Bismilah...

Autor: Zejd el-Medkhalij

Burimi: ‘Aun el-Ehad es-Samed Sherh el-Edeb el-Mufrad, vëll.3/fq.392

 

 

Hadithi nr. 1278 – Na ka transmetuar ‘Abdullah Ibën Saalih, i cili tha: Na ka transmetuar Lejthi, i cili tha: Na ka transmetuar Junusi, nga Ibën Shihabi, i cili tha: Më ka njoftuar Se’iid Ibnul-Musejjib se Ebu Hurejrah – radij-Allahu ‘anhu – e ka njoftuar atë, se i Dërguari i Allahut  - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë:

لاَ يُلْدَغُ المُؤْمِنُ منْ جُحْرٍ مَرَّتَيْنِ

“Nuk pickohet Besimtari nga i njëjti vend dy herë.” [Hadith Sahih]

 

 

Shpjegimi:

Te ky hadith ka drejtim dhe udhëzim nga Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – për Besimtarët dhe Besimtaret, që ata të jenë të mençur, të mos jenë njerëz të ngutur por të mendohen mirë dhe të analizojnë çështjet, ato që lidhen me fenë e tyre apo me dunjanë e tyre. Pra, Besimtari nuk duhet të jetë i shkujdesur, saqë t’i ekspozohet mashtrimit të shejtanëve njerëz dhe xhinë, por ai duhet të marrë kuptimin e drejtë të fesë. Kuptimi i drejtë i fesë është rruga e saktë dhe e drejtë për të dalluar midis asaj që është e dobishme dhe asaj që është e dëmshme, midis mikut dhe armikut, midis udhëzimit dhe devijimit. Pra, dituria, e cila është kuptimi i drejtë i fesë Islame, është themel i çdo të mire, është sebep i çdo zgjuarsie dhe mençurie, është sebep i suksesit që Allahu – ‘Azze ue Xhel-le – i jep robit, që ai të jetë i aftë për të dalluar mes asaj që i bën dobi dhe asaj që i bën dëm, duke u bazuar për gjithçka te tekstet e Kur`anit dhe Sunetit, sipas kuptimit të Selefëve të Umetit. Prandaj ka ardhur kjo këshillë e lartë nga i Dërguari fisnik – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –:

لاَ يُلْدَغُ المُؤْمِنُ منْ جُحْرٍ مَرَّتَيْنِ

“Nuk pickohet Besimtari nga i njëjti vend dy herë.” [Hadith Sahih]

 

 

Hera e parë mund të jetë e papritur, mirëpo ai merr mësim nga pickimi i parë dhe nuk ia lejon vetes që ajo të përsëritet prapë, as në çështjet e fesë dhe as në çështjet e dunjasë, si shkak i pakujdesisë së tij. Dhe Allahu e di më së miri.

 

Përktheu: Alban Malaj