Bismilah...

Autor: Abdul-Azijz Ibën Baz

Burimi: https://binbaz.org.sa/fatwas/9354/العدل-بين-الزوجات-مطلب-شرعي

 

 

Pyetësi: Shejkh bujar, babai im është i martuar me tre gra, njëra prej tyre është nëna ime. Por, babai im nuk shkon te nëna ime që prej një kohe që i kalon përafërsisht gjashtë vjet, duke pasur parasysh që ajo është nëna e fëmijëve të tij. Kjo ka qenë për shkak se babai im vinte gjithmonë natën vonë kur ishte radha e saj, ndryshe nga ç’vepronte me gratë e tjera. E nëna ime nuk e duronte dot më këtë gjendje, këtë padrejtësi dhe të tjera si këto, prandaj i tha atij: nëse vazhdon të vish kështu dhe të jesh kështu me mua, mos hajde fare. Pyetja ime është: A e ka gjynahun babai im që ka gjashtë vjet që e ka lënë nënën time apo e ka nëna ime që i tha mos hajde? A ka gjynah ajo, pasi ajo kishte për qëllim ardhjen në orët e vona në shtëpi nga ana e burrit, dhe po ashtu ai sillte me vete fëmijën (e gruas tjetër), duke e vënë atë të flejë bashkë me nënën time? Shpresoj nga ju një përgjigje shejkh bujar.

 

Përgjigje: Nuk ka dyshim që ai ka gabuar sepse ai e ka obligim të mbajë drejtësi. Përveç në rastin kur ai i ka thënë më parë: ose prano kështu ose ndahu. Ama fakti që ka tre gra dhe neglizhon në hakun e nënës tënde dhe shkon tek ajo natën vonë dhe e lë pas dore, kjo është vepër e shëmtuar, nuk lejohet, është zullum. Përkundrazi, ai e ka obligim që të mbajë drejtësi ose ta ndajë. Vetëm në rastin kur ajo pranon vetë dhe i thotë: pranoj edhe nëse nuk vjen ..po erdhe mirë.. po nuk erdhe prapë mirë. Pra, nëse ia lejon vetë s’ka problem. Seuda – radijAllahu anha –, nëna e besimtarëve, e bija e Za’mas, kur Pejgamberi – sal-lAllahu alejhi ue selem – donte ta ndante, ajo i tha: “O i Dërguari i Allahut, më lër të jem në përgjegjësinë tënde dhe unë ia fal hakun tim Aishes.” Kështu, e mbajti në përgjegjësinë e tij dhe vazhdoi të jetë gruaja e tij dhe nuk e divorcoi, me pëlqimin e saj.

 

Atëherë, nëse nëna jote ia lejon vetë atij, nuk ka problem, në të kundërt ajo ka të drejtë që të kërkojë divorcin; ose ai të mbajë drejtësi ose ta ndajë. Dhe gjynahun e merr ai nëse ajo nuk e lejon atë që të mos shkojë tek ajo (kur ajo ka radhën e saj). Po.

 

Përktheu: Umm Akil