Bismilah...

🔸Janë katër mirësi tejet madhështore që i ka dita e Arafatit:

🔸E para: se dita e Arafatit është dita e vitit në të cilën Allahu liron më së shumti robër nga Zjarri. Sepse në ditën e Arafatit Allahu liron nga Zjarri aq shumë njerëz saqë nuk e di numrin e tyre askush përveç Allahut. Kur ta kesh mësuar këtë dhe ta kesh kuptuar, atëherë forcoje lakminë tënde për Mëshirën e Allahut të Patëmeta e të Lartësuar, ndërkohë që ke qëndruar në Arafat, që të jesh edhe ti prej atyre të liruarve nga Zjarri. Forcoje shpresën tënde tek Allahu, besimin tënd tek Allahu dhe lutju Allahut të Patëmeta e të Lartësuar me përgjërim:

﴿رَبَّنَا آتِنَا فِي الدُّنْيَا حَسَنَةً وَفِي الْآخِرَةِ حَسَنَةً وَقِنَا عَذَابَ النَّارِ﴾

“Rabbena aatinaa fid-dunja haseneten ue fil-aakhirati haseneten ue kinaa ‘adhaaben-naar!” (O Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë dhe të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit.)


﴿رَبَّنَا اصْرِفْ عَنَّا عَذَابَ جَهَنَّمَ إِنَّ عَذَابَهَا كَانَ غَرَامًا﴾

“Rabbena isrif ‘anaa ‘adhaabe Xhehenem, inne ‘adhaabeha kane garamaa!” (O Zoti ynë, largoje prej nesh dënimin e Xhehenemit se me të vërtetë dënimi i tij është i rëndë dhe i pandashëm.)

Forcoje lidhjen tënde me Allahun, besimin tënd tek Ai dhe shpresën tënde prej Allahut të Patëmeta e të Lartësuar, që të jesh prej atyre që lirohen qafat në këtë ditë nga Zjarri. Nuk ka ditë në të cilën Allahu liron më shumë robër nga Zjarri sesa dita e Arafatit. Kjo është një mirësi madhështore e kësaj dite fisnike.

🔸E dyta: Allahu i Patëmeta e i Lartësuar afrohet te robërit e Tij - dhe i Madhëruar e i Lartësuar është Ai! - në mbrëmjen e Arafatit. Ky afrim hyjnor ka një rëndësi madhështore dhe ndikim të fuqishëm në zemrën e muslimanit që ka iman, i cili e njeh Zotin e tij të Patëmeta e të Lartësuar. Allahu i Madhëruar e i Lartësuar afrohet te robërit e Tij në mbrëmjen e Arafatit ashtu siç i takon madhështisë së Tij që të afrohet. Ne nuk e dimë realitetin dhe mënyrën e atij afrimi, Allahu e di më së miri. Por, Allahu i Madhëruar e i Lartësuar, ashtu siç na ka njoftuar i Dërguari i Tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –, afrohet te robërit e Tij në atë mbrëmje të bekuar.

SubhanAllah, sa mëshira ka në këtë afrim hyjnor, sa mirësi, sa bereqete dhe sa lutje të pranuara ka në të! Prandaj ti duhet ta ndjesh dhe kuptosh në veten tënde këtë nderim madhështor që Allahu i Patëmeta e i lartësuar ua jep njerëzve të Arafatit. Por ama ruhu që të mos jesh prej të shkujdesurve, ruhu që të mos jesh prej të hutuarve, por bëhu prej atyre që i drejtohen Allahut, prej atyre që luten, bëjnë dhikër për Allahun dhe luten me përgjërim, duke e ndjerë këtë kuptim madhështor e fisnik: se Allahu i Madhëruar e i Lartësuar afrohet te robërit e Tij në mbrëmjen e Arafatit. Ky është një afrim që i gëzon robërit e Tij dhe Ai mburret me ta para melaikeve:
 
انظروا إلى عبادي، أتَوْني شُعثًا غُبرًا ضاحين، أُشهِدُكم أنِّي قد غفرتُ لهم

“Shikoni robërit e Mi! Më kanë ardhur të shpupuritur, të pluhurosur dhe të lodhur nga dielli. Ju bëj dëshmitarë se Unë i kam falur ata.”

Pra, ky afrim ka një vlerë madhështore.

Prandaj në hadith thuhet se: “Ai afrohet dhe pastaj mburret me ta para melaikeve të Tij.”
 
🔸Kjo është mirësia e tretë madhështore. Mburrja e Allahut të Patëmeta e të Lartësuar me haxhilerët para melaikeve është argument i qartë — siç kanë thënë dijetarët — se Ai i ka falur ata. Sepse Allahu nuk mburret me njerëz gjynahqarë apo të dënuar. Por ama ky është argument se Ai i fali ata dhe ua pranoi lutjet, prandaj mburret me ta para melaikeve.

🔸Mirësia e katërt është te fjala e Profetit tonë – ‘alejhis-salatu ues-selam – ku Allahu thotë:
 
ما أراد هؤلاءِ

“Çfarë kërkojnë ata?”


Kush është Ai që e thotë këtë fjalë? Ai është Zoti i gjithësisë, i Madhëruari e i Lartësuari, Ai të cilit asnjë gjynah nuk i duket i madh që të mos e falë dhe asnjë kërkesë nuk është e rëndë për Të që të mos e japë.

Prandaj, o i suksesshëm, o vëlla i bekuar, o haxhi, shtoje shpresën dhe lakminë për atë që të jep Allahu i Patëmeta e i Lartësuar. Kujdes se mos e shikon gjynahun tënd si tepër të madh për faljen e Allahut dhe asnjë kërkesë si tepër të rëndë për t’ia kërkuar Zotit tënd të Madhëruar e të Lartësuar, sepse Allahu në atë ditë thotë:

ما أراد هؤلاءِ

“Çfarë kërkojnë ata?”

Pra, këtu ka argument të qartë se lutjet janë të pranuara dhe se Allahu i Patëmeta e i Lartësuar nuk i zhgënjen lutjet e atyre lutësve, nuk e çon dëm dëshirën e atyre dëshiruesve dhe nuk e kthen mbrapa shpresën e atyre shpresuesve, sidomos kur ata qëndrojnë të përulur, qajnë, luten dhe i përgjërohen Allahut dhe i kërkojnë prej mirësisë së Tij, të Madhëruarit e të Lartësuarit.

E assesi Allahu i Madhëruar e i Lartësuar nuk i kthen ata kurrë bosh.
 
Përktheu: Abdullah Beqiri