Bismilah...

Autor: Shejkh Sulejman bin Selimullah er-Ruhejli

 

 

Pyetje: Çfarë gjykimi ka shkrimi i emrit mbi varr për identifikimin e personit të varrosur, në mënyrë që gjatë vizitës së varrezave personi lutet për të për mëshirë dhe falje?!

 

Përgjigje: Kjo gjë nuk lejohet, dhe kjo për dy arsye:

 

Arsyeja e parë: Pejgamberi – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – e ka ndaluar shkrimin mbi varre dhe kjo është ndalesë e përgjithshme. Nuk ka ardhur asnjë përjashtim për këtë.

 

Arsyeja e dytë: Kjo gjë që përmendi vëllai, e që është nevoja e njeriut për ta njohur varrin e babait të tij, për shembull, ose varrin e nënës së tij, në mënyrë që ta vizitojë atë dhe të lutet për të, ose t’i japë selam, kjo nevojë ka qenë edhe në kohën e Pejgamberit – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – dhe e ka kërkuar nevoja një gjë të tillë dhe ka qenë e mundshme shkrimi mbi varr, megjithatë një gjë e tillë nuk u bë. Varri identifikohej dhe njihej me anë të gurëve që vendoseshin mbi të apo vendosej diçka e ngjashme me gurët.

 

Prandaj, shkrimi mbi varre nuk është i ligjësuar. Sepse për këtë gjë ka qenë nevoja edhe në kohën e Pejgamberit – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – dhe ka qenë e mundur veprimi i saj, por Pejgamberi – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – nuk e ka bërë. Kështu që, kjo tregon se shkrimi mbi varre nuk është i ligjësuar dhe nuk lejohet.

 

Pra, njeriu mund t'i vendosë varrit të ndonjërit prej të dashurve të tij shenja të qarta,  siç është: për të treguar anën e vendit dhe për t'u njohur numri i varreve, duke vendosur gurë apo sende të tjera të ngjashme. Me kaq të mjaftohet.

 

Allahu e di më së miri.

 

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org

Përktheu: Servet Mata