënon shumë rëndë atë njeri.
[5] Këtu del në pah edhe një shkak tjetër për ngurtësimin e zemrës, e që është: e folura e tepërt pa e përmendur Allahun. Nga ana tjetër, që të flasësh shumë dhe njëkohësisht të përmendësh Allahun, kjo e zbut zemrën. Sa më shumë që njeriu flet dhe nuk e përmend Allahun, kjo e ngurtëson zemrën sa më shumë. Shumë njerëz e kalojnë kohën e tyre duke u marrë me thashetheme, fjalë të padobishme, me të qeshura, argëtime dhe neglizhencë. Të gjitha këto gjëra e ashpërojnë zemrën, prandaj edhe Pejgamberi, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, ka thënë:
مَنْ كَانَ يُؤْمِنُ بِاللَّهِ وَالْيَوْمِ الآخِرِ فَلْيَقُلْ خَيْرًا أَوْ لِيَصْمُتْ
“Ai që beson në Allahun dhe Ditën e Fundit, le të flasë mirë ose le të heshtë.” Transmetojnë Bukhariu (7386) dhe Muslimi (2119) fjalët në këtë tekst janë të Muslimit.
[6] Kjo është e ngjashme me atë që kemi thënë më përpara në fjalën e tij, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem:
ارْحَمُوا تُرْحَمُوا
“Mëshironi, që të mëshiroheni!.”
Kuptimi i hadithit është: ai që nuk i mëshiron njerëzit duke u bërë mirë atyre, edhe i Gjithëmëshirshmi nuk do t’i mëshirojë ata. këtë kuptim të hadithit e thotë fjalë për fjale ky hadith: “Ai që nuk i mëshiron njerëzit, as Allahu nuk e mëshiron atë.” Sepse shpërblimi për një vepër është në varësi të veprës që bën dhe ky është parim në fe.
Përktheu: Jeton Shasivari