Bismilah...

Burimi: Zadul-Me’ad, 4/353-354

 

Transmetohet nga Abdullah ibën Mesudi, radijAllahu anhu, se i Dërguari i Allahut  ka thënë: “Pini qumësht lope, sepse ato kullotin nga çdo bimë dhe qumështi i saj është shërim për çdo sëmundje.” [1]

عليكم بألْبانِ البقَرِ فإنَّها تَرُمُّ من كلِّ الشجَرِ ، وهُوَ شِفاءٌ من كلِّ داءٍ

________________________

💠 Ibën Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Qumështi më i mirë për t’u konsumuar është mënjëherë pasi të jetë mjelur, pastaj vazhdon t’i humbet kualiteti me kalimin e orëve. Qumështi pasi që është mjelur, ka më pak ftohtësi dhe më shumë lagështi, kurse kosi e ka të kundërtën. Qumështi më i mirë për pirje konsiderohet ai që milet kur kanë kaluar dyzetë ditë pas lindjes së të voglit dhe qumështi më i mirë është ai që është më i bardhë, që ka erë të mirë, shije të këndshme, është paksa i ëmbël dhe ka yndyrshmëri mesatare, që milet nga kafsha e re dhe e shëndoshë, mesatarisht e majme dhe që ushqehet në kullota të mira dhe pi ujë të mjaftueshëm...

...qumështi në përgjithësi është një ndër pijet më të dobishme për trupin e njeriut për shkak të vlerave ushqimore dhe elementeve të gjakut që përmban ai; po ashtu për shkak se qumështi ka qenë pije e zakonshme në fëmijëri dhe është në përputhje me natyrshmërinë e lindur. Transmetohet në Dy Sahihat, se të Dërguarit të Allahut  në natën e Israsë iu ofrua një gotë me qumësht dhe një gotë me verë. Ai i shikoi ato dyja, pastaj e mori gotën me qumësht. Kështu Xhibrili i tha:

الْحَمْدُ لِلَّهِ الَّذِي هَدَاكَ لِلْفِطْرَةِ لَوْ أَخَذْتَ الْخَمْرَ غَوَتْ أُمَّتُكَ

“Falënderimi i takon Allahut që të ka udhëzuar në natyrshmërinë e pastër. Nëse ti do ta merrje verën, umeti yt do të devijonte.”

...qumështi i lopës e ushqen trupin, e bën atë produktiv dhe ndikon në zvogëlimin e barkut. Krahas qumështit të deleve dhe dhive, qumështi i lopës është më i përshtatshmi dhe më i miri për shkak të hollësisë, dendësisë dhe yndyrshmërisë së tij.”

-------------------

[1] Shejkh Albani e ka bërë sahih në “Es-Silsiletu es-Sahihah” (nr. 1943), po ashtu e kanë transmetuar Taberani (9/272-9164) dhe Hakimi (8224).

 

Përktheu: Jeton Shasivari