Bismilah...

Autor: Muhamed ibën Salih el-Uthejmin

Burimi: Ahkamul-Ud’hijeti ue edh-Dhekat, fq. 59

 

 Transmetohet nga Umu Selemeh – radijAllahu ‘anha – se Pejgamberi – sal-lAllahu –‘alejhi ue sel-lem – ka thënë:

إذا رأيتم هلال ذي الحجةـ وفي لفظ : إذا دخلت العشر وأراد أحدكم أن يضحي فليمسك عن شعره وأظفاره

“Nëse e shikoni hënën e muajit Dhul-Hixheh – dhe në një transmetim tjetër qëndron – kur hyn Dhjetë Ditë-shi dhe ndonjëri prej jush dëshiron të presë kurban, le të përmbahet nga heqja (prerja) e qimeve dhe thonjve.”

Transmeton Ahmedi, Muslimi, Ebu Daudi, Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibën Maxheh.

 Në transmetimin e Muslimit, Ebu Daudit dhe Nesaiut qëndron:

فلا يأخذ من شعره شيئا حتى يضحي

“Të mos heqë diçka nga qimet (flokët) derisa ta presë kurbanin.”

 Po ashtu në transmetimin e Nesaiut dhe Ibën Maxhes qëndron:

فلا يمس من شعره ولا بشره شيئا

“Të mos heqë gjë nga qimet e tij e as nga lëkura e tij.”

Në këtë hadith ka ndalesë që të hiqet diçka nga qimet, thonjtë apo lëkura për atë që do të presë kurban, që kur hyn muaji i Dhul-Hixhes e derisa ta presë kurbanin. Nëse hyn Dhjetë Ditë-shi dhe nuk do të therë kurban, pastaj brenda Dhjetë Ditë-shit vendos të therë kurban, ai përmbahet nga këto (nga prerja apo heqja e flokëve dhe thonjve) duke filluar nga çasti që ka vendosur të presë kurban. Kurse, ajo që ai ka hequr prej tyre para se të vendoste që të therte kurban, nuk e dëmton atë.

Dijetarët – Allahu i Lartësuar i mëshiroftë – kanë rënë në mospajtim për këtë ndalesë, se a është e urryer (kerahijeh – mekruh) apo e ndaluar (tahrim – haram)? Sipas mendimit më të saktë kjo është e ndaluar, sepse origjina është tek ndalesa dhe nuk ka argument që ta largojë këtë ndalesë. Por nuk ka shlyerje për të nëse heq (diçka nga qimet, thonjtë, lëkura) për shkak të mungesës së argumentit për këtë gjë.

Urtësia për këtë ndalesë – dhe Allahu e di më së miri – është se përderisa ai që ther kurban ka disa gjëra të përbashkëta me atë që është në Ihram (haxhiun) – e që është afrimi tek Allahu përmes prerjes së Kurbanit – është prej urtësisë që t’i jepen atij disa prej dispozitave të tij (haxhiut).

Allahu ka Thënë për ata që janë në ihram (haxhinjtë):

وَلا تَحْلِقُوا رُؤُوسَكُمْ حَتَّى يَبْلُغَ الْهَدْيُ مَحِلَّهُ

“Mos i rruani kokat tuaja, derisa të arrijë kurbani në vendin e tij të caktuar.” El-Bekare, 196

Po ashtu është thënë: “Urtësia është se ai ther kurban që të arrijë shpërblimin e plotë dhe me qëllim që të lirohet nga Zjarri.” Ndoshta ai që e ka thënë këtë (prej dijetarëve) është bazuar tek ajo që është transmetuar (në hadithe) se Allahu i Lartësuar për çdo gjymtyrë të kurbanit (të prerë) do ta lirojë nga Zjarri çdo gjymtyrë të atij që ka bërë kurban. Por, Ibën Salah ka thënë se ky hadith është i panjohur dhe nuk i kemi gjetur zinxhir për ta vërtetuar këtë.

Pastaj ky (hadith) është i anuluar me atë që është transmetuar në Dy Sahihat dhe të tjerët nga hadithi i Ebi Hurejras se Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë:

"أَيُّمَا امْرِئٍ مُسْلِمٍ أَعْتَقَ اِمْرَأً مُسْلِماً, اِسْتَنْقَذ َ اَللَّهُ بِكُلِّ عُضْوٍ مِنْهُ عُضْوًا مِنْهُ مِنَ النَّارِ"

“Çdo njeri Musliman që liron një rob Musliman, për çdo gjymtyrë që ia ka shpëtuar atij robit, Allahu ka për t’ia shpëtuar nga zjarri çdo gjymtyrë të tij.”

Nuk i është ndaluar atij që do të lirojë një rob, që të heqë diçka nga flokët, thonjtë dhe lëkura derisa ta lirojë atë.

Po ashtu është thënë: “Urtësia e kësaj qëndron tek përngjasimi me atë që është në Ihram.” Por ky përngjasim shikohet dhe vështrohet. Ngase ai që ther kurban nuk e ka të ndaluar të parfumohet, të martohet, të dal për gjah, të vishet me tesha, gjëra të cilat i ndalohen atij që ka veshur Ihramin. Pra, ai që ther kurban dallon nga ai që ka veshur Ihram në shumicën e dispozitave.

Pastaj kam parë se Ibën Kajjim ka treguar se urtësia është të mos hiqen qimet dhe thonjtë në mënyrë që t’i heqë ato kur e therën kurbanin, që të arrihet plotësimi i kurbanit tek Allahu dhe të arrihet përsosja e adhurimit përmes këtij kurbani. Allahu e di më së miri.

Vërejtja e parë!

Disa prej njerëzve të thjeshtë Muslimanë mendojnë se ai që dëshiron të presë kurban dhe pastaj heq diçka nga qimet, thonjtë apo lëkura gjatë Dhjetë Ditë-shit, nuk do t’i pranohet kurbani i tij. Ky është gabim i qartë.

Nuk ka ndonjë lidhje midis pranimit të kurbanit dhe heqjes nga ato që u përmendën (qimet, thonjtë, lëkura). Por ai që heq diçka pa arsye, e ka kundërshtuar urdhrin e Pejgamberit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – i cili ka urdhëruar që të përmbahemi nga kjo gjë dhe ai person ka rënë tek ajo që është ndaluar të hiqet. Andaj, ai e ka detyrë të kërkojë falje te Allahu, të pendohet dhe të mos e përsërisë më këtë. E as për kurbanin e tij, heqja e tyre nuk është pengesë për mos-pranimin e kurbanit. 

Kurse ai i cili ka nevojë që të heqë diçka nga qimet, thonjtë apo lëkura, nuk ka problem. Si shembulli i atij që ka plagë dhe ka nevojë që shkurtojë qimet (flokët); apo shembulli i atij që i është thyer thoi dhe kjo e dëmton atë, ai e pret atë që e dëmton; apo ai që ka zbokth në lëkurë gjë e cila i sjell vështirësi, ai i heq ato. Për të gjitha këto që u përmendën më sipër, nuk ka ndonjë problem që t’i heqë.

Vërejtja e dytë.

Ajo që është e qartë nga hadithi dhe fjalët e dijetarëve se ndalesa e heqjes së qimeve, thonjve dhe lëkurës për atë që pret kurban, përfshin atë që bën nijet për të therur kurban për veten e tij apo nëse e dhuron atë për dikë tjetër (që t’i shkojnë shpërblimet të vdekurit apo të gjallit, sh.p.). Dhe kjo çështje është kështu. Disa nga shokët tanë (prej dijetarëve) kanë komentuar se ai që dhuron kurban për dikë tjetër, nuk e përfshin kjo ndalesë, kurse ajo që thamë ne është më parësore dhe më larg të dyshimtës.

Kurse atë që e kanë autorizuar për të therur kurban për dikë tjetër apo i është lënë porosi (nga i vdekuri) që t’i theret kurban, pa dyshim se atë nuk e përfshijnë këto ndalesa. Nga ana tjetër, ai i cili ther kurbanin dhe ajo që është e qartë në hadith dhe në fjalët e shumta të dijetarëve, është se këto ndalesa nuk e përfshijnë atë. Kështu që, i lejohet atij që të heqë diçka nga qimet, thonjtë dhe lëkura. Këtë e përforcon edhe kjo që Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – therte kurban për familjen e tij dhe nuk është transmetuar nga ai se i ndalonte nga këto gjëra.

Disa nga dijetarët e mëvonshëm kanë përmendur se ndalesat e përfshijnë edhe atë që ther kurban për tjetrin (të autorizuar), kështu ai nuk heq gjë nga qimet, thonjtë dhe lëkura, që kur hyn muaji i Dhul-Hixhes apo që nga çasti kur lajmërohet se do të therë kurban për tjetrin. Kjo është kështu ngase ai merr pjesë në shpërblim për atë që theret kurbani, dhe rrjedhimisht ai merr të njëjtin gjykim (sikurse ai për të cilin theret kurbani).

Allahu e di më së miri.

 

Përktheu: Jeton Shasivari