Autor: Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz
Burimi: Fetaua Nurun ‘ala Derb, vëll. 13, fq. 461-464
Pyetje: Shpresoj të më sqaroni metodën e larjes së xhenazes dhe qefinosjes së vdekurit si dhe dallimin midis qefinosjes së mashkullit dhe të femrës?
Përgjigje: Larja e të vdekurit është obligim kolektiv (fard kifajeh), sepse i Dërguari ka urdhëruar për larjen e të vdekurve. Kështu që ai lahet ashtu siç lahet besimtari i gjallë. Është obligim (uahxhib) që të lahet i gjithë trupi nga koka e deri tek këmbët një herë të vetme. Më mirë është që të fillohet larja me vendet e abdesit, ngase i Dërguari – lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të – urdhëroi që të fillohet me larjen e vendeve të abdesit. Kështu, i fshihen (me mes’h) dhëmbët dhe hunda, dhe më mirë është që t’i lahet fytyra tre herë, parakrahët bashkë me duart tre herë, t’i jepet mes’h kokës bashkë me veshët dhe t’i lahen këmbët, qoftë burrë apo grua.
Pastaj, i hidhet ujë kokës tre herë dhe lahet me ujë dhe Sidër. Pastaj, i hidhet ujë në trup duke filluar nga ana e djathtë para të majtës duke ia larë tërë trupin, një herë të vetme. Kjo është obligim. E nëse këtë e përsërit tre herë apo pesë herë, me numër tek të larjeve, kjo është më mirë. Nëse ka pisllëk apo papastërti që janë ngjitur në trup, e lan më shumë herë, derisa t’i largojë papastërtitë që janë ngjitur, edhe në qoftë se e lan shtatë herë, por më e mira është që numri i larjeve të jetë tek, derisa të largohen papastërtitë e ngjitura dhe të pastrohet me ujë dhe Sidër. Preferohet që në larjen e fundit uji të ketë kamfur apo diçka prej saj, sepse kjo i jep erë të mirë trupit dhe e forcon atë.
Pastaj, mbështillet me qefin i tërë trupi nga koka e deri të këmbët. Është më mirë nëse qefinosja bëhet me tre pëlhura, ashtu siç u mbështoll i Dërguari – lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të – me tre pëlhura, të cilat shtrohen njëra mbi tjetrën dhe mbështillet me to. Pastaj, pjesa e qefinit që kalon përtej kokës dhe poshtë këmbëve lidhet me një rrip dhe gjithashtu lidhet edhe mesi, në mënyrë që të mos të dalin qoshet e qefinit.
Kur xhenazja vendoset në lahd (çarje anësore në fund të varrit në anën që shikon nga Kibla) lejohet zgjidhja e nyjeve dhe të mbetet ashtu. Nëse i vdekuri qefinoset me kamis (rrobë që vishet sipër mesit) që është prerë për të vdekurin dhe izar (rrobë që vishet poshtë mesit), kjo mjafton. Kurse gruaja qefinoset me kamis, izar dhe khimar (rrobë që gruaja mbulon fytyrën dhe shpatullat) në kokën e saj dhe është më mirë që ajo të mbështillet me dy pëlhura, pesë copa izar, kamis dhe khimar në kokën e saj.
Pastaj, ajo mbështillet me dy pëlhura dhe lidhet sipër kokës, poshtë këmbëve dhe në mes, në mënyrë që qefini të rrijë i rregulluar. Kjo është më e mira për qefinosjen e gruas.
Në raste vdekjeje, njëri merr përsipër mbështjelljen me qefin, tjetri i hedh ujin, dhe pjesët e turpshme duhet të mbulohen nga kërthiza e deri të gjunjët. Pjesët e turpshme duhet të mbulohen dhe të hidhet ujë sipër trupit të tij derisa të pastrohet ashtu siç u tha më lartë.
Gjatë larjes së parë, i ngrihet paksa koka dhe shpina në mënyrë që të lehtësohet dalja e ndonjë gjëje. Pastaj, pjesët e turpshme pastrohen me rrobë dhe lahen me ujë në mënyrë që të largohet ajo që ka dal nga trupi i tij. Pastaj, i jepet abdes siç ka ardhur me Sheriat në të gjitha pjesët e tij ashtu siç u përmend më lart; fillon me mes’h të gojës dhe hundës, larjen e fytyrës, duarve, dhënien mes’h kokës bashkë me veshët, dhe më në fund këmbët – siç u përmend më sipër. Pastaj, i gjithë trupi i të vdekurit duhet të lahet me ujë. Kjo është metoda e ligjëruar me Sheriat për të vdekurin, dhe është larje e cila është obligim. Sepse Pejgamberi – lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të – për atë që vdiq në Arafat, tha:
اغْسِلُوهُ بِمَاءٍ وَسِدْرٍ
“Lajeni me ujë dhe Sidër.”
Dhe ai – alejhi salatu ue selam – urdhëroi gratë që ta lanin vajzën e saj (të një gruaje) tre, pesë, apo shtatë herë, numër tek të larjeve, dhe urdhëroi që të fillojnë me larje nga e djathta duke filluar me larjen e pjesëve të abdesit. Kjo tregon se kjo është mënyra më e mirë dhe më e plotë e larjes së xhenazes. Kjo larje të jetë me ujë që ka Sidër në të dhe ai i urdhëroi që në larjen e fundit të ketë kamfur, siç u përmend më sipër.
Ai që e lan xhenazen, është e pëlqyer që të lahet. Pejgamberi – lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të – lahej pasi që mbaronte së lari të vdekurin. Kjo është më e mira. Disa dijetarë janë të mendimit se e ka detyrë të marr abdes pasi që të ketë mbaruar së lari të vdekurin. Këtë e kanë thënë një grup dijetarësh dhe është transmetuar nga disa prej Sahabëve. Më e mira është që të marr abdes dhe të lahet.
Përktheu: Jeton Shasivari