Bismilah...

Autor: Muhamed ibën Abdul-Uehhab

Shpjegues: Shejkh Salih el-Feuzan

Burimi: Sherhu Kitab el-Kebair, fq. 77-82

 

Shejkh Muhamed ibën Abdul-Uehhabi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:

Fjala e Allahut të Lartësuar:

﴿وَرَبَطۡنَا عَلَىٰ قُلُوبِهِمۡ

“...dhe Ne i forcuam zemrat e tyre.” el-Kehf, 14 [1]

Fjala e Tij, të Lartësuarit:

﴿أَحَسِبَ ٱلنَّاسُ أَن يُتۡرَكُوٓاْ أَن يَقُولُوٓاْ ءَامَنَّا وَهُمۡ لَا يُفۡتَنُونَ٢ وَلَقَدۡ فَتَنَّا ٱلَّذِينَ مِن قَبۡلِهِمۡۖ فَلَيَعۡلَمَنَّ ٱللَّهُ ٱلَّذِينَ صَدَقُواْ وَلَيَعۡلَمَنَّ ٱلۡكَٰذِبِينَ٣

“A menduan njerëzit se do të lihen të lirë që të thonë besuam dhe të mos sprovohen? Ne pa dyshim se i sprovuam ata që ishin para tyre, në mënyrë që Allahu t’i nxjerrë në shesh ata që besuan dhe t’i nxjerrë në shesh ata që përgënjeshtruan.” el-Ankebut, 2-3 [2]

Fjala e Tij, të Lartësuarit:

﴿قَالُواْ يَٰمُوسَىٰٓ إِنَّ فِيهَا قَوۡمٗا جَبَّارِينَ

“Ata thane: ‘O Musa, në mesin tonë ka njerëz frikacakë!’” el-Maideh, 22 [3]

Fjala e Tij, të Lartësuarit:

﴿وَمِنَ ٱلنَّاسِ مَن يَقُولُ ءَامَنَّا بِٱللَّهِ فَإِذَآ أُوذِيَ فِي ٱللَّهِ جَعَلَ فِتۡنَةَ ٱلنَّاسِ كَعَذَابِ ٱللَّهِۖ

“Ka njerëz që thonë se besuam në Allahun. E kur sprovohen në rrugën e Allahut, e konsiderojnë sprovën e njerëzve sikur të jetë dënim i Allahut.” El-Ankebut, 10 [4]

Transmetojnë Bukhariu dhe Muslimi nga Ibën Umeri, radijAllahu anhuma, se i Dërguari i Allahut ka thënë:

‏ الْمُسْلِمُ مَنْ سَلِمَ الْمُسْلِمُونَ مِنْ لِسَانِهِ وَيَدِهِ، وَالْمُهَاجِرُ مَنْ هَجَرَ مَا نَهَى اللَّهُ عَنْهُ ‏"‏‏.‏

“Muslimani është ai nga gjuha dhe dora e të cilit Muslimanët tjerë janë rehat dhe emigrues është ai që ka hequr dorë nga ato që Allahu i ka ndaluar.” Bukhariu (10) dhe Muslimi (40). [5]

___________________

Shpjegimi i Shejkh Feuzanit:

[1] Një nga sëmundjet e zemrës është edhe dobësimi i saj. Kur zemra është e dobët, ajo nuk i duron dot fatkeqësitë dhe nuk ka mendim të mirë për Allahun. Kur njeriu që ka zemër të dobët goditet nga ndonjë fatkeqësi, ai dobësohet dhe kështu nuk përmbahet dhe nuk bën durim. Atë që tregohet i dobët përpara fatkeqësive dhe nuk u bën dot ballë atyre e tradhton fuqia e tij, apo siç thuhet ndryshe se ai person bie në depresion. Ky njeri është person me zemër të dobët.

Gjë që është e kundërta me atë person që ka zemër të fortë dhe që e ka zemrën të lidhur me Allahun, të Plotfuqishmin dhe të Madhëruarin. Ky njeri nuk ndikohet nga fatkeqësitë dhe problemet, sado të mëdha qofshin ato dhe ky njeri nuk bie në depresion, por përkundrazi ai njeri qëndron stoik dhe i fortë duke u bërë ballë fatkeqësive dhe sprovave. Ky njeri del kryelartë nga këto fatkeqësi me lejen e Allahut. Kurse ai që ligështohet që në fatkeqësinë e parë nga e cila goditet, atëherë ky njeri është me zemër të dobët. Dobësia e zemrës është sëmundje që të çon në dobësimin e imanit.

Allahu i Madhëruar i ka përshkruar këta lloj njerëzish dhe ka thënë:

﴿وَمِنَ ٱلنَّاسِ مَن يَعۡبُدُ ٱللَّهَ عَلَىٰ حَرۡفٖۖ فَإِنۡ أَصَابَهُۥ خَيۡرٌ ٱطۡمَأَنَّ بِهِۦۖ وَإِنۡ أَصَابَتۡهُ فِتۡنَةٌ ٱنقَلَبَ عَلَىٰ وَجۡهِهِۦ خَسِرَ ٱلدُّنۡيَا وَٱلۡأٓخِرَةَۚ ذَٰلِكَ هُوَ ٱلۡخُسۡرَانُ ٱلۡمُبِينُ

“Ka njerëz që e adhurojnë Allahun duke patur dyshime, nëse atë e gjen një e mirë, rehatohet, e nëse e godet një fatkeqësi, atëherë ai përsëri i kthehet të kaluarës së tij (kufrit). Ai e ka humbur dunjanë dhe ahiretin. Kjo është humbje e qartë.” el-Haxh-xh, 11

E gjitha kjo vjen si pasojë e zemrës së dobët.

Po ashtu Allahu i Lartësuar ka thënë:

﴿وَمِنَ ٱلنَّاسِ مَن يَقُولُ ءَامَنَّا بِٱللَّهِ فَإِذَآ أُوذِيَ فِي ٱللَّهِ جَعَلَ فِتۡنَةَ ٱلنَّاسِ كَعَذَابِ ٱللَّهِۖ وَلَئِن جَآءَ نَصۡرٞ مِّن رَّبِّكَ لَيَقُولُنَّ إِنَّا كُنَّا مَعَكُمۡۚ أَوَ لَيۡسَ ٱللَّهُ بِأَعۡلَمَ بِمَا فِي صُدُورِ ٱلۡعَٰلَمِينَ

“Ka njerëz që thonë: ‘Ne e besojmë Allahun!’ por kur dëmtohen për shkak të ndjekjes së rrugës së Allahut, atëherë sprovën e njerëzve e konsiderojnë sikur dënim i Allahut.” el-Ankebut, 10

Ky është sikur shembulli i atij që ikën nga zalli i përcëlluar nga dielli dhe shkon në zjarr. Ky e ka lënë një vështirësi dhe ka vajtur në një vështirësi ende më të madhe. Pra, ky ka dalë nga një nxehtësi dhe është futur në një nxehtësi më të madhe, Allahu na ruajttë! Sikur ai të bënte durim me këtë nxehtësi të vogël, do të kishte dalë nga sprova me zemër të fortë dhe iman të fortë.

Kurse ai që ka zemër të dobët, vërtet është në rrezik të madh. Zemra ashtu siç forcohet, po ashtu edhe dobësohet.

Fjala e Allahut të Lartësuar që thotë:

﴿وَرَبَطۡنَا عَلَىٰ قُلُوبِهِمۡ

“...dhe Ne i forcuam zemrat e tyre.”

Ky ajet flet për ngjarjen e Banorëve të Shpellës dhe historia e tyre është e mirënjohur, ku Allahu i forcoi zemrat e tyre. Për këtë arsye, Banorët e Shpellës e shpallën distancimin e tyre nga pabesimtarët dhe u larguan prej tyre.

﴿ إِذۡ قَامُواْ فَقَالُواْ رَبُّنَا رَبُّ ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلۡأَرۡضِ لَن نَّدۡعُوَاْ مِن دُونِهِۦٓ إِلَٰهٗاۖ لَّقَدۡ قُلۡنَآ إِذٗا شَطَطًا

“...e kur ata u ngritën dhe thanë: “Zoti ynë është Zoti i qiejve dhe tokës! Ne nuk do t’i lutemi askujt përkrah Atij. Po ta kishim bërë këtë (lutjen drejtuar tjetër kujt përveç Allahut), do ta kishim tepruar (duke u zhytur në kufër).” el-Kehf, 14

Do të thotë: Kjo nuk ka për të ndodhur kurrë nga ana jonë, sepse sikur ne ta bënim një gjë të tillë, kjo do të ishte një e pavërtetë e madhe. Populli i këtyre djelmoshave adhuronin idhujt, ndërsa ata Allahu i bëri të qëndrueshëm në fe dhe i forcoi zemrat e tyre. Sikur zemrat e këtyre djelmoshave të ishin të dobëta, ata do të kishin dështuar. Prandaj, Allahu i Lartësuar ka thënë për ta:

﴿وَرَبَطۡنَا عَلَىٰ قُلُوبِهِمۡ

“...dhe Ne i forcuam zemrat e tyre.”

Për këtë arsye zemrat e tyre qenë të forta sepse Allahu ua forcoi ato.

﴿وَرَبَطۡنَا عَلَىٰ قُلُوبِهِمۡ إِذۡ قَامُواْ فَقَالُواْ رَبُّنَا رَبُّ ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلۡأَرۡضِ لَن نَّدۡعُوَاْ مِن دُونِهِۦٓ إِلَٰهٗاۖ لَّقَدۡ قُلۡنَآ إِذٗا شَطَطًا١٤ هَٰٓؤُلَآءِ قَوۡمُنَا ٱتَّخَذُواْ مِن دُونِهِۦٓ ءَالِهَةٗۖ لَّوۡلَا يَأۡتُونَ عَلَيۡهِم بِسُلۡطَٰنِۢ بَيِّنٖۖ فَمَنۡ أَظۡلَمُ مِمَّنِ ٱفۡتَرَىٰ عَلَى ٱللَّهِ كَذِبٗا١٥

 “...e kur ata u ngritën dhe thanë: ‘Zoti ynë është Zoti i qiejve dhe tokës! Ne nuk do t’i lutemi asnjë të adhuruari përkrah Atij. Po ta kishim bërë këtë (lutjen drejtuar tjetër kujt përveç Allahut), do ta kishim tepruar (duke u zhytur në kufër).” Ky populli ynë ka marrë për të adhuruar zotra të tjerë përkrah Atij! Sikur të kishin sjellë argument të qartë për këtë! A ka më zullumqarë se ata që sajojnë gënjeshtra për Allahun!” el-Kehf, 14-15

Pasi që i thanë këto fjalë, djelmoshat u arratisën dhe i braktisën idhujt që adhuronte populli i tyre, kështu vajtën në një shpellë dhe aty u strehuan. Pastaj ndodhi ajo që ndodhi me ta, që i kapi një gjumë i thellë të cilin Allahu e përmendi dhe pastaj Allahu i zgjoi nga ky gjumë.

Pasi që ata u zgjuan nga ky gjumë i thellë dhe dolën jashtë shpellës, papritmas panë se njerëzit kishin ndryshuar dhe kishte dalë një brez i ri që kishin hyrë në Islam dhe kishin besuar, ndërsa të parët kishin qenë pabesimtarë. Në kohën që ata i kishte zënë gjumi, njerëzit ishin pabesimtarë, por kur u zgjuan menduan se kanë fjetur një ditë apo një gjysmë dite dhe se brezi i tyre që u bënin thirrje për të hyrë në fe, ishin akoma gjallë.

Për këtë arsye, kur ata dërguan njërin nga ata që të blejë bukë dhe të jetë i kujdesshëm se mos e sulmonin, ata nuk e dinin se gjërat kishin ndryshuar dhe se gjendja ishte krejtësisht tjetër. Pabesimtarët kishin vdekur dhe kishte ardhur një brez i ri që ishte në fenë Islame, por pika e diskutimit tonë ku ne duam t’i referohemi është fjala e Allahut:

﴿وَرَبَطۡنَا عَلَىٰ قُلُوبِهِمۡ

“...dhe Ne i forcuam zemrat e tyre.”

Pra, Allahu i forcoi zemrat e tyre dhe këta djelmosha i bënë ballë këtij populli pabesimtar, saqë Allahu bëri që ata të bien në gjumë dhe të flenë 309 vite apo aq sa deshi Allahu dhe pastaj i zgjoi nga gjumi. Kjo ishte është një keramet (mrekulli dhe nderim) për ta, ngaqë ata ishin të dashurit e Allahut.

[2] Këto ajete na sqarojnë neve se ligji i Allahut, të Plotfuqishmit dhe të Madhëruarit, nuk ndryshon. Kjo për arsye se Allahu nuk i lë besimtarët në atë gjendje që janë pa e dalluar të keqin prej të mirit, sepse ata që shfaqin Islam, ka prej tyre që janë të sinqertë dhe ka që janë munafikë. Nëse ata nuk do të sprovoheshin, nuk do të dallohej munafiku nga besimtari i vërtetë. Kështu që, Allahu dëshiron ta nxjerrë në pah dhe ta dallojë njërin nga tjetrin.

Allahu lëshon fatkeqësi dhe sprova, kështu njerëzit që kanë besim tregohen të palëkundur dhe të qëndrueshëm. Nga ana tjetër, njerëzit që kanë hipokrizi dhe nifak demaskohen. Kjo është përmendur në fjalën e Tij, të Lartësuarit:

﴿أَحَسِبَ ٱلنَّاسُ أَن يُتۡرَكُوٓاْ أَن يَقُولُوٓاْ ءَامَنَّا وَهُمۡ لَا يُفۡتَنُونَ٢ وَلَقَدۡ فَتَنَّا ٱلَّذِينَ مِن قَبۡلِهِمۡۖ فَلَيَعۡلَمَنَّ ٱللَّهُ ٱلَّذِينَ صَدَقُواْ وَلَيَعۡلَمَنَّ ٱلۡكَٰذِبِينَ٣

“A menduan njerëzit se do të lihen të lirë që të thonë besuam dhe të mos sprovohen? Ne pa dyshim se i sprovuam ata që ishin para tyre, në mënyrë që Allahu t’i nxjerrë në shesh ata që besuan dhe ata që t’i nxjerrë në shesh ata që përgënjeshtruan.” el-Ankebut, 2-3

Do të thotë: që Allahu t’i nxjerrë në pah ata që besuan dhe ishin të vërtetë në besimin e tyre, ndryshe nga ata që janë gënjeshtarë në besimin që pretendojnë.

Allahu i Lartësuar thotë:

﴿مَّا كَانَ ٱللَّهُ لِيَذَرَ ٱلۡمُؤۡمِنِينَ عَلَىٰ مَآ أَنتُمۡ عَلَيۡهِ حَتَّىٰ يَمِيزَ ٱلۡخَبِيثَ مِنَ ٱلطَّيِّبِۗ وَمَا كَانَ ٱللَّهُ لِيُطۡلِعَكُمۡ عَلَى ٱلۡغَيۡبِ ١٧٩

“Allahu nuk i lë besimtarët në atë gjendjen që janë pa e dalluar të keqin prej të mirit. Allahu nuk do t’ua zbulojë të fshehtën...” Al-Imran, 179

Ajeti do të thotë: që ta dallojë besimtarin nga pabesimtari. Pra, ai nuk ju lë juve të përzier duke mos u ditur se kush është i sinqertë dhe kush është munafik, e kështu ju të mos e dini se kush është besimtari i vërtetë dhe kush është gënjeshtari, sepse ju nuk keni në dorë asgjë tjetër përveç se pamjes së jashtme. E kjo është e fshehta të cilën nuk e di askush tjetër përveç Allahut. Për këtë arsye, Allahu lëshon sprova në mënyrë që të dallohet munafiku nga besimtari.

Një nga shembujt që e vërteton këtë ndodhi, është ajo që ndodhi me betejën e Hendekut, ku Allahu i Lartësuar tha:

﴿وَإِذۡ يَقُولُ ٱلۡمُنَٰفِقُونَ وَٱلَّذِينَ فِي قُلُوبِهِم مَّرَضٞ مَّا وَعَدَنَا ٱللَّهُ وَرَسُولُهُۥٓ إِلَّا غُرُورٗا١٢

“Kur munafikët dhe ata që kishin sëmundje në zemër, thanë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij nuk na ka premtuar gjë tjetër, vetëm se mashtrime.” el-Ahzab, 12

Pra, fjalë boshe dhe përralla. Kështu thanë njerëzit që kishin nifak (hipokrizi). Kur munafikët i kaploi tmerri dhe lemeria e luftës, ata thanë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij nuk na kanë premtuar gjë tjetër vetëm se broçkulla.” Nifaku që ishte fshehur në zemrat e tyre, doli sheshit, Allahu na ruajttë! Kurse për besimtarët Allahu i Lartësuar tha:

﴿وَلَمَّا رَءَا ٱلۡمُؤۡمِنُونَ ٱلۡأَحۡزَابَ قَالُواْ هَٰذَا مَا وَعَدَنَا ٱللَّهُ وَرَسُولُهُۥ وَصَدَقَ ٱللَّهُ وَرَسُولُهُۥۚ وَمَا زَادَهُمۡ إِلَّآ إِيمَٰنٗا وَتَسۡلِيمٗا٢٢

“Kur besimtarët panë ushtritë (e aleatëve), thanë: “Kjo është ajo që na kanë premtuar Allahu dhe i Dërguari i Tij! Pa dyshim se Allahu dhe i Dërguari i Tij e kanë thënë të vërtetën!” Kjo gjë veçse ua shtoi edhe më shumë imanin dhe nënshtrimin (ndaj Allahut).” El-Ahzab, 22

Shikoni se si ishte reagimi i tyre kur panë tmerrin e luftës. Ata nuk u dobësuan dhe nuk u ligështuan, porse ky tmerr i luftës ua shtoi edhe imanin dhe qëndrueshmërinë në fe dhe ata e dinin se kjo ishte një sprovë dhe një provim për ta.

[3] Kjo ishte për shkak të zemrave të dobëta dhe kjo është ajo që ishte për qëllim kur ata thanë: “Ata thane: ‘O Musa, në mesin tonë ka njerëz frikacakë!” Këtë fjalë e thanë si përgjigje kur Musa, alejhi selam, i urdhëroi ata që të luftonin për të çliruar tokën e shenjtë, e që është Xhamia e Kudsit (Bejtul-Makdis) dhe në atë kohë ajo ishte në duart e kufarëve, populli Amalikë, të cilin ishin trupmëdhenj dhe shumë të fortë. Musai, alejhi selam, bashkë me Bijtë e Israilit (Benu Israilët) dolën për t’i luftuar Amalikët me qëllim që të çlironin Bejtul-Makdisin. Por, kur Benu Israilët tradhtuan dhe patën frikë të përballen me këtë popull të fortë, thanë:

﴿قَالُواْ يَٰمُوسَىٰٓ إِنَّ فِيهَا قَوۡمٗا جَبَّارِينَ وَإِنَّا لَن نَّدۡخُلَهَا حَتَّىٰ يَخۡرُجُواْ مِنۡهَا فَإِن يَخۡرُجُواْ مِنۡهَا فَإِنَّا دَٰخِلُونَ٢٢

“Ata thane: ‘O Musa, në mesin tonë ka njerëz frikacakë! Ne nuk kemi për të hyrë aty (Bejtul-Makdis) derisa ata të dalin që aty. E nëse ata dalin, atëherë ne do të hyjmë aty.” el-Maideh, 22

Argumenti i tyre ishte se nuk kishin fuqi të luftonin kundër tyre dhe as që t’i nxirrnin prej aty. Por nëse vet ata e lëshojnë vendin e tyre, atëherë ne do të futemi aty. Më në fund ata thanë:

﴿ فَٱذۡهَبۡ أَنتَ وَرَبُّكَ فَقَٰتِلَآ إِنَّا هَٰهُنَا قَٰعِدُونَ٢٤

“Shko ti (o Musa) bashkë me Zotin tënd luftoni ata, kurse ne do të rrimë këtu.”

Kur Musai filloi që t’i nxisë vazhdimisht për t’i luftuar Amalikët, ata e nxorën atë që kishin në zemra dhe thanë:

﴿ فَٱذۡهَبۡ أَنتَ وَرَبُّكَ فَقَٰتِلَآ إِنَّا هَٰهُنَا قَٰعِدُونَ٢٤

“Shko ti (o Musa) bashkë me Zotin tënd luftoni ata, kurse ne do rrimë këtu.”

Shikoje këtë qëndrim të tyre dhe krahasoje me qëndrimin e Sahabëve, shokëve të të Dërguarit të Allahut në ditën e betejës së Bedrit. Në këtë betejë, Muslimanët u përballën me idhujtarët, por numri i idhujtarëve ishte shumë herë më i madh se numri i Muslimanëve.

Numri i Muslimanëve numëronte nga 310 deri 320 veta përafërsisht, kurse idhujtarët numëronin mbi 1000 e ca veta të armatosur dhe ishin të fortë dhe të vrazhdë. I Dërguari i Allahut u këshillua me Sahabët në lidhje me çështjen e numrit të madh të idhujtarëve. Njëri nga ata, Mikdadi, u çua dhe tha: “Ne jemi me ty o i Dërguari i Allahut! Pasha Allahun, ne nuk të themi ty ashtu siç i thanë Beni Israilët Musait, alejhi selam: ‘Shko ti (o Musa) bashkë me Zotin tënd luftoni ata, kurse ne do të rrimë këtu.’ Pasha Atë që të ka dërguar ty me të vërtetën, ne do të luftojmë përpara, në të djathtë, në të majtë dhe mbrapa, derisa Allahu të të japë fitore.” Transmeton Bukhariu (4609).

E sa dallim të madh që ka ky qëndrim i Sahabëve me qëndrimin e Beni Israilëve kur i thanë Musait: “Shko ti (o Musa) bashkë me Zotin tënd luftoni ata.” Kjo ishte si pasojë e zemrës së dobët.

[4] Fjala e Allahut të Lartësuar:

﴿وَمِنَ ٱلنَّاسِ مَن يَقُولُ ءَامَنَّا بِٱللَّهِ فَإِذَآ أُوذِيَ فِي ٱللَّهِ جَعَلَ فِتۡنَةَ ٱلنَّاسِ كَعَذَابِ ٱللَّهِۖ

“Ka njerëz që thonë se besuam në Allahun. E kur sprovohen në rrugën e Allahut, e konsiderojnë sprovën e njerëzve sikur të jetë dënimi i Allahut.” el-Ankebut, 10 [4]

Njeriu para vetes ka dy dënime:

Dënimi i parë: Dënimi i Allahut për atë që e lë fenë islame.

Dënimi i dytë: Dënimi i njerëzve për atë që beson në Allahun.

Cili nga këto dy dënime është më i rëndë, dënimi i njerëzve apo dënimi i Allahut? Pa dyshim se dënimi i Allahut është më i rëndë.

Që njeriu t’i përmbahet fesë Islame dhe të shpëtojë nga dënimi i Allahut, edhe në qoftë se njerëzit i shkaktojnë dëme, kjo është vendosmëri në fe. Kurse e kundërta, që njeriu të shpëtojë nga dënimi njerëzve dhe të bjerë në dënimin e Allahut duke e lënë fenë Islame, atëherë kjo është ligështim dhe dobësi e madhe. Allahu e ka përshkruar në Librin e Tij fisnik gjendjen e atyre njerëzve që kanë iman të dobët:

﴿وَمِنَ ٱلنَّاسِ مَن يَقُولُ ءَامَنَّا بِٱللَّهِ فَإِذَآ أُوذِيَ فِي ٱللَّهِ جَعَلَ فِتۡنَةَ ٱلنَّاسِ كَعَذَابِ ٱللَّهِۖ وَلَئِن جَآءَ نَصۡرٞ مِّن رَّبِّكَ لَيَقُولُنَّ إِنَّا كُنَّا مَعَكُمۡۚ أَوَ لَيۡسَ ٱللَّهُ بِأَعۡلَمَ بِمَا فِي صُدُورِ ٱلۡعَٰلَمِينَ١٠ وَلَيَعۡلَمَنَّ ٱللَّهُ ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ وَلَيَعۡلَمَنَّ ٱلۡمُنَٰفِقِينَ١١

“Ka njerëz që thonë se besuam në Allahun. E kur sprovohen në rrugën e Allahut, e konsiderojnë sprovën e njerëzve sikur të jetë dënimi i Allahut. E nëse vjen fitorja nga Zoti yt, ata me siguri do të thonë: ‘Ne me ju kemi qenë!’ A nuk është Allahu më i dituri se çfarë kanë në zemra njerëzit. Pa dyshim se i di shumë mirë ata që besuan dhe i di shumë mirë munafikët.” el-Ankebut, 10 [4]

Kur kishte stabilitet dhe siguri, munafikët u thonin Muslimanëve: “Ne jemi me ju! Do të luftojmë përkrah jush dhe do t’ju mbrojmë!” Por kur humbej siguria dhe ishte kohë lufte, ata tradhtonin dhe flisnin fjalë të këqija pasi që e lëshuan fenë Islame dhe nuk i besonin më Allahut.

Kjo është cilësia e munafikëve në çdo kohë dhe çdo vend dhe në mesin e tyre nuk kishte të tjerë pos atyre që kishin zemra të dobëta. Gjë që është e kundërta me besimtarët të cilët kanë zemra të forta, vendosmëri të palëkundur, besim në Allahun dhe mbështetje tek Ai.

[5] Fjala e tij që thotë:

الْمُسْلِمُ مَنْ سَلِمَ الْمُسْلِمُونَ مِنْ لِسَانِهِ وَيَدِهِ ‏"‏‏.‏

 “Muslimani është ai nga gjuha dhe dora e të cilit Muslimanët tjerë janë rehat...”

Këtu është për qëllim e folura e tepërt për njerëzit duke përgojuar, duke sharë dhe duke folur keq për ta. Të gjitha këto bëjnë pjesë te mëkatet e mëdha të cilat ndalohen.

Po ashtu në këtë hadith qortohet e folura e tepërt dhe se Muslimani e ka detyrë që ta mbajë gojën dhe të mos flasë vetëm se atë që është e mirë dhe e udhës. Po ashtu në këtë hadith ka argument se ai që nuk u bën dëm Muslimanëve as me dorë e as me gojë, e ka arritur Islamin e plotë.

Fjala e tij “

وَالْمُهَاجِرُ مَنْ هَجَرَ مَا نَهَى اللَّهُ عَنْهُ ‏"‏‏.‏

 “...dhe emigrues është që ka hequr dorë nga ato që i ka ndaluar Allahu.”

Emigrimi është disa llojesh. Një ndër to është që Muslimani të emigrojë nga vendi i kufrit për në vendin e Islamit duke synuar që ta ruajë fenë e vet. Ky është lloji më i madh i emigrimit.

Kurse emigrimi tjetër është që njeriu të të largohet nga gjërat e këqija dhe haramet. Allahu i Lartësuar ka thënë:

﴿وَٱلرُّجۡزَ فَٱهۡجُرۡ٥

“Dhe largohu nga idhujt!” el-Mudeth-thir, 5

Fjala e tij: “...dhe emigrues është ai që ka hequr dorë nga ato që i ka ndaluar Allahu.” Kush largohet nga gjërat që i ka ndaluar Allahu në përgjithësi, atëherë ai ka arritur Islamin e plotë.

Përktheu: Jeton Shasivari