Autor: Imam Abdul-Aziz ibën Baz
Burimi: Fetaua Nurun ‘ala Derb, kaseta 373
Burimi: http://www.binbaz.org.sa/node/20715
Pyetje: Vëllai ynë pyet dhe thotë: Te ne ekzistojnë disa zakone të lashta dhe shumica e njerëzve vazhdojnë se ndjekuri këto zakone, ato janë: kërkimi i faljes dhe tehlil-it (thënia la ilahe il-Allah) me murmuritje dhe këndime gjatë mbartjes së të vdekurit (xhenazes) dhe e quajnë këtë tesh’hudeh. Po ashtu, gjatë varrimit të të vdekurit lexojnë Kuran dhe e thërrasin ezanin, dhe pasi që të kenë mbaruar së varrosuri, njëri prej tyre rri afër kokës së tij dhe i thotë – pra duke iu drejtuar të vdekurit: “Nëse të vjen ai (meleku), atëherë thuaj kështu e kështu.” Cili është mendimi juaj për këtë? Allahu ju shpërbleftë.
Përgjigje: Kjo është bidat, nuk ka bazë. Sunneti në përcjelljen e xhenazes është: meditimi, ulja e zërit, reflektimi për përfundimin e të vdekurit, çfarë do t’i thuhet atij dhe me çfarë do të përgjigjet ai. I përkujton këto gjëra të mëdha, sepse edhe ti do përfundosh tek ajo që ka përfunduar ai. Andaj, besimtari duhet ta ndjejë këtë gjë të rëndësishme. Selefët (paraardhësit e devotshëm) – Allahu qoftë i kënaqur me ta – e ulnin zërin, nuk flisnin me zë të lartë në këto situata me xhenazet, përkundrazi e ulnin zërin dhe nuk flisnin vetëm se duke medituar, vështruar dhe këshilluar. I përkujtonin njerëzit më atë që është e hajrit, i thërrisnin (ju bënin da’uet) tek ajo që është e hajrit. Porse të thuash: thoni se vetëm Ai (Allahu) është i Vetmi, ose thoni “la ilahe il-Allah,” ose “SubhanAllah,” me zë të lartë, kjo jo (nuk lejohet), nuk është ligjëruar (në Sheriat), porse njeriu e thotë atë në vetvete.
Po ashtu, të thirret ezani te varri ose t’i mësojë njerëzit (diçka prej fesë) tek i njëjti varr apo pranë varrit, apo ta thërrasë ikametin pranë varrit apo tek i njëjti varr, këto janë gjithashtu bidate. Ose të lexojë Kuran tek varri, kjo po ashtu është bidat që nuk ka bazë për këtë, as në po të njëjtin varr apo pranë varrit, të gjitha këto janë bidate. Varrezat nuk janë sikur xhamitë, Pejgamberi – lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të – thotë:
اجْعَلُوا مِنْ صَلاَتِكُمْ فِي بُيُوتِكُمْ وَلاَ تَتَّخِذُوهَا قُبُورًا
“Falini një pjesë të namazeve tuaja në shtëpitë tuaja, e mos i bëni ato (shtëpitë) sikur varre.”
(Hadith) që tregon se te varret nuk falet namaz, dhe nuk lexohet Kuran. Ato s’janë si xhamitë. Po ashtu tallkini (diktimi i shehadetit), ku ai qëndron tek koka e tij gjatë varrosjes dhe i thotë: “Thuaj kështu e kështu, nëse meleku të pyet për këtë, thuaj kështu.” Këtë e quajnë tallkin, dhe thonë: “Kur të dalësh nga kjo dunja dëshmo se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, dhe se ti je i kënaqur me Allahun për Zot, me Islamin për fe, me Muhamedin për Pejgamber, dhe me Kuranin për imam,” si dhe gjëra tjera që i thonë, këto nuk kanë bazë (në fe).
Kanë ardhur disa transmetime të shpikura (meudu’ah) nga Pejgamberi – lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të – që nuk kanë bazë, që janë transmetuar nga disa banorë të Shamit, siç e kanë përmendur një grup (dijetarësh) porse vepra e tyre nuk është argument dhe as e njerëzve të tjerë. Argument është ajo që ka thënë Allahu, i Dërguari i Tij dhe për atë që Sahabët janë të një mendimi (ixhma). Kurse fjalët e disave që erdhën më vonë që nga tabi’inët (gjenerata që erdhën pas Sahabëve) ose etbau tabi’inët (gjenerata që erdhën pas tabi’inëve) nëse zgjidhnin ndonjë gjë (mendim) ose e shikonin ndonjë gjë (mendim), nuk është argument për njerëzit dhe nuk është fe. Fe është ajo që e ka ligjëruar Allahu dhe i Dërguari i Tij dhe me atë që ka urdhëruar Allahu dhe i Dërguari i Tij.
Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org
Përktheu: Jeton Shasivari
6 Korrik 2015