Bismilah...

Burimi: Mexhmu'u Fetaua ue Mekalat Muteneui’ah, 30/141

 

Pyetje: A lejohet të falesh pas atij që e rruan mjekrën?

Përgjigje: Namazi pas tij është i saktë, sepse ai është mëkatar dhe nuk është kafir. Namazi lejohet të falet pas çdo mëkatari sipas mendimit më të saktë.

Shumë njerëz të dijes thonë se namazi pas atij që është fasik (ai që e shfaq hapur mëkatin e tij) nuk është i saktë. Si për shembull, ai që rruan mjekrën e tij, ai që pi alkool, ai që nuk i respekton prindërit e tij, ai që përdor kamatë, ai që njihet për përgojim, thashetheme e të ngjashme me to. Ndërsa disa prej njerëzve të dijes thonë se namazi pas tyre është i saktë.

Por, mendimi më i saktë është se namazi është i saktë përderisa nuk është gjykuar mbi ta me kufër. Ndërsa pas kafirit nuk lejohet të falesh, pas atij që është kafir i njohur, si për shembull ai që shanë Fenë apo ai që njihet se beson në komunizëm, apo socializëm, apo nacionalizëm dhe e lufton Islamin. Gjithashtu ai që njihet se beson në Kadjanizëm, apo njihet se beson në diçka që është kufër dhe e nxjerr atë nga Islami, atëherë nuk lejohet të falesh pas tij.

Ndërsa përsa i përket mëkatarit, atij që nuk i respekton prindërit e tij, atij që e rruan mjekrën, atij që përdor kamatë e të ngjashëm me ta, fjala më e saktë është se namazi pas tyre është i saktë. Sepse në kohën e Sahabëve, ishte Haxhaxh ibën Jusuf eth-Thekafij - i cili ishte një prej njerëzve më fasikë, zullumqarë dhe tiranë, kurse Sahabët janë falur pas tij në Arafat dhe Muzdelifeh. Ata u argumentuan për këtë me fjalën e Pejgamberit - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - në lidhje me prijësit:

يصلون بكم فإن أحسنوا فلكم ولهم، وإن أساءوا فلكم وعليهم

"Ata ju prijnë juve në namaz. Nëse ata e bëjnë siç duhet detyrën e tyre të udhëheqjes, kjo është mirë për ju dhe për ta. E nëse ata bëjnë keq, kjo është mirë për ju (keni shpërblime për durimin ndaj zullumit të tyre) dhe kundër tyre (ata udhëheqës kanë gjynahe që kanë bërë keq)." [Transmeton Imam Ahmedi, 8663]

Pra, besimtari falet pas prijësit të Muslimanëve dhe imamëve të Muslimanëve edhe nëse ata janë mëkatarë. Ky është mendimi më i saktë.

 

Përktheu: Servet Mata