Autor: Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (1420 h.)
Burimi: Fetaua Nurun ‘ala Derb, vëll. 21, fq. 244
Pyetje: A keni ndonjë fjalë për bashkëshortët se si duhet të sillen me gratë, o Shejkh i nderuar?
Përgjigje: Po, këshilla ime për bashkëshortët është që t’i frikësohen Allahut, këshilla ime për të gjithë bashkëshortët është që t’i frikësohen Allahut në lidhje me gratë e tyre dhe t’i trajtojnë ato me butësi dhe sjellje të mirë, siç ka thënë Allahu – Azze ue Xhel-le:
وَعَاشِرُوهُنَّ بِالْمَعْرُوفِ
“Kaloni jetë të mirë me to.” [En-Nisa, 19]
Duke u thënë fjalë të mira, me mënyra të mira, me vetëpërmbajtje, me moral fisnik, duke i’u dhënë atyre të drejtat e tyre të plota; kjo është ajo që kanë detyrë të gjithë bashkëshortët. Allahu thotë:
وَلَهُنَّ مِثْلُ الَّذِي عَلَيْهِنَّ بِالْمَعْرُوفِ وَلِلرِّجَالِ عَلَيْهِنَّ دَرَجَةٌ
“Gratë kanë aq të drejta sa kanë edhe detyra, sipas arsyes së shëndoshë, ndonëse burrat kanë një shkallë (më shumë përgjegjësie) mbi ato.” [El-Bekare, 228]
Ashtu siç do ti që ajo të sillet mirë me ty dhe të jetë e mirë me ty në moralin dhe sjelljen e saj, ashtu duhet të jesh edhe ti me të. Allahu thotë:
وَلَهُنَّ مِثْلُ الَّذِي عَلَيْهِنَّ بِالْمَعْرُوفِ
“Gratë kanë aq të drejta sa kanë edhe detyra, sipas arsyes së shëndoshë.” [El-Bekare, 228]
Fakti që haku yt është një gradë më lart, kjo nuk do të thotë që ti të sillesh keq me të, t’i bësh zullum asaj, jo! Ti e ke obligim që të kesh moral të mirë me të, të kalosh jetë të mirë me të, t’i përmbushësh obligimet ndaj saj, të kryesh obligimin e shpenzimit për të në mënyrë të mirë, të flasësh me të në mënyrë të mirë dhe t’i drejtohesh asaj në mënyrë të mirë. Kjo është detyra që kanë të gjithë bashkëshortët, që t’i frikësohen Allahut, t’i trajtojnë mirë gratë e tyre me fjalë të mira, me mënyra të mira, me sjellje të mirë, të mos e kalojnë jashtë gjithë natën e të mos jenë të mangët në shpenzime, e gjitha kjo është obligim për ta.
Ti e ke detyrë që të shpenzosh për gruan në mënyrë të mirë dhe kujdes që mos ta kalosh natën zgjuar sepse kjo e dëmton gruan tënde, dëmton veten tënde dhe është shkak për prishjen e fesë tënde.
Është sherr shumë i madh që ta kalosh natën zgjuar sepse kjo bëhet shkak që të humbasësh namazet farz, po ashtu ka gjasa që ta kalosh natën nën shoqërinë e njerëzve të këqinj, që të dëmtojnë ty dhe të shpien në lloje të ndryshme të denegjenerimit, prandaj ki kujdes.
Pejgamberi – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – ka ndaluar nga qëndrimi zgjuar pas namazit të jacisë. Pra, suneti është që pas jacisë të kthehesh në shtëpinë tënde, të flesh me familjen tënde, të qetësohesh në shtëpinë tënde dhe ta braktisësh gdhirjen pas jacisë.
Po ashtu, burri e ka detyrë që të ruhet nga shoqërimi me njerëz të këqinj. Sherri i shoqërimit me të këqinjtë është shumë i madh, prandaj është detyrë që të bësh kujdes që të shoqërohesh me njerëzit e mirë, të mos e gdhish natën, të kesh kujdes me pesë namazet, t’i falësh ato me xhemat, të kesh moral të mirë me gruan dhe t’i thuash asaj fjalë të mira, kështu pra… siç ka thënë Pejgamberi – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem:
خياركم خياركم لنسائهم
“Më i miri prej jush është ai që është më i miri për gratë e tij.” [1]
Allahu ka thënë – dhe kjo është më e madhe:
وَلَهُنَّ مِثْلُ الَّذِي عَلَيْهِنَّ بِالْمَعْرُوفِ
“Gratë kanë aq të drejta sa kanë edhe detyra, sipas arsyes së shëndoshë.” [El-Bekare, 228]
Gjithashtu ka thënë i Pastri nga çdo mangësi:
وَعَاشِرُوهُنَّ بِالْمَعْرُوفِ
“Kaloni jetë të mirë me to”. [En-Nisa, 19]
E lusim Allahun që t’i udhëzojë të gjithë!
___________________
[1] E ka nxjerrë Imam Ahmedi në Musnedin e tij, nga hadithi i Ebu Hurejrja – radijAllahu ‘anhu, nr. 7354.
Përktheu: Umm ‘Akil