Autor: Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (1420 h.)
Burimi: Fetaua el-Xhamië el-Kebir
Pyetje: Cili është gjykimi i poligamisë? A është bazë apo lejim? Cila është domosdoshmëria për t’u zbatuar ky lejim, nëse ajo është vetëm lejim?
Përgjigje: Poligamia është afrim dhe bindje ndaj Allahut, e nuk është thjesht një gjë e lejuar. Poligamia është afrim dhe bindje ndaj Allahut si dhe vepër e mirë për të shtuar Umetin, për të ruajtur nderin e burrave dhe grave, e gjithashtu poligamia u jep fund shkaqeve të degjenerimit dhe imoralitetit. Allahu, i Madhërishëm dhe i Lartësuar ka thënë:
وَإِنْ خِفْتُمْ أَلَّا تُقْسِطُوا فِي الْيَتَامَى فَانْكِحُوا مَا طَابَ لَكُمْ مِنَ النِّسَاءِ مَثْنَى وَثُلَاثَ وَرُبَاعَ
"E në qoftë se frikësoheni se nuk do të jeni të drejtë ndaj jetimeve, atëherë martohuni me ato gra që ju pëlqejnë, dy ose tri ose katër." [En-Nisa, 3]
Pra Ai, i Madhërishmi e i Lartësuari, urdhëroi martesën me dy ose me tri ose me katër. Profeti ynë, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, ishte i martuar me nëntë gra; ai vdiq duke qenë i martuar me nëntë gra. Po ashtu ishte i martuar edhe me dy gra më parë dhe kishte edhe dy robëresha - 'alejhis-salatu ues-selam -.
Ajo që është për qëllim është se poligamia kërkohet atëherë kur burri ka mundësi ta bëjë atë dhe është i drejtë në poligami. Nëse ka mundësi dhe është i drejtë, atëherë i lejohet që të martojë më shumë se një grua, që ta shtojë Umetin, të ruajë nderin e tij dhe ta ulë shikimin. Po ashtu që të ruajë edhe nderin e atyre grave që Allahu ia ka mundësuar t’i martojë dhe që ta shtojë numrin e pasardhësve dhe numrin e Umetit përmes poligamisë. Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - ka thënë:
تزوجوا الودود الولود، فإني مكاثر بكم الأمم يوم القيامة
“Martoni ato gra që janë të dashura dhe që lindin shumë sepse Ditën e Gjykimit unë do të mburrem para popujve të tjerë me numrin tuaj të madh.”
Në një transmetim tjetër ka ardhur:
مكاثر بكم الأنبياء يوم القيامة
“...unë do të mburrem para Pejgamberëve të tjerë me numrin tuaj të madh.”
Pra, shtimi i numrit të atyre që e adhurojnë Allahun në tokë, që bëjnë të mira në tokë dhe pasojnë thirrjen e Dërguarit, kjo është një mirësi e madhe.
Ne e lusim Allahun që t'i drejtojë Muslimanët në udhëzim, në drejtësi dhe t’u japë atyre gra të devotshme dhe burra të devotshëm.
Nëse ekziston një burrë i devotshëm ose një grua e devotshme, atëherë kjo është një mirësi e madhe dhe një dobi e madhe. Të gjithë e dimë se njerëzit mund të preken nga luftërat, sëmundjet dhe të tjera nga këto dukuri.
Poligamia ka dobi të shumta:
Allahu ia mundëson burrit që të ruajë nderin e tij përmes poligamisë dhe ai të mos shikojë në harame. Kjo është kështu sepse gruaja mund të preket nga ndonjë sëmundje, të jetë me menstruacione, të jetë lehonë, të jetë në një gjëndje që e pengon burrin të shuajë epshin e tij. Nëse ai ka gruan e dytë, të tretën ose të katërtën, atëherë ai përfiton nga njëra si dhe nga tjetra. Kjo bën të mundur që ai të shuajë epshin e tij, të ruajë nderin e tij dhe të ulë shikimin e tij.
E njëjta gjë është edhe me gratë. Ka gra që janë sprovuar me varfëri, apo kanë ngelur të pamartuara për shkak të luftërave, e nëse ajo është nën kujdesin e një bashkëshorti që e mbështet atë, është i dashur me të, sillet mirë me të dhe e mbron atë, atëherë që ajo të jetë gruaja e katërt e një burri, apo gruaja e tretë apo gruaja e dytë, është më mirë sesa të mbetet pa martuar fare.
Dobitë dhe mirësitë e poligamisë janë shumë, nëse në të ekzistojnë drejtësia, qëndrueshmëria në fe, frika ndaj Allahut dhe këshillat e sinqerta. Nëse gjenden këto, atëherë mirësia është shumë e madhe.
Por nëse në poligami ekzistojnë padrejtësia dhe shkelja e të drejtave, atëherë në këtë rast nuk lejohet poligamia.
Nga ana tjetër, poligamia është e lejuar dhe e ligjësuar nëse ka drejtësi, qëndrueshmëri në fe, dhe qëndrime të drejta nga ana e burrit ndaj grave. Po ashtu, të mbahet drejtësi në shpenzimet e tij që bën për gratë dhe në të gjitha çështjet e tjera të grave.
Vetëm Allahut i kërkojmë ndihmë.
Përktheu: Durim Polloshka