Bismilah...

 

Autor: el-Alameh Muhamed Ibn Salih el-‘Uthejmin rahimehullah
Burimi: “Minel-Ahkamul-Fik’hijeh fij et-Taharah ues-Salati uel-Xhena’iz”


Si pastrohet i sëmuri?

1 – I sëmuri e ka detyrë (uaxhib) që të pastrohet me ujë. Ai merr abdes për papastërtinë e vogël (el-hadeth el-asgar: siç është urina, fekalet dalja e gazrave, etj.) dhe merr gusl për papastërtinë e madhe (el-hadeth el-ekber: siç janë menstruacionet, lehonia, xhunubllëku.).

2 – Nëse ai nuk mund të pastrohet me ujë për shkak të paaftësisë apo për shkak të frikës mos përkeqësohet sëmundja e tij apo vonohet shërimi i sëmundjes, atëherë ai merr tejmum (d.m.th. pastrohet me dhè të pastër).

3 – Forma e kryerjes së tejmumit është duke vendosur të dyja duart mbi tokën e pastër një herë dhe me to fshin krejt fytyrën, pastaj fshin pëllëmbët e duarve, ku njëra dorë fshin tjetrën.

4 – Nëse ai nuk mund të pastrohet vetë, atëherë dikush tjetër mund ta ndihmojë atë për të marrë abdes apo tejmum.

5 – Nëse në pjesët e trupit që duhet të pastrohen ka ndonjë plagë, ai duhet ta lajë atë me ujë. Por nëse larja me ujë lë pasoja tek plaga, atëherë ai i njom duart me ujë dhe vetëm e fshin atë me dorë (d.m.th. i jep mes’h sipër plagës). Dhe nëse fshirja e plagës me dorë të lagur lë pasoja tek plaga, atëherë ai merr tejmum.

6 – Nëse ai ka ndonjë gjymtyrë të thyer të cilën e ka të lidhur me fasho apo me allçi, atëherë ai jep mes’h mbi fasho apo mbi allçi në vend që ta lajë atë. Ai nuk ka nevojë që të marrë tejmum pasi dhënia mes’h zëvendëson larjen.

7 – Lejohet të marrësh tejmum në mur apo në diçka që ka pluhur. Nëse muri është i lyer me diçka tjetër në vend të dhèut të tokës, si për shembull boja, atëherë ai nuk duhet të marrë tejmum me të përveç nëse ajo është e mbuluar nga pluhuri i dhèut.

8 – Nëse ai nuk merr dot tejmum në tokë apo në mur apo në ndonjë gjë tjetër që përmban pluhur dhèu, atëherë nuk është problem nëse ai hedh dhè në një enë apo shami dhe merr tejmum në të.

9 – Nëse ai merr tejmum për namaz dhe e mban gjendjen e pastërtisë (d.m.th. nuk e ka prishur tejmumin) deri në kohën e namazit tjetër, atëherë ai e fal atë namaz me tejmumin e parë dhe nuk merr sërish tejmum për namazin e dytë ngase ai vazhdon të jetë i pastër dhe nuk ka asnjë shkak që ta zhvlerësojë pastërtinë e tij.

10 – Është detyrë (uaxhib) për të sëmurin që ta pastrojë trupin e tij nga papastërtitë. Por nëse nuk ka mundësi, atëherë ai falet në atë gjendje që është dhe namazi i tij është i saktë (sahijh) dhe nuk e ka detyrë ta përsërisë namazin.

11 – Është detyrë (uaxhib) për të sëmurin që të falet me rroba të pastra. Nëse rrobat e tij bëhen pis (nga fëlliqësira të cilat e bëjnë të pavlefshëm namazin e tij), atëherë është detyrë (uaxhib) larja e tyre ose t’i ndërrosh me rroba të pastra. Por nëse ai nuk ka mundësi ta bëjë këtë, atëherë ai falet në gjendjen që është dhe namazi i tij është i saktë (sahijh) dhe ai nuk e ka detyrë ta përsërisë namazin.

12 – Është detyrë (uaxhib) për të sëmurin që të falet mbi diçka të pastër. Por nëse vendi (ku do falet) është i pistë, atëherë është detyre që vendi të lahet ose të ndërrohet me diçka të pastër ose ta fshijë atë me diçka të pastër. Por nëse nuk ka mundësi ta bëjë këtë, atëherë ai falet në gjendjen që është dhe namazi i tij është i saktë (sahijh) dhe ai nuk e ka detyrë ta përsërisë atë.

13 – Nuk i lejohet të sëmurit që ta vonojë namazin nga koha e tij e caktuar si rezultat i paaftësisë së tij për t’u pastruar. Por ai duhet të pastrohet brenda mundësive të tij dhe pastaj e fal namazin në kohën e tij edhe nëse në trupin e tij, në rrobat e tij apo në vendin ku falet ka papastërti të cilat nuk i heq dot.

Si falet i sëmuri?

1 – Është detyrë për të sëmurin që t’i falë namazet farz në këmbë edhe nëqoftëse është i kërrusur (d.m.th. nuk qëndron dot drejt) apo rri i mbështetur në mur apo në ndonjë shkop.

2 – Por nëse ai nuk qëndron dot në këmbë, atëherë të falet ulur. Por është më mirë që ai të falet i ulur këmbëkryq në vend të qëndrimit në këmbë dhe rukusë.

3 – Nëse ai nuk qëndron dot i ulur këmbëkryq, atëherë ai mund të falet duke qenë i shtrirë në brinjë i drejtuar kah kibla dhe ana e djathtë është më e mirë. E nëse ai nuk ka mundësi që të drejtohet kah kibla, atëherë ai mund të falet në çdo drejtim në të cilin ndodhet dhe namazi i tij është i saktë (sahijh) dhe ai nuk e ka detyrë ta përsërisë atë.

4 – Dhe nëse ai nuk falet dot duke qenë i shtrirë në brinjë, atëherë ai falet i shtrirë drejt me këmbët në drejtim të kiblës. Dhe më e mira është që ta ngrejë pak kokën që ta drejtojë atë kah kibla. Nëse ai nuk i drejton dot këmbët kah kibla, atëherë ai falet në çfarëdo pozicioni që të jetë dhe nuk e ka detyrë që ta përsërisë atë.

5 – Është detyrë (uaxhib) për të sëmurin që të bëjë ruku dhe sexhde në namazin e tij. Dhe nëse nuk i bën dot, ai bën një lëvizje me kokën e tij për të dyja ato (rukunë dhe sexhden), duke e ulur kokën pak më shumë se kur bën ruku. Nëse është i aftë të bëjë ruku por nuk është i aftë të bëjë sexhde, atëherë ai duhet ta bëjë rukunë në kohën përkatëse dhe bën një lëvizje për sexhden. Dhe nëse ai është i aftë ta bëjë sexhden por nuk është i aftë të bëjë ruku, atëherë ai duhet ta bëjë sexhden në kohën përkatëse dhe bën një lëvizje për rukunë.

6 – Nëse ai nuk është i aftë të bëjë lëvizje duke lëvizur kokën e tij për rukunë dhe sexhden, atëherë ai bën vetëm një shenjë duke mbyllur pak sytë për rukunë, dhe i mbyll pak më shumë për sexhden. Kurse që të lëvizësh gishtin, ashtu siç bëjnë disa prej atyre që janë të sëmurë, kjo nuk është e saktë dhe unë nuk di që kjo të ketë bazë në Kur'an apo Sunet apo në thëniet e dijetarëve.

7 – Nëse ai nuk është i aftë të bëjë lëvizje me kokën apo me sytë, atëherë ai duhet të falet me zemrën e tij duke bërë tekbir, duke lexuar Kur'an dhe duke bërë nijetin për ruku, sexhde, kijam dhe ku’ud (qëndrimin në këmbë dhe uljen) me zemrën e tij, duke e ditur që çdo njeri do të arrijë atë që ka patur për nijet.

8 – Është detyrë (uaxhib) për të sëmurin që të falë çdo namaz në kohën e caktuar dhe të bëjë aq sa ka mundësi nga obligimet në namaz. Nëse atij i bëhet e vështirë që të falë çdo namaz në kohën e caktuar, atëherë ai bashkon drekën (dhuhr) me ikindinë (asr) dhe akshamin (magrib) me jacinë (ishaa’), ose i bashkon ato duke falur ikindinë në kohën e drekës dhe jacinë në kohën e akshamit, ose duke e vonuar drekën deri në kohën e ikindisë dhe akshamin deri në kohën e jacisë, në varësi të asaj që ka më të lehtë personi. Kurse sabahu (fexhr) nuk bashkohet as me namazin para tij dhe as me namazin që vjen mbas tij.

9 – Nëse i sëmuri është në udhëtim për t’u kuruar në një vend tjetër, atëherë ai i shkurton namazet që janë me katër rekate. Kështu, ai fal drekën, ikindinë dhe jacinë me dy rekate secilin prej tyre, derisa të kthehet në vendin e tij, qoftë udhëtimi i tij për një kohë të gjatë apo të shkurtër.

Dhe Allahu është Dhënësi i Suksesit.

Shkroi:
I varfëri tek Allahu, Muhamed Salih el-‘Uthejmin
Më, 9/1/1403 Hixhrij

 

Përktheu Alban Malaj