Bismilah...

Autor: Muhamed ibën Abdul-Uehhab

Shpjegues: Shejkh Salih el-Feuzan

Burimi: Sherhu Kitab el-Kebair, fq. 55-58

 

Kapitull:

Dëshira për mendjemadhësi dhe shkatërrim në tokë

 

Shejkh Muhamed ibën Abdul-Uehhabi, Allahu e mëshiroftë, thotë:

﴿تِلْكَ الدَّارُ الْآخِرَةُ نَجْعَلُهَا لِلَّذِينَ لَا يُرِيدُونَ عُلُوًّا فِي الْأَرْضِ وَلَا فَسَادًا  وَالْعَاقِبَةُ لِلْمُتَّقِينَ﴾

Atë botën tjetër, do ta bëjmë për ata që nuk dëshirojnë të jenë mendjemëdhenj e as të bëjnë shkatërrim në tokë. Kurse përfundimi i mirë është për të devotshmit.” El-Kasas, 83 [1]

Transmetohet nga Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili ka thënë se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, ka thënë:

Nuk ka besuar askush prej jush derisa të dojë për vëllanë e tij atë që do për veten e tij.” Transmeton Bukhariu, 13.  Muslimi, 45. [2]

Transmetohet nga Ebu Muhamed Abdullah ibën Amr ibën A’as, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, ka thënë:

Nuk ka besuar askush prej jush, derisa ëndja e tij ta ndjekë atë që kam sjellë unë.” Transmeton, Hasen ibën Sufjan në “Erbain” 9, Begauiju në “Sherhu Sunneh,” 104. [3]

________________________________

Shpjegimi i Shejkh Salih el-Feuzan:

[1] Kjo është nga gjynahet e mëdha të zemrës, e që është dëshira për të qënë mendjemadh dhe për të bërë shkatërrim në tokë, për këtë autori, Allahu e mëshiroftë, solli fjalën e Allahut të lartësuar:

﴿تِلْكَ الدَّارُ الْآخِرَةُ نَجْعَلُهَا لِلَّذِينَ لَا يُرِيدُونَ عُلُوًّا فِي الْأَرْضِ وَلَا فَسَادًا  وَالْعَاقِبَةُ لِلْمُتَّقِينَ﴾

Atë botën tjetër, do ta bëjmë për ata që nuk dëshirojnë të jenë mendjemëdhenj e as të bëjnë shkatërrim në tokë. Kurse përfundimi i mirë është për të devotshmit.” El-Kasas, 83

Kjo fjalë e të Lartësuarit, ka ardhur pasi përmendi një herë ndodhinë e Karunit dhe si Allahu e fundosi atë dhe shtëpinë e tij nën tokë, pasi që ai u tregua mendjemadh ndaj njerëzve. Gjithashtu, ai e mohoi edhe mirësinë e Allahut duke thënë:

﴿قَالَ إِنَّمَا أُوتِيتُهُ عَلَى عِلْمٍ عِنْدِي﴾

 Kjo pasuri më është dhënë për shkak të dijes sime.” El-Kasas, 78

Pastaj i Lartësuari thotë:

﴿تِلْكَ الدَّارُ الْآخِرَةُ ﴾

 Atë botën tjetër.”

Që do të thotë: Xhenetin.

﴿ نَجْعَلُهَا لِلَّذِينَ لَا يُرِيدُونَ عُلُوًّا فِي الْأَرْضِ ﴾

“...do ta bëjmë për ata që nuk dëshirojnë të jenë mendjemëdhenj e as të bëjnë shkatërrim në tokë...” El-Kasas, 83

Që do të thotë: nuk janë mendjemëdhenj karshi njerëzve.

﴿ وَلَا فَسَادًا وَالْعَاقِبَةُ لِلْمُتَّقِينَ﴾

“...e as shkatërrim në tokë. Kurse përfundimi i mirë është për të devotshmit.” El-Kasas, 83

Do të thotë: ata nuk duan të bëjnë shkatërrim në tokë duke shfaqur mendjemadhësi, mosbindje dhe duke bërë gjynahe dhe duke i dhunuar njerëzit. Të gjitha këto gjëra janë forma të shkatërrimit në tokë. Prandaj, Ai i Lartëmadhëruari dhe i Lartësuari, thotë:

﴿وَلَا تُفْسِدُوا فِي الْأَرْضِ بَعْدَ إِصْلَاحِهَا﴾

 Mos bëni shkatërrim në tokë pas përmirësimit të saj.” El-Araf, 56

Që do të thotë se Allahu i Lartësuar e rregulloi tokën me dërgimin e të Dërguarve dhe me zbritjen e librave. Prandaj mos bëni shkatërrim në të pasi që Allahu e rregulloi dhe e përshtati për këtë gjë.

Allahu i Lartësuar duke i përshkruar kriminelët që bëjnë shkatërrim në tokë dhe nuk bëjnë kurrë përmirësim, thotë:

﴿وَلَا تُطِيعُوا أَمْرَ الْمُسْرِفِينَ الَّذِينَ يُفْسِدُونَ فِي الْأَرْضِ وَلَا يُصْلِحُونَ﴾

“Mos i pasoni ata që i kalojnë kufijtë, të cilët bëjnë shkatërrim në tokë dhe nuk bëjnë përmirësim.” esh-Shuara, 151-152

Pra, shkatërrimi në tokë bëhet me mosbindje, gjynahe, kufër, shirk dhe dhunë ndaj njerëzve. Të gjitha këto cilësi dhe vepra, Allahu nuk i do dhe nuk i pranon nga robërit e Tij, andaj edhe thotë:

﴿ وَاللَّهُ لَا يُحِبُّ الْمُفْسِدِينَ﴾

Allahu nuk i do shkatërrimtarët.” El-Maide, 64

Pra, veprat e sipërpërmendura që janë nga shenjat e shkatërrimit në tokë, ashtu edhe veprat e mira janë prej shenjave të përmirësimit në tokë.

Shejkhul-Islam Ibën Tejmijeh, ka thënë se njerëzit ndahen në katër grupe:

Grupi i parë: Janë ata që duan t’i shtypin njerëzit dhe të bëjnë shkatërrim në tokë, si Faraoni dhe grupi i tij. Këta janë njerëzit më të këqij. Këta do të jenë banorë të Xhehenemit në Ditën e Kijametit.

Grupi i dytë: Janë ata që duan të bëjnë shkatërrim por duke mos qenë mendjemëdhenj, siç janë hajdutët kriminelë të cilët janë nga mesi i njerëzve të poshtër e të ulët.

Grupi i tretë: Janë ata që duan të jenë mendjemëdhenj por pa bërë shkatërrim, siç janë ata që kanë fetari, nëpërmjet së cilës dëshirojnë të jenë mbi njerëzit e tjerë.

Grupi i katërt: Janë ata të cilët nuk duan të jenë mendjemëdhenj e as të bëjnë shkatërrim në tokë; nuk janë mendjemëdhenj ndaj njerëzve, nuk bëjnë gjynahe, i nënshtrohen Allahut të Madhëruar e të Lartësuar dhe janë modest me njerëzit. Këta janë njerëzit më të mirë nga mesi i krijesave më të mira dhe këta do të banojnë në Xhenetet e begata në Ditën e Kijametit.

[2] Fjala e tij: Nuk ka besuar askush prej jush derisa të dojë për vëllanë e tij atë që do për veten e tij.” Në këtë hadith sqarohen cilësitë e atyre që nuk duan të jenë mendjemëdhenj në tokë dhe as shkatërrimtarë, porse ata ua duan të mirën njerëzve ashtu siç e duan të mirën për vetet e tyre. Pra, njeriu nga natyra dhe zakoni e do të mirën për veten e tij, po ashtu duhet që ta dojë atë edhe për njerëzit e tjerë me qëllim që të jetë besimtar; ashtu siç e urren të keqen për veten e tij, ashtu duhet që ta urrejë edhe për njerëzit, ndërsa ai që vepron të kundërtën e kësaj, ai është i qortuar.

Fjala e tij “Nuk ka besuar,” ka për qëllim se ai nuk ka besim të plotë.

Fjala “Nuk ka besuar askush prej jush,” nuk do të thotë se ai që nuk ia dëshiron të mirën vëllait të tij ka bërë kufër, porse kuptimi është që ai nuk ka besim të plotë.

Duke u bazuar në këtë, ne themi: ai që e do të mirën për veten e tij, kurse njerëzve ua do të keqen, kjo punë e tij llogaritet shkatërrim dhe mendjemadhësi në tokë, sepse ai dëshiron të veçojë vetëm veten e tij me këtë begati të Allahut e jo edhe të tjerët. Ai nuk ia do të mirën askujt tjetër. Kjo gjë llogaritet zili.  

[3] Siç e përmendëm më parë, se ajo që kihet për qëllim me fjalën e tij Nuk ka besuar askush prej jush, do të thotë se nuk e ka besimin e plotë,  dhe nuk është për qëllim se mohohet ekzistenca e besimit. Prandaj, kuptimi i këtij hadithi është: nuk ka besuar askush prej jush me besim të plotë, derisa ëndjet e tij të ndjekin atë që solli Profeti, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem; duke e dashur atë që ka dashur i Dërguari, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, edhe nëse vetja e tij dëshiron të kundërtën e saj.

Njeriu mund të urrejë disa gjëra, porse kjo urrejtje është e gjendjes shpirtëtrore e jo se është urrejtje kundër fesë, sepse nëse është urrejtje kundër fesë, atëherë ai bën kufër.

I Lartësuari ka thënë:

﴿ذَلِكَ بِأَنَّهُمْ كَرِهُوا مَا أَنْزَلَ اللَّهُ فَأَحْبَطَ أَعْمَالَهُمْ﴾

Kjo është kështu ngase ata e urryen atë që zbriti Allahu, andaj Ai ua asgjësoi veprat e tyre.” Muhamed, 9

Ndërsa ai që ka urrejtje e cila vjen nga gjendja shpirtërore, ngaqë i pëlqen rehatia dhe është dembel, si për shembull: të urrejë faljen e namazit të natës apo agjërimin vullnetar, kjo është mangësi në besim. Gjë që është e kundërta me atë që e do atë që solli i Dërguari, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, edhe nëse ajo bie ndesh me ëndjet dhe dëshirat e tij, atëherë kjo është prej besimit të plotë.

Këtë hadith e ka përmendur Hafidh Neueuiu, Allahu e mëshiroftë, në librin “el-Erbaine” dhe ka thënë: “Ky është hadith i saktë të cilin e kemi transmetuar në librin “El-Huxheh ala Taarik el-Mehaxh-xheh”i Shejkh Ebul Fet’h Nesër ibën Ibrahim el-Makdesij” (Shiko biografinë e tij në “Sijer E’alami en-Nubela,” 19/136), Ky libër është botuar me verifikimin e Universitetit Islamik dhe është një nga librat e Akides. Ka edhe libra të tjerë që janë botuar me këtë temë, porse ky është më i njohuri nga të gjithë ato.

Ai thotë që e kemi transmetuar këtë hadith në librin “El-Huxh-xheh” me zinxhir të saktë, por të njëjtën kohë këtë hadith e ka bërë të dobët Ibën Rexhebi në “Xhamiu el-Ulum ue el-Hikem” (Shiko nëXhamiul Ulumi uel Hikem,” 2/393) porse janë transmetuar tekste të tjera të ngjashme me këtë që e forcojnë atë dhe një nga ato është Fjala e Allahut të lartësuar:

﴿ذَلِكَ بِأَنَّهُمْ كَرِهُوا مَا أَنْزَلَ اللَّهُ فَأَحْبَطَ أَعْمَالَهُمْ﴾

Kjo është kështu ngase ata e urryen atë që zbriti Allahu, andaj Ai ua asgjësoi veprat e tyre.” Muhamed, 9

Pra, ata që e urrenin atë që zbriti Allahu, endjet e tyre nuk ndoqën atë që solli i Dërguari, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-le . Në lidhje me këtë ne thamë: Nëse urrejtja është ndaj një gjëje të fesë, atëherë kjo është kufër, ndërsa nëse është shpirtërore ngaqë nuk e do vetvetja, atëherë kjo është mangësi në besim. Allahu i Lartësuar thotë:

﴿كُتِبَ عَلَيْكُمُ الْقِتَالُ وَهُوَ كُرْهٌ لَكُمْ ﴾

“Juve u është bërë obligim lufta, edhe pse ju e urreni atë.” El-Bekare, 216

Do të thotë: lufta është e rëndë për ju dhe e mundimshme. Pra, ata nuk e urrenin atë që solli i Dërguari duke patur urrejtje ndaj asaj gjëje të fesë, porse ishte urrejtje që vinte nga gjendja shpirtërore. Andaj, kjo tregon që nëse urrejtja është nga dembelia dhe plogështia, kjo konsiderohet mangësi në besim, ngase besimtari me besim të plotë është i zellshëm dhe aktiv për të bërë vepra të mira dhe adhurime.

 

Përktheu: Jeton Shasivari