Autor: Shejkh Abdul-Azijz Ibën Baz
Burimi: http://www.binbaz.org.sa/node/2249
Pyetja: Kjo letër vjen nga dëgjuesja S. M. nga Xhideja dhe thotë: Ka shumë gjëra që ndodhin gjatë ditës, dhe nuk e di a prishet abdesi apo jo? Do ta përmend me pika dhe shpresoj që të ma sqaroni çfarë e prish abdesin e çfarë nuk e prish, psh: prekja e pajisjeve hidrosanitare nëpër tualete, po ashtu qëndrimi zbathur mbi pllakat e tualeteve, prekja e rrobave të fëmijës të lagura nga urina, prekja e bashkëshortit apo puthja e tij, ngrënia apo pirja menjëherë pas marrjes së abdesit apo para fillimit të namazit.
Përgjigje:
1 – Prekja e pajisjeve hidrosanitare dhe pllakave të banjës zbathur, të gjitha këto nuk e prishin abdesin, por nëse në pllaka ka ndytësi dhe gruaja apo burri e shkel atë, kjo nuk e prish abdesin, por ama duhet që të dy t’i lajnë këmbët nëse e kanë shkelur dhe ajo (ndytësia) është e njomë apo e ka këmbën të njomë.
2 – Prekja e rrobave të fëmijës të lagura nga urina, nuk e prish abdesin, por ai që e prek atë dhe ajo është e njomë, duhet ta lajë dorën. Po kështu edhe nëse është e thatë dhe dora e tij është e njomë, atëherë duhet ta lajë dorën.
3 – Prekja e bashkëshortit apo puthja e tij, nuk e prish abdesin sipas mendimit më të saktë të dijetarëve, po kështu edhe nëse ai e prek atë, nuk e prish abdesin e tij, qoftë ajo me epsh apo pa epsh, për aq kohë sa nuk del spermë apo medhij (lëngu që del nga epshi). Përveç në rastin kur njëri prej tyre prek organin e tjetrit, në këtë rast prishet abdesi.
Ndërsa Thënia e të Lartësuarit:
أَوْ لامَسْتُمُ النِّسَاءَ
“…ose keni prekur gratë…” [el-Ma`ideh, 6],
Ajo që kihet për qëllim këtu është marrëdhënia seksuale, sipas mendimit më të saktë të dijetarëve të Tefsirit. Siç ka thënë Ibën Abbasi – radijAllahu anhuma – dhe një grup i madh i njerëzve të dijes. Dhe është vërtetuar nga i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – se ai i puthi disa prej grave të tij, pastaj u fal dhe nuk mori abdes. Por nëse del medhij (lëngu që del nga epshi), atëherë kujt i del medhiju, e ka detyrë që të marrë abdes për namaz etj… pasi që ai të lajë organin e tij dhe pasi që gruaja të lajë organin e saj. Por nëse ajo që del është spermë, atëherë e ka detyrë marrjen e guslit.
4 – Ngrënia ose pirja menjëherë pas abdesit apo përpara fillimit të namazit, nuk e prish abdesin dhe as nuk ka ndonjë të keqe. Përveç se në rastin kur han mish deveje, ai me këtë e prish abdesin. Ama mishi i deles, mishi i lopës, mishi i gjahut dhe lloje të tjerë mishrash të lejuar, këto nuk e prishin abdesin. Por vetëm mishi i devesë në veçanti e prish abdesin, ngase Pejgamberi – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – ka thënë:
توضؤوا من لحوم الإبل ولا توضؤوا من لحوم الغنم
“Merrni abdes kur hani mish deveje dhe mos merrni abdes kur hani mish deleje.”
Dhe dikush e pyeti atë – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – e i tha:
فقال يا رسول الله: أنتوضأ من لحوم الغنم؟
قال: إن شئت، ثم قال: أنتوضأ من لحوم الإبل؟ فقال: نعم
“O i Dërguari i Allahut, a të marrim abdes kur hamë mish deleje?” Tha: “Nëse dëshiron”. Pastaj tha: “A të marrim abdes kur hamë mish deveje?” Tha: “Po.” E Transmeton Muslimi tek Sahihu.
5 – Prekja e personave të huaj pas marrjes së abdesit, kjo ka shtjellim. Nuk bën që gruaja të prekë as burrin e huaj e as të tjerë, nëse nuk është prej mahremëve. Por, nëse e prek atë, prek dorën e tij apo këmbën e tij, abdesi nuk prishet. Po kështu edhe nëse prek dorën e vëllait apo dorën e babit apo dorën e xhaxhait apo puth kokën e tij apo puth hundën e tij (sh.p kjo gjë është traditë tek arabët) etj… pra siç u përmend më lartë, nga kjo gjë nuk prishet abdesi. Ama nuk lejohet që të preket dora e burrit të huaj që nuk është prej mahremëve, as t’i jepet dora e as të preket gjë prej trupit të tij dhe as ai nuk e prek atë (gruan). Por, e përshëndet atë vetëm me fjalë, pa e prekur: si je o filan? Alejkumus-selam. Esselamu alejkum. Si janë fëmijët? Si e ke familjen?...e të tjera si këto, pa i dhënë dorën, pa u zbuluar dhe pa u prekur. Por duhet të mbulojë prej tij fytyrën e saj, flokët dhe trupin dhe ta përshëndesë atë vetëm me fjalë, ashtu siç u përmend më lartë.
6 – Ndërsa dëfrimi me bashkëshortin, është gjë e mirë dhe e ligjëruar. Kështu që, është e ligjëruar me sheriat që ajo ta dëfrejë burrin e saj dhe ai ta dëfrejë atë. Dhe kjo është prej Sunetit të Dërguarit – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – me familjen e tij. Se ai – alejhis-salatu ues-selam – dëfrehej me to dhe abdesi nuk prishej, nëse dëfrimi është me puthje.
Përktheu: Umm ‘Akil