Dijetarët thonë se prej shenjave të haxhit mebrur, haxhit të pranuar, është që gjendja e haxhiut pas haxhit të jetë më e mirë sesa gjendja që ka qenë para haxhit. Kjo është shenjë e haxhit të pranuar, e cila shfaqet pas haxhit: që gjendja e njeriut pas haxhit të jetë më e mirë se ajo që ishte më parë.
Nëse, për shembull, para haxhit gjendja e tij ka qenë e keqe, pastaj sheh prej vetes së tij se gjendja e tij është bërë e mirë, atëherë kjo është shenjë që ai e ka bërë haxhin më së miri se haxhi i është pranuar atij.
Gjithashtu, nëse gjendja e tij ka qenë e mirë, e pastaj e sheh veten pas haxhit akoma më të mirë, atëherë kjo është shenjë që ai e ka bërë haxhin më së miri se haxhi i është pranuar atij.
Ndërsa - Allahu na ruajttë, na ruajttë të gjithëve, na shpëtoftë dhe na mbroftë! - nëse ndodh që një person pas haxhit e sheh gjendjen e tij më të keqe, atëherë kjo nuk është prej shenjave të mirësisë dhe as prej shenjave të pranimit të haxhit.
Sepse prej natyrës së veprës së mirë e të pranuar është që ajo tërheq pas saj vepra të tjera të mira, siç ka thënë Allahu i Patëmeta e i Lartësuar:
وَمَن يَقْتَرِفْ حَسَنَةً نَّزِدْ لَهُ فِيهَا حُسْنًا ۚ
“Dhe kush bën një të mirë, Ne ia shtojmë në veprën e tij të mirat.” [esh-Shuura, 23]
Prandaj dijetarët thonë se vepra e mirë tërheq pas vepra të tjera të ngjashme me të. Kur vjen një vepër e mirë, e bukur, ajo tërheq pas saj vepra të tjera të mira.
Vepra e mirë e haxhit është një vepër e mirë shumë e madhe dhe madhështore; nëse haxhiu ka sukses që ta kryejë të plotë e të përkryer, në mënyrën që e kënaq Allahun e Patëmeta e të Lartësuar, duke bërë sa më shumë dhikër për Allahun e Patëmeta e të Lartësuar, atëherë pas haxhit do të pasojnë mirësi dhe bereqete. Dhe kjo është dobia madhështore e haxhit për haxhiun e suksesshëm.
Përktheu: Abdullah Beqiri
Shenja e haxhit të pranuar - Shejkh Abdurr-Rrazzak el-Bedër
- Details
- Category: Haxh