Bismilah...

Autori: Shejkh Abdul-Muhsin bin Hamed el-Abbad el-Bedër

Burimi: Sherh Sunen Ebi Daud, [578]

 

 

Transmeton nëna e besimtarëve, Ummu Selemeh – radijAllahu ‘anha – e cila ka thënë: Sa herë që dilte Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – nga shtëpia, e ngrinte shikimin e tij në qiell dhe thoshte:

 

اللَّهُمَّ إِنِّي أَعُوذُ بِكَ أَنْ أَضِلَّ أَوْ أُضَلَّ أَوْ أَزِلَّ أَوْ أُزَلَّ أَوْ أَظْلِمَ أَوْ أُظْلَمَ أَوْ أَجْهَلَ أَوْ يُجْهَلَ عَلَىَّ ‏

“Allahumme e’udhu biKe en edil-le eu udal-le, eu ezil-le eu uzal-le, eu edhlime eu udhleme, eu exhhele eu juxhhele ‘alejje.

“O Allah! Kërkoj Mbrojtjen Tënde që të mos i devijoj të tjerët e as të tjerët të mos më devijojnë mua! Që të mos i shtyj të tjerët në gabime (të qëllimshme apo të paqëllimshme) dhe as ata të mos më shtyjnë mua në gabime! Që të mos iu bëj padrejtësi të tjerëve dhe as ata të mos më bëjnë padrejtësi mua! Që të mos sillem me injorancë dhe marrëzi me të tjerët e as të tjerët të mos sillen me injorancë dhe marrëzi me mua!”

E ka saktësuar Shejkhul Albani në “Sahih Ebi Daud,” [5094].

 

 

Shejkh Abdul-Muhsin el-Abbad në shpjegimin e këtij hadithi thotë:

 

Fjala e tij në fillim të hadithit “e ngrinte kokën nga qielli,” qëllimi me këtë është që të tregojë për Lartësimin e Allahut – ‘Azze ue Xhel – mbi çdo gjë. Pra, ai i flet Allahut dhe i lutet Atij. Kjo është prej lutjeve të të Dërguarit fisnik, mbi të qofshin Salauatet dhe Selamet më të mira – që kur ai dilte nga shtëpia e tij, lutej me këtë lutje madhështore, e që është shpëtimi prej devijimit, gabimeve, padrejtësisë dhe injorancës.

Gjithashtu, është e ligjëruar ngritja e shikimit drejt qiellit gjatë bërjes së kësaj lutjeje ashtu siç ka vepruar i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem.

 

 

Përktheu: Servet Mata