Bismilah...

Burimi: et-Talik ala Tefsir es-Sadij, Suretu el-Mulk, mesimi i parë, minutat: 1:05:14

 

Pyetje: Allahu ju dhëntë të mira! Pyetësi thotë: imamët që janë në vendin tonë, e falin namazin e vitrit ashtu siç falet namazi i akshamit. Si të falemi ne mbas tyre?

Përgjigje: Vitri që falet me tre rekate, lejohet që të falet me ndarje të rekateve dhe pa ndarje.

Me ndarje të rekateve: lejohet që të falësh dy rekate dhe të japësh selam, pastaj të falësh edhe një rekat dhe të japësh selam. Kjo është më e mirë dhe më parësore, për shkak përgjithësimit të namazit të natës që falet nga dy rekate, e nëse ke drojë se hyn koha e namazit të sabahut, atëherë fale vitrin qoftë edhe me një rekat.

Pa ndarje të rekateve: lejohet të falet edhe pa ndarje, por jo sikur forma e namazit të akshamit. E fal vitrin me tre rekate pa ndarje dhe ulesh në teshehud në rekatin e tretë. Pra, e fal rekatin e parë, pastaj ngrihesh në këmbë; e fal rekatin e dytë, pastaj ngrihesh në këmbë; e fal edhe rekatin e tretë, pastaj ulesh në fund. Kjo formë është e lejuar dhe e ligjëruar, nuk ka kurrfarë problemi për këtë.

Një grup nga Hanefitë e kanë mendim se falja e vitrit pa ndarje bëhet si namazi i akshamit. Ndoshta ky mendim i ka shtyrë këta imamë që janë nga vendi i këtij vëllait, ta bëjnë këtë gjë, mbase ata janë Hanefi. Megjithatë, kjo (falja e vitrit sikur akshami) nuk është e lejuar, sepse Pejgamberi ka ndaluar që namazi vullnetar (nafile) t’i ngjajë namazit farz; e ka ndaluar që namazi nafile t’i ngjajë namazit farz. Pra, nuk lejohet që vitri me tre rekate t’i ngjajë namazit të akshamit.

Andaj, ne themi: nëse dëshiron që të falësh vitrin pa ndarje, atëherë vazhdoje por jo të ulësh në rekatin e dytë. E nëse dëshiron ta falësh me ndarje, atëherë shkëpute.

Ky pyetës thotë se çfarë të bëjmë?

Merreni këtë parim: nëse të del një pengesë për të bërë një vepër, atëherë në këtë rast ti sikur e ke bërë atë vepër.

Ti dëshiron ta falësh vitrin me imam, por cila është ajo që të ka ndaluar? Kundërshtimi, se kjo që bën imami nuk është e ligjshme me Sheriat. Në këtë rast, ti sikur e ke falur vitrin me imamin. Largohu që aty përpara namazit të vitrit dhe fale vitrin në shtëpinë tënde dhe s’ka për të të humbur vlera e shpërblimit të namazit me imam, sepse ajo që të ka ndaluar ty ta falësh pas tij është pengesa sheriatike. Kështu, për ty vlen gjykimi sikur ke qenë me imamin derisa ai e ka përfunduar namazin.

 

Përktheu: Jeton Shasivari