Bismilah...

Autor: Salih bin Feuzan el-Feuzan

Burimi: el-Mulakhas el-Fikhij, vëll. 1, fq. 262-267, botimi “Darul-Asimeh”

 

 

Kapitull:

Ata që e meritojnë Zekatin dhe atyre të cilëve nuk lejohet t’u jepet Zekati

 

Dije se nuk është e vlefshme dhënia e Zekatit veçse për këto kategori të cilat i ka specifikuar Allahu në Librin e Tij fisnik.

I Lartësuari ka thënë:

﴿۞إِنَّمَا ٱلصَّدَقَٰتُ لِلۡفُقَرَآءِ وَٱلۡمَسَٰكِينِ وَٱلۡعَٰمِلِينَ عَلَيۡهَا وَٱلۡمُؤَلَّفَةِ قُلُوبُهُمۡ وَفِي ٱلرِّقَابِ وَٱلۡغَٰرِمِينَ وَفِي سَبِيلِ ٱللَّهِ وَٱبۡنِ ٱلسَّبِيلِۖ فَرِيضَةٗ مِّنَ ٱللَّهِۗ وَٱللَّهُ عَلِيمٌ حَكِيمٞ٦٠

“Lëmoshat (Zekati) janë për të varfrit, për skamnorët, për mbledhësit e tyre, për ata të cilëve u zbuten zemrat, për robërit, për të zhyturit në borxhe, për luftëtarët në rrugë të Allahut dhe për udhëtarët. Këto janë detyra të vëna nga Allahu. Allahu është i Gjithëdijshmi dhe i Urti Absolut.” et-Teubeh, 60

Këta që janë përmendur në këtë ajet fisnik janë njerëzit që meritojnë Zekatin, të cilët Allahu i ka caktuar dhe i ka vënë në këtë pozitë. Nuk lejohet t’u jepet të tjerëve diçka nga Zekati përveç këtyre dhe për këtë ka pajtim midis dijetarëve.

Transmeton Ebu Daudi dhe të tjerë nga Zijad bin el-Harith se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Allahu nuk është pajtuar që të gjykojë ndonjë profet apo dikush tjetër për lëmoshat (Zekatin), derisa Ai vetë gjykoi. Kështu Ai e ndau atë në tetë pjesë.” [1]

Profeti i tha një lypësi:

إِنْ كُنْتَ مِنْ تِلْكَ الأَجْزَاءِ أَعْطَيْتُكَ

“Nëse je nga ata që bën pjesë në ato kategori, do të jap.” [2]

Kjo është kështu, për arsye se kur disa munafikë e kundërshtuan Pejgamberin për Zekatin, Allahu i Lartësuar sqaroi se Ai është që e ka ndarë atë dhe e ka sqaruar gjykimin e tij dhe se Ai e ka marrë përsipër çështjen e Zekatit dhe nuk e ka ngarkuar dikë tjetër për ndarjen dhe kategorizimin e tij. [3]

Shejkhul-Islam Ibën Tejmijeh, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Është detyrë që t’u jepet Zekati të gjithë këtyre tetë kategorive, nëse ekzistojnë të gjithë, përndryshe nëse ekzistojnë vetëm disa kategori atëherë u jepet këtyre dhe u dërgohet në atë vend ku ata gjenden. Nuk duhet t’u jepet Zekati atyre të cilët nuk e shfrytëzojnë atë për t’ju bindur Allahut, sepse Allahu e ka bërë obligim Zekatin si formë ndihmese për besimtarët që t’i binden dhe nënshtrohen Allahut, siç janë: të varfrit, borxhlinjtë apo ata që mbledhin para që të ndihmojnë besimtarët. Ai që nuk fal namaz dhe që është nevojtar, nuk i jepet Zekat derisa të pendohet dhe t’i falë namazet rregullisht në kohën e tij.” [4]

Andaj, duke u bazuar në atë që e ka caktuar Allahu, nuk lejohet të jepet Zekati në projekte bamirësie, siç janë: ndërtimi i xhamive apo shkollave, për shkak të fjalës së Allahut të Lartësuar:

﴿۞إِنَّمَا ٱلصَّدَقَٰتُ لِلۡفُقَرَآءِ وَٱلۡمَسَٰكِينِ

“Lëmoshat (Zekati) janë për të varfrit, për skamnorët....” et-Teubeh, 60

Fjala “innemaإِنَّمَا” në fillim të ajetit (sipas rregullave gjuhësore të gjuhës arabe) tregon kufizim dhe përforcim të gjykimit që vjen kësaj fjale dhe mohon çdo gjë tjetër. Domethënia është: Lëmoshat (Zekati) jepen vetëm për këta dhe për asnjë tjetër.

Allahu i përmendi këto tetë kategori si kumtim nga ana e Tij se Zekati nuk nxirret jashtë këtyre kategorive duke ua dhënë të tjerëve.

Këto kategori ndahen në dy grupe të mëdha:

Kategoria e parë: Nevojtarët Muslimanë.

Kategoria e dytë: Atyre që u jepet zekat si forcim dhe ndihmë për Islamin e tyre.

Fjala e Allahut të Lartësuar:

﴿۞إِنَّمَا ٱلصَّدَقَٰتُ لِلۡفُقَرَآءِ وَٱلۡمَسَٰكِينِ وَٱلۡعَٰمِلِينَ عَلَيۡهَا وَٱلۡمُؤَلَّفَةِ قُلُوبُهُمۡ وَفِي ٱلرِّقَابِ وَٱلۡغَٰرِمِينَ وَفِي سَبِيلِ ٱللَّهِ وَٱبۡنِ ٱلسَّبِيلِۖ فَرِيضَةٗ مِّنَ ٱللَّهِۗ وَٱللَّهُ عَلِيمٌ حَكِيمٞ٦٠

“Lëmoshat (Zekati) janë për të varfrit, për skamnorët, për mbledhësit e tyre, për ata të cilëve u zbuten zemrat, për robërit, për të zhyturit në borxhe, për luftëtarët në rrugë të Allahut dhe për udhëtarët. Këto janë detyra të vëna nga Allahu. Allahu është i Gjithëdijshmi dhe i Urti absolut.” et-Teubeh, 60

Ky ajet fisnik kufizon kategoritë e njerëzve që meritojnë Zekatin dhe tregon se nuk lejohet t’u jepet Zekat veçse këtyre. Nëse u jepet Zekati të tjerëve jashtë këtyre kategorive, atëherë ai Zekat është i pavlefshëm.

Janë tetë kategori të atyre që meritojnë Zekatin:

💠 Kategoria e parë: Skamnorët (el-Fukara).

Këta janë më nevojtarë se të varfrit (el-mesakin), ngaqë Allahu i përmendi në fillim këta dhe Ai fillon me më të rëndësishmit. Skamnorët janë ata që nuk kanë atë që ju mjafton për të jetuar dhe nuk kanë mundësi të fitojnë; ose janë nga ata që kanë diçka që ju mjafton për disa nevoja të tyre e jo për të gjitha nevojat. Kështu që, këtyre u jepet për t’i plotësuar të gjitha nevojat e tyre përderisa ata nuk kanë asgjë, ose u jepet atyre që kanë diçka me qëllim që t’i plotësojnë të gjitha nevojat e tyre gjatë gjithë vitit.

 

💠 Kategoria e dytë: Të varfrit (el-mesakin).

Këta e kanë gjendjen ekonomike më të mirë se skamnorët (el-fukara). I varfri është ai që e plotëson shumicën apo gjysmën e nevojave të tij. Kështu që, këtij i jepet Zekati për t’i plotësuar të gjitha nevojat e tij për një vit.

 

💠 Kategoria e tretë: Mbledhësit e lëmoshave (el-‘amilune ‘alejha).

Këta janë nëpunësit dhe punëtorët të cilët janë ngarkuar për mbledhjen e Zekatit nga pronarët e Zekateve. Këta e ruajnë Zekatin dhe ua shpërndajnë njerëzve që e meritojnë atë me urdhër të udhëheqësit të Muslimanëve. Kështu që, edhe këtyre nëpunësve u jepet sipas punës që bëjnë, përveç nëse udhëheqësi u ka caktuar rroga nga arka shtetërore për këtë punë që bëjnë, në këtë rast nuk lejohet që t’u jepet Zekat, siç po ndodh tani në kohën tonë ku shteti u jep punëtorëve dhe kështu ata marrin çek si shpërblim për mbledhjen e Zekatit që kanë bërë. Andaj, këta e kanë të ndaluar që të marrin Zekat për punën që bëjnë, sepse këta veçse janë paguar nga shteti për punën që kanë bërë.

 

💠 Kategoria e katërt: Ata të cilët duhet t’u zbuten zemrat dhe të afrohen.

Këta janë dy kategori: pabesimtarët dhe Muslimanët.

🔹 Pabesimtarit i jepet Zekati nëse shpresohet se do të hyjë në Islam, në mënyrë që të forcohet synimi i tij dhe t’i shtohet dëshira për të hyrë në Islam; ose i jepet Zekati për ta shmangur dhe penguar të keqen e tij që u kanoset Muslimanëve, apo e pengon të keqen që mund të vijë nga të tjerët e jo prej këtij pabesimtari.

🔹 Kurse besimtarit Musliman të cilit duhet t’i zbutet zemra, i jepet Zekat që t’i shtohet Imani, ose i jepet Zekat këtij Muslimani nëse shpresohet se do të hyjë në Islam dikush tjetër përmes këtij, si dhe jepet Zekati për synime fisnike dhe të qarta të ngjashme si këto të cilat janë në interes të Muslimanëve. Dhënia e Zekatit për zbutjen e zemrave bëhet vetëm atëherë kur e lyp nevoja, për arsye se Umeri, Uthmani dhe Aliju, radijAllahu anhum, nuk jepnin Zekat për t’i afruar zemrat për shkak se nuk ishte e nevojshme një gjë e tillë në kohën e tyre. [5]

 

💠 Kategoria e pestë: Robërit.

Këta janë robërit të cilët kanë rënë në ujdi me pronarët e tyre për të bërë një pagesë për fitimin e lirisë, porse nuk mund ta shlyejnë këtë pagesë. Në këtë rast, këtij robi i jepet Zekat sa për ta shlyer këtë pagesë dhe sa për t’u liruar nga skllavëria. Muslimanit i lejohet që të blejë një rob me paratë e Zekatit të tij dhe kështu ta lirojë atë, po ashtu i lejohet Muslimanit që të bëjë pagesën nga Zekati i tij për të liruar një rob lufte Musliman, sepse kjo është çlirim i Muslimanit nga të qenët rob lufte.

 

💠 Kategoria e gjashtë: Borxhliu.

Këtu kemi dy lloje të borxhlinjve:

️ I pari: Ai që kërkon borxh për të tjerët. Ky person merr borxh për t’i pajtuar dy palë kundërshtare. Për shembull, ndodh një mosmarrëveshje për një vrasje që është bërë apo për një pasuri për të cilën grinden dy fise apo dy fshatra dhe si rrjedhojë e kësaj lind urrejtja dhe hasmëria midis këtyre dy palëve. Në këtë rast, një njeri hyn si ndërmjetës  dhe garantues me qëllim që të arrijë një marrëveshje me të dyja palët. Ky person merr përsipër këtë përgjegjësi për t’i pajtuar ata duke e marrë këtë pasuri të mbledhur nga Zekati me qëllim që ta shuajë hasmërinë midis tyre dhe ky person bën një vepër shumë të lavdishme. Kështu që, është e ligjësuar në Sheriat që të mblidhet Zekati dhe t’i jepet atij me qëllim që të mos paguajë ai vet nga pasuria e tij për këtë nismë që ka marrë. Gjithashtu, kjo shumë e Zekatit që i jepet këtij ndërmjetësi, shërben si nxitje për të dhe për të tjerët për të bërë një punë fisnike si kjo dhe kështu me këtë u jepen fund trazirave dhe zënkave.

Madje, këtij ndërmjetësi Sheriati ia ka lejuar edhe që të lypë në mënyrë që ta realizojë këtë synim të pajtimit të palëve. Transmetohet në Sahihun e Muslimit nga Kabisa se ka thënë: “Unë kam hyrë ndërmjetës për një çështje për t’i pajtuar dy palë në këmbim të një shume pasurie.” Kurse ai më tha:

أَقِمْ حَتَّى تَأْتِيَنَا الصَّدَقَةُ فَنَأْمُرَ لَكَ بِهَا

“Prit derisa të na vijë lëmosha (Zekati) dhe ne do të urdhërojmë që ajo të të jepet ty.” [6]

️ I dyti: Ai që ka marrë borxhe për veten e tij. Si për shembull, kërkon që të lirojë veten e tij nga pabesimtarët në këmbim të një shume parash, ose ka borxh të cilin nuk ka mundësi ta shlyejë. Në këtë rast, këtij personi i jepet Zekat aq sa për t’i shlyer borxhet e tij, për shkak se Allahu i Lartësuar ka thënë:

﴿ وَٱلۡغَٰرِمِينَ

“...për të zhyturit në borxhe...” et-Teubeh, 60

 

💠 Kategoria e shtatë: luftëtarët në rrugë të Allahut.

Zekati u jepet edhe luftëtarëve vullnetarë të cilët nuk kanë rroga mujore nga arka e shtetit. Me fjalën “në rrugë të Allahut” në përgjithësi janë për qëllim ata që marrin pjesë në ekspedita ushtarake. Allahu i Lartësuar ka thënë:

﴿إِنَّ ٱللَّهَ يُحِبُّ ٱلَّذِينَ يُقَٰتِلُونَ فِي سَبِيلِهِۦ صَفّٗا كَأَنَّهُم بُنۡيَٰنٞ مَّرۡصُوصٞ٤

“Allahu i do ata që luftojnë në rrugën e Tij...” es-Saff, 4

Po ashtu, Allahu ka thënë:

﴿وَقَٰتِلُواْ فِي سَبِيلِ ٱللَّهِ

“Luftoni në rrugën e Allahut.” el-Bekare, 190

 

💠 Kategoria e tetë: Udhëtari.

Ky është udhëtari i cili e ka ndërprerë udhëtimin për shkak se i ka mbaruar furnizimi për në udhëtim, ose e ka humbur atë furnizim gjatë udhëtimit. Këtij personi i jepet Zekat aq sa për t’u kthyer në vendin e tij. Nëse ai udhëton për të mbërritur në një vend të caktuar, atëherë i jepet aq sa i mjafton të shkojë në atë vend që synon të shkojë dhe që të kthehet përsëri në vendin e vet. Gjithashtu, edhe mysafiri konsiderohet udhëtar, siç kanë thënë Ibën Abasi dhe të tjerët.

Nëse shuma e Zekatit që i është dhënë udhëtarit, luftëtarit, borxhliut dhe robit, tepron dhe ata nuk kanë më nevojë, atëherë ata e kanë detyrë që ta kthejnë shumën që tepron. Kjo është kështu sepse ai që ka marrë atë shumë, nuk mund ta posedojë atë në mënyrë absolute, porse ai e ka marrë këtë pasuri nga Zekati sa për të përmbushur nevojën e tij dhe e ka realizuar qëllimin për të cilin i ka marrë ato. Nëse ky shkak për të cilin i ka marrë ka mbaruar, atëherë mbaron edhe merita e saj.

🔷 Dije se lejohet t’i jepet i gjithë Zekati vetëm një kategorie nga këto kategori që janë përmendur. Allahu i Lartësuar thotë:

﴿ وَإِن تُخۡفُوهَا وَتُؤۡتُوهَا ٱلۡفُقَرَآءَ فَهُوَ خَيۡرٞ لَّكُمۡۚ

“...e nëse ju ua jepni lëmoshat të varfërve fshehurazi, atëherë kjo është më e mirë për ju...” el-Bekare, 271

Po ashtu, për shkak të hadithit të Muadhit kur Pejgamberi e dërgoi atë në Jemen dhe i tha:

فَأَعْلِمْهُمْ أَنَّ اللَّهَ افْتَرَضَ عَلَيْهِمْ صَدَقَةً تُؤْخَذُ مِنْ أَغْنِيَائِهِمْ فَتُرَدُّ فِي فُقَرَائِهِمْ

“Mësoju atyre se Allahu ua ka bërë obligim lëmoshën (Zekatin) i cili merret nga të pasurit dhe u jepet të varfërve.” Hadithi është në Sahihun e Bukhariut (1395) dhe Muslimit (19).

Pra, në ajetin më lart dhe në këtë hadith përmendet vetëm një kategori, andaj kjo është argument se lejohet t’i jepet edhe vetëm një kategorie.

🔷 Lejohet që Zekati t’i jepet vetëm një personi, sepse Pejgamberi urdhëroi fisin Ruzejk që Zekatin e tyre t’ia jepnin Selemeh bin Sakhrit. Transmeton Ahmedi. [7]

Kurse Kubejsas ai i tha: “Prit derisa të na vijë lëmosha (Zekati) dhe ne do të urdhërojmë që ajo të të jepet ty.”

Këto dy hadithe tregojnë se lejohet që Zekati t’i jepet vetëm një personi nga këto tetë kategori.

🔷 Preferohet që Zekati t’u jepet të afërmve të cilët janë nevojtarë, duke filluar nga familjari më i afërt deri tek ai që është më i largët dhe për të cilët njeriu nuk e ka detyrë që të kujdeset dhe të shpenzojë për ta. Për arsye se i Dërguari i Allahut ka thënë:

الصَّدَقَةُ عَلَى الْمِسْكِينِ صَدَقَةٌ وَهِيَ عَلَى ذِي الرَّحِمِ ثِنْتَانِ: صَدَقَةٌ وَصِلَةٌ

“Lëmosha që i jepet të varfrit është një lëmoshë, kurse lëmosha që i jepet të afërmit familjar është dy: njëra lëmoshë dhe tjetra lidhje familjare.” [8] E kanë transmetuar ata të pestit dhe e ka bërë hasen Tirmidhiu.  

🛑 Nuk lejohet t’u jepet Zekati Benu Hashimit ku bëjnë pjesë: Familja e Abbasit, familja e Alijut, familja e Xhaferit, familja e Akilit, familja e el-Harith bin Abdul-Muttalibit dhe familja e Ebu Lehebit, për arsye se ai ka thënë:

إِنَّ اَلصَّدَقَةَ لَا تَنْبَغِي لِآلِ مُحَمَّدٍ, إِنَّمَا هِيَ أَوْسَاخُ اَلنَّاسِ

“Lëmosha nuk i jepet familjes së Muhamedit, sepse ato janë papastërtitë e njerëzve.” Transmeton Muslimi [9]

🛑 Nuk lejohet t’i jepet Zekati një gruaje të varfër nëse burri i saj është i pasur që shpenzon për të. Po ashtu, nuk lejohet t’i jepet zekati një të varfri nëse ai ka një të afërm të pasur i cili kujdeset për të. Kjo për arsye se këta nuk janë të nevojtarë për ta marrë atë Zekat.

🛑 Nuk i lejohet njeriut që t’ua japë Zekatin të afërmve të tij të cilët e ka për detyrë që t’i mirëmbajë dhe të shpenzojë për ta, sepse në këtë rast po ua dha Zekatin atyre, atëherë ai e ruan pasurinë e tij. Por nëse ndonjëri e mirëmban dikë me vullnetin e vet (dhe nuk e ka detyrë që të kujdeset për ta), atëherë i lejohet që t’ia japë edhe Zekatin atij. Transmetohet në Sahih se gruaja e Abdullahut e pyeti Pejgamberin për fëmijët e vëllait të saj të cilët ishin jetimë në shtëpinë e saj, se a t’u jepte atyre nga Zekati i saj, dhe ai tha: “Po!” [10]

🛑 Nuk i lejohet burrit që t’ia japë Zekatin gruas së tij, sepse ai shpenzon vazhdimisht për të dhe ajo nuk është e nevojtare. Nëse ai do t’ia jepte Zekatin gruas së vet, atëherë ai do ta ruante pasurinë e tij.

Muslimani e ka detyrë që të sigurohet mirë se kujt ia jep Zekatin. Nëse ia jep Zekatin dikujt për të cilin mendon se e meriton atë, pastaj më vonë i bëhet e qartë se ai nuk e meriton Zekatin, atëherë Zekati që ka dhënë ai është i pavlefshëm.

Por, nëse nuk merret vesh dhe nuk bëhet e qartë se a e meriton Zekatin ai person apo jo, atëherë ai Zekat që i është dhënë atij është i vlefshëm, duke u mjaftuar me mendimin tek i cili anojmë më shumë përderisa nuk na bëhet e qartë e kundërta. Për arsye se kur dy njerëz erdhën te Pejgamberi dhe i kërkuan lëmoshë, ai i kundroi ata dhe pa se ata dy ishin burra të fuqishëm dhe të shëndoshë, kështu ai u tha atyre:

إِنْ شِئْتُمَا أَعْطَيْتُكُمَا وَلاَ حَظَّ فِيهَا لِغَنِيٍّ وَلاَ لِقَوِيٍّ مُكْتَسِبٍ

“Nëse ju dëshironi, atëherë unë do t’ju jap, por nuk ka hise në të i pasuri dhe as i fuqishmi që mund të fitojë.” [11]

______________________

[1] E nxori Ebu Daudi (nr. 1630, 2/192)

[2] E nxori Ebu Daudi, i cili është pjesë e hadithit më sipër nga Zijad bin el-Harith.

[3] Shiko në librin “Lubabu en-Nukul fi Esbabi en-Nuzul,” i Hafidh es-Sujutit.

[4] Shiko në librin “el-Ikhtijarat” (fq. 154), botimi “Darul-‘Asimeh”.

[5] Këtë ether nga Umeri e kanë nxjerrë Bejhakiu (13189, 7/32) në kapitullin “Hukmu Sadakat” (21). Shiko në librin “Nesbu er-Rajeh” (2/394-395)

[6] E nxori Muslimi (2401, 3/134), ez-Zekat (109).

[7] E nxorën Ahmedi (16373, 4/37) dhe Ebu Daudi (2213, 2/458-460).

[8] E nxorën nga hadithi i Selman bin Amir: Ebu Daudi (2355, 2/530) i cili e përmend këtë hadith por nuk e përmend pjesën e fundit të tij; Tirmidhiu (657, 3/46), Nesaiju (2581, 3/96) ka transmetuar diçka të ngjashëm si ky hadith; Ibën Maxhe (1844, 2/44) dhe el-Hakimi (1477, 1/563).

[9] E nxori Muslimi nga hadithi i el-Matlab bin Rabi’ah bin el-Harith (2378, 4/176), “e-Zekat” (167).

[10] E nxori Ibën Maxhe nga hadith i Ummu Selemes (1835, 2/399), “ez-Zekat” (24).

[11] E nxorën Ebu Daudi (1633, 2/195) nga hadithi Abdullah bin Adij bin el-Khajjar, “ez-Zekat” (24), en-Nesaiju (2597, 3/104), “ez-Zekat” (91).

 

Përktheu: Jeton Shasivari