Bismilah...

Autor: Muhamed ibën Salih el-Uthejmin (1421 h.)

Burimi: Fetaua Nurun ‘ala Derb, 157

Burimi: http://binothaimeen.net/content/8713

 

 

Pyetje: Në këtë emision, kemi kënaqësinë që t’ju parashtrojmë një nga pyetjet e dëgjueses, të cilat i parashtruam në emisionin e kaluar disa nga ato në letrën e saj. Ajo thotë në letrën e saj: A mundet që të agjërohet agjërim vullnetar (nafile), siç është dita e Arafatit dhe Ashureja, para se t’i plotësoj ditët që më kanë mbetur të Ramazanit? Na mundësoni që të përfitojmë, Allahu ju bëftë të dobishëm.

 

Përgjigje: Falenderimi i takon Allahut, Zotit të krijesave. Lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qofshin për Pejgamberin tonë Muhamedin, familjen e tij dhe shokët e tij në përgjithësi.

Agjërimi vullnetar është agjërimi i padetyrueshëm, që njeriu nuk e ka detyrë dhe nuk ka përgjegjësi dhe llogari për të, kurse kompensimi i Ramazanit ose agjërimi yt i detyrueshëm për të shlyer një gabim të bërë (si shpagimi për zotimin, marrëdhëniet intime gjatë ditës në ramazan, vrasjen e njeriut pa qëllim, etj. sh.p.), është agjërim i detyrueshëm, të cilat lidhen me përgjegjësinë e kryerjes së agjërimit dhe njeriu nuk lirohet nga kjo përgjegjësi vetëm atëherë kur t’i agjërojë ato ditë të caktuara. Përderisa kjo çështje është kështu, atëherë dihet që t’i japësh përparësi obligimit (uaxhib-it) është më e rëndësishme.

Ai që mendon se lejohet të agjërohet agjërim vullnetar edhe pse ke ditë të mbetura të Ramazanit, e ka kundërshtuar atë që duhet bërë në lidhje me adhurimin. Për këtë arsye, shumë nga dijetarët mendojnë se ai që agjëron agjërim vullnetar dhe i kanë mbetur ditë të Ramazanit, agjërimi i tij vullnetar nuk është i saktë. Ata që kanë thënë se është i saktë agjërimi i tij, mendojnë se më mirë është që të fillojë me agjërimin e detyrueshëm, sepse është më i rëndësishëm dhe se ai ka përgjegjësi dhe llogari për të derisa ta kryejë atë.

Ai që e do mirësinë, le të fillojë me atë që e ka obligim përpara se të fillojë me një vepër vullnetare. Kjo vlen për veprat vullnetare të përgjithshme ose për veprat vullnetare të veçanta që lidhen me ndonjë ditë të caktuar, siç është agjërimi i ditës së Arafatit dhe Ashurasë. Kurse agjërimi vullnetar që vjen menjëherë pas Ramazanit, siç është agjërimi i gjashtë ditëve të Sheualit, ky agjërim nuk bën dobi derisa të ketë mbaruar me të gjitha ditët e Ramazanit, që do të thotë: ai nuk e arrin shpërblimin e gjashtë ditëve të Sheualit derisa të ketë mbaruar me agjërimin e gjithë Ramazanit, sepse Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë:

من صام رمضان، ثم أتبعه بستة من شوال

“Ai që e agjëron Ramazanin, pastaj i agjëron edhe gjashtë ditë të Sheualit...”

Ajo që dihet është se atij që i kanë mbetur ditë të Ramazanit për të kompensuar, nuk thuhet për të se e ka agjëruar Ramazanin. Pra, nëse dikujt i kanë mbetur dhjetë ditë të Ramazanit për të agjëruar, kur njerëzit e mbarojnë agjërimin ditën e Bajramit dhe ai fillon menjëherë (të nesërmen) me agjërimin e gjashtë ditëve dhe i mbaron ato, pastaj i agjëron edhe dhjetë ditët e mbetura të Ramazanit, ne i themi atij: ti nuk e ke arritur shpërblimin e gjashtë ditëve të Sheualit për këto ditë që ke agjëruar, sepse Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – e kushtëzoi agjërimin e gjashtë ditëve që të jetë pas agjërimit të Ramazanit; madje Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – e kushtëzoi shpërblimin e gjashtë ditëve të Sheualit që të jetë pas agjërimit të Ramazanit, sepse ai ka thënë: “Ai që e agjëron Ramazanin, pastaj i agjëron edhe gjashtë ditë të Sheualit...”

Duke u bazuar te kjo fjalë, ne themi: ai që agjëron gjashtë ditët e Sheualit përpara se t’i mbarojë ditët e mbetura të Ramazanit, ai nuk ka shpërblimin për ato ditë që ka agjëruar.

 

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org

Përktheu: Jeton Shasivari