Bismilah...

Autor: Shejkh Muhamed Nasiruddin el-Albani

Burimi: Silsiletul-Ehadith es-Sahihah ue Shejun min Fikhiha ue Feuaidiha, vëll. 3, fq. 393

 

 

Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë:

 

إذا طعم أحدكم فسقطت لقمته من يده فليمط ما رابه منها وليطعمها، ولا يدعها للشيطان ولا يمسح يد بالمنديل حتى يلعق يده، فإن الرجل لا يدري في أي طعامه يبارك الله، فإن الشيطان يرصد الناس ـ أو الإنسان على كل شيء حتى عند مطعمه أو طعامه ولا يرفع الصحفة حتى يلعقها أو يلعقها، فإن في آخر الطعام البركة

1404 – “Kur dikush nga ju ha ushqim dhe i bie kafshata nga dora, le ta largojë të ndoturën që i është ngjitur dhe ta hajë pjesën e mbetur, e të mos ia lë shejtanit. Të mos e fshijë dorën e tij me mindil (shami duarsh) derisa ta lëpijë atë (dorën), sepse njeriu nuk e di se në cilin ushqim e begaton Allahu. Shejtani u rri njerëzve në pritë në çdo gjë, madje edhe në ushqim dhe të mos e ngrejë pjatën e tij pa e lëpirë atë, sepse bereqeti është në fund të ushqimit.”

 

Unë (Shejkh Albani) them:

Me të vërtetë është për të ardhur keq kur sheh se shumë prej Muslimanëve sot dhe veçanërisht ata që janë ndikuar nga zakonet e Perëndimit dhe traditat e Evropës, shejtani ia del mbanë që të marrë një pjesë të pasurisë së tyre, jo padrejtësisht, por me vet zgjedhjen e tyre të lirë. Dhe kjo nuk është tjetër vetëm se rezultat i injorancës së tyre ndaj Sunetit apo rezultat i shkujdesjes ndaj tij.

 

A nuk i sheh ata duke ngrënë bukë veç e veç në tryezë; çdonjëri prej tyre ha veç në një pjatë – pa patur ndonjë domosdoshmëri – dhe nuk e shoqëron në ngrënie në këtë pjatë, as ai që është përkrah tij. Kjo e kundërshton hadithin e mëparshëm (nr. 664). [1]

 

Po ashtu, kur ndonjërit prej tyre i bie kafshata, tregohet mendjemadh që ta marrë atë, t’ia heq pjesën e ndotur dhe ta hajë atë. Në mesin e tyre ka njerëz që janë pretendues të diturisë dhe filozofë, të cilët ua lejojnë atyre këtë me pretendimin se është bërë e papastër nga bakteriet dhe mikrobet. Ai që e thotë këtë, e kundërshton hadithin ku ai – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – thotë: “...le ta largojë të ndoturën që i është ngjitur dhe ta hajë atë, e të mos ia lë shejtanit...”

 

Pastaj, ata nuk i lëpijnë gishtat, madje shumë prej tyre e konsiderojnë këtë si mangësi në shijimin e ushqimit dhe mungesë edukate në ngrënien e ushqimit. Për këtë arsye, ata kanë në tryezat e tyre facoleta të holla, që njihen si “Kleenex.” Vështirë të gjesh ndonjë prej tyre që i ngel diçka në gishta nga ushqimi, vetëm se ai i fshin ato me facoletë, duke e kundërshtuar tekstin e hadithit.

 

Kurse lëpirja e pjatës, pra ta lëpish atë që ka mbetur nga ushqimi duke e mbledhur me gishta, këtë gjë e qortojnë tej mase dhe personin që e bën këtë veprim e konsiderojnë koprrac dhe llupës. Nuk është për t’u çuditur me ata që nuk e kanë dëgjuar hadithin, meqë janë të paditur rreth këtij hadithi, por është për t’u çuditur me ata që u shkojnë për qejfi këtyre të paditurve dhe u bëjnë lajka, kurse ata janë në dijeni rreth hadithit.

 

Pastaj, të gjithë ata i sheh se qahen nga pakësimi i bereqetit nga rrogat dhe rizku i tyre, sado që t’u jetë dhënë pasuri. Nuk e dinë se shkaku i kësaj, është largimi i tyre nga ndjekja e sunetit të Pejgamberit të tyre, dhe pasimi i verbër që u bëjnë armiqve të fesë së tyre, në mënyrën e jetës dhe të jetesës së tyre.

Kapuni pas Sunetit o ju Muslimanë!

 

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اسْتَجِيبُوا لِلَّـهِ وَلِلرَّسُولِ إِذَا دَعَاكُمْ لِمَا يُحْيِيكُمْ ۖ وَاعْلَمُوا أَنَّ اللَّـهَ يَحُولُ بَيْنَ الْمَرْءِ وَقَلْبِهِ وَأَنَّهُ إِلَيْهِ تُحْشَرُونَ

“O ju që besoni, përgjigjuni Allahut dhe të dërguarit kur ai ju thërret drejt asaj që ju jep jetë (imani). Dijeni se Allahu ndërhyn ndërmjet njeriut dhe zemrës së tij dhe se te Ai do të tuboheni.” El-Enfal, 24

 

Fundnota:

[1] Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë:

" اجتمعوا على طعامكم واذكروا اسم الله تعالى عليه يبارك لكم فيه "

“Mblidhuni përreth ushqimit tuaj dhe përmendeni Emrin e Allahut të Lartësuar. Allahu do t’ju japë bereqet në të.”

 

 

Përktheu: Jeton Shasivari