Bismilah...

Autor: Sulejman bin Selimullah er-Ruhajli

 

Pyetje: Unë jam një burrë i martuar, por shejtani hyn shumë midis meje dhe gruas sime. Unë nuk sillem mirë me të, ndryshe me shokët dhe miqtë e mi, me të cilët sillem mirë. A ke ndonjë këshillë për mua për këtë çështje?

Përgjigje: Nuk ka dyshim o vëllezër, se të sillesh me moral të mirë me gruan, kërkon shumë mund, për shkak se njeriu kur është me shokët e tij shtiret (që të duket mirë përpara tyre) dhe kur hyn te familja e tij, e heq maskën e shtirjes, kështu që ai ka nevojë që moralin e mirë ta bëjë vyrtyt të tijin. Prandaj, ai duhet të mundohet shumë në komunikimin me gruan e tij, në marrëdhënie me gruan e tij. Ai duhet të synojë me sjelljen e mirë ndaj gruas, që të afrohet tek Allahu – Azze ue Xhel-le – pra, me këtë sjellje ai afrohet tek Allahu.

Ai duhet të lexojë jetëshkrimin e Pejgamberit – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – sa i mirë ishte morali i tij me gratë e tij – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Ai duhet ta lexojë jetëshkrimin e Pejgamberit – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – dhe ta marrë atë si shembull të mirë. Le të shohë se si Pejgamberi – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – kur u pyet: “Kush është njeriu më i dashur te ty?” Ai tha: “Aishah - radijAllahu anha.” E pyetën pastaj: “Po nga burrat?” Ai tha: “Babai i saj.” Nuk tha: Ebu Bekër es-Siddik, por tha “babai i saj”, madje edhe kur u pyet për burrat (nuk e përmendi Ebu Bekrin me emrin e tij por) ia atribuoi përemrit të saj – radijAllahu anha ue erdaaha.

(Le të shohë në jetëshkrimin e tij po ashtu) kur hyri një djalosh dhe me vete kishtë një enë, të cilën e kishte dërguar si dhuratë për Pejgamberin – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – njëra prej grave të Pejgamberit – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – pikërisht në ditën kur Aishah – radijAllahu anha – kishte radhën e saj. Kur djaloshi hyri me dhuratën që e kishte dërguar nëna e besimtarëve, nënën tonë Aishën e kapi një dridhje; si mund t’i jepet dhuratë Pejgamberit – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – nga një prej grave të tij, në ditën kur e kishte radhën Aishah?! Kështu që, ajo e hodhi enën nga dora e djaloshit dhe ena ra përtokë e u thye. Pastaj Pejgamberi – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – filloi të mbledhë ushqimin në tokë dhe kerkoi një enë tjetër nga shtëpia e Aishës – radijAllahu anha – dhe e hodhi aty ushqimin, ndërkohë që thoshte: “U bë xheloze nëna juaj, u bë xheloze nëna juaj.” As nuk e ofendoi, as nuk e shau, por nisi të mbledhë ushqimin me dorën e tij fisnike, e vuri atë në enë dhe thoshte: “Ushqim për ushqim, enë për enë.” Dhe thoshte: “U bë xheloze nëna juaj, u bë xheloze nëna juaj.”

(Le të shohë në jetëshkrimin e tij) se si Pejgamberi – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – e kruante mishin nga kocka në të njëjtin vend ku kishte ngrënë Aishah – radijAllahu anha. Apo se si e vendoste buzën e tij në të njëjtin vend ku kishte pirë Aishah – radijAllahu anha.

(Le të shohë në jetëshkrimin e tij) se si Pejgamberi – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – duke qënë në moshë të shtyrë, duke qënë Pejgamberi i Allahut dhe duke qënë udhëheqës i Umetit, megjithatë dilte me ushtrinë për të luftuar në rrugë të Allahut, me vete kishte sahabët e tij dhe kishte edhe Aishën – radijAllahu anha. U thoshte shokëve të tij: “Shkoni përpara, shkoni përpara.” E ata iknin përpara kurse ai e mbante Aishën me vete – radijAllahu anha ue ardaaha – dhe i thoshte: “O Aisheh, hajde të bëj garë me ty!”

SubhanAllah! Ai ishte Pejgamber – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ishte në moshë të shtyrë, ishte udhëheqësi i Umetit dhe për më tepër kishte shkuar për të luftuar në rrugë të Allahut, e megjithatë ai e lë ushtrinë të shkojë përpara, vetë rri mbrapa dhe i thotë Aishës – radijAllahu anha: “Hajde të bëj garë me ty!”, sepse Aishah ishte e vogël në moshë – radijAllahu anha, kështu që bënte gara me të dhe ajo ia kalonte atij sepse ishte e dobët.

Më pas, mbas shumë viteve, Pejgamberi – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, dilte me ushtrinë, me shokët e tij dhe u thoshte shokëve të tij: “Shkoni përpara, shkoni përpara!” dhe ata shkonin përpara, kurse ai i thoshte Aishës: “Hajde të bëj garë me ty”, dhe kjo ndodhi kur Pejgamberi – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – ishte i shtyrë në moshë. Pra, ai bënte gara me të dhe ia kalonte asaj. Pastaj ia gëzonte zemrën duke i thënë: “O Aisheh, kjo është hakmarrje për atë herën e shkuar. Në atë vit ma kalove ti, kësaj radhe ta kalova unë.”

La ilahe il-la Allah, çfarë morali! Gruaja për këto gjëra ka nevojë nga burri, nga bashkëshorti i saj, që ai t’ia gëzojë zemrën me fjalë të mirë, me vepër të mirë dhe sjellje të mirë.

O vëlla, lexoje jetëshkrimin e Pejgamberit – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, pasoje atë, mëso prej tij dhe kërko mbrojten e Allahut nga shejtani i mallkuar.

 

Përktheu: Umm ‘Akil