Bismilah...

Autor: Shejkh el-Albanij

 

 

Pyetje: Për sa i përket çështjes së divorcit o Shejkh, nëse burri i thotë gruas së tij: “Je e divorcuar” gjatë një problemi apo debati apo diçka të ngjashme, cilat janë kushtet që duhet të përmbushen në mënyrë që të bëhet divorci në përputhje me sheriatin?

 

Përgjigje: Në të vërtetë divorci është një sistem në sheriatin Islam, i cili i ngre lart kokat e Muslimanëve, mirëpo divorci në praktikën e Muslimanëve po ua ul kokën poshtë atyre, për shkak të injorancës që kanë ata për sistemin Islam.

 

Së pari, divorci nuk bëhet veçse pasi që të jetë menduar mirë dhe të ketë marrë parasysh gjithçka, domethënë burri mendon se jeta me këtë grua nuk ecën më normalisht, prandaj duhet patjetër të zgjedhë njërën nga dy çështjet, më e mira prej tyre prapë se prapë është e hidhur. Mirëpo ka të hidhur dhe ka akoma edhe më të hidhur. Pra, ai duhet të shohë se, nëse më e hidhura është që gruaja të qëndrojë me të, atëherë ai duhet të ndahet nga ajo, edhe pse ndarja nga ajo është e hidhur. Për arsye se ai duhet patjetër që të zgjedhë nga dy të këqijat të keqen më të vogël. Kjo do të thotë se divorci duhet të bëhet vetëm atëherë kur të jetë menduar mirë dhe të ketë marrë parasysh gjithçka. Kjo nxirret nga shumë tekste në Kur`anin fisnik dhe në Sunetin autentik. Në Kur`an, thotë Zoti i njerëzimit:

 

وَإِنْ عَزَمُوا الطَّلاقَ فَإِنَّ اللَّهَ سَمِيعٌ عَلِيمٌ

“E, nëse vendosin të divorcohen, vërtet, Allahu dëgjon dhe di çdo gjë.” [el-Bekarah, 227]

 

Pra, divorci ndodh vetëm mbasi që të jetë marrë vendimi. Dijetarët e ndajnë në tre grada atë që njeriu mendon në vetvete, e pas atyre vjen veprimi. Grada e parë është mendimi që i vjen ndërmend njeriut ndonjëherë, pastaj ikën. Ky është mendimi që të vjen ndërmend. E nëse ky mendim që i erdhi ndërmend përforcohet dhe zë vend në shpirtin e njeriut, atëherë është synim. E nëse ky synim përforcohet, aq sa nuk mbetet më pas tij veçse kalimi në veprim, atëherë kjo është vendosmëri. Zoti ynë Krenar e i Madhërishëm, me Urtësinë dhe Drejtësinë e Tij mbi robërit e Tij, nuk e merr në llogari Muslimanin për çdo gjë që i vjen ndërmend, madje edhe nëse arrin në gradën e tretë, që është vendosmëria, përveçse në rastin kur kjo vendosmëri shoqërohet me veprimin. Prandaj ka thënë i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –:

 

إِنَّ اللهَ تَجَاوَزَ لأُمَّتِي مَا حَدَّثَتْ بِهِ أَنْفُسَهَا مَا لَمْ يَتَكَلَّمُوا أَوْ يَعْمَلُوا بِهِ

“Me të vërtetë Allahu ia ka falur Umetit tim mendimet që u vijnë atyre ndërmend, për sa kohë që nuk i shprehin ose nuk i veprojnë.” [Transmetuar nga Bukhari, Muslimi etj.]

 

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org

 

Përktheu: Alban Malaj