Burimi: Mexhmu’u Fetaua ue Rasail, 12/300
Pyetje: Nëse një njeriu i zbulohet ndonjë pjesë e turpshme (auret) gjatë faljes së namazit, çfarë gjykimi ka për të?
Përgjigje: Kjo mund të ndodh në disa raste:
E para: Nëse e zbulon atë qëllimisht gjatë namazit, atëherë namazi i tij është i pavlefshëm; qoftë nëse ka zbuluar një pjesë të madhe apo të vogël, për një kohë të gjatë apo të shkurtër.
E dyta: Nëse nuk e bën atë qëllimisht dhe i është zbuluar ndonjë pjesë e vogël, atëherë nuk e ka prishur namazin.
E treta: Nëse nuk e bën atë qëllimisht dhe i është zbuluar një pjesë e madhe, porse kohëzgjatja është e shkurtër. Ta zëmë se një njeri është në ruku dhe fryn erë, kështu era ia zbulon një pjesë të turpshme, por personi menjëherë e mbulon atë. Mendimi i saktë në këtë rast është se namazi nuk i prishet sepse e ka mbuluar shumë shpejt dhe nuk ka patur qëllim ta zbulojë atë. Allahu i Lartësuar thotë:
فَاتَّقُوا اللَّهَ مَا اسْتَطَعْتُم
“Kini frikë Allahun sa të keni mundësi.” et-Tegabun, 16
E katërta: Nëse nuk e bën atë qëllimisht dhe i është zbuluar një pjesë e madhe, porse koha e zbulimit ka qenë e gjatë dhe personi e ka kuptuar këtë në fund të namazit. Në këtë rast, namazi i këtij njeriu është i pavlefshëm, ngase mbulimi i pjesëve të turpshme është një nga kushtet e namazit. Në shumicën e rasteve, këta njerëz janë të pakujdesshëm.
Allahu e di më së miri.
Përktheu: Jeton Shasivari