Bismilah...

Autor: Muhijjudin Jahja ibën Sheref en-Neueuij (676 h.)

Burimi: el-Minhaaxh fi Sherhi Sahihi el-Muslim bin el-Haxhaxh, vëll. 4/ fq. 91

 

 

Transmetohet nga Mu’auijeh bin Ebi Sufjan – radijAllahu anhuma – se ka thënë: i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – ka thënë:

‏ الْمُؤَذِّنُونَ أَطْوَلُ النَّاسِ أَعْنَاقًا يَوْمَ الْقِيَامَةِ 

“Muezinët janë njerëzit më qafëgjatë Ditën e Gjykimit.”

Transmeton Muslimi (387)

 

 

Shpjegimi i Hafidh en-Neueuijut:

Për shpjegimin e këtij hadithi kanë thënë: kuptimi është se ata janë njerëzit që kanë më së shumti dëshirë dhe shpresa për mëshirën e Allahut të Lartësuar, sepse ai që ka dëshirë, kur shikon diçka e zgjat qafën. Që do të thotë: ata do të shohin shumë sevape (shpërblime).

En-Nadr bin Shumejl ka thënë: “Ditën e Gjykimit, kur njerëzit të zhyten në djersë, qafat e muezinëve do të zgjaten, në mënyrë që mos t’i arrijë ky hall i madh dhe të mos zhyten në këtë djersë.”

Po ashtu, është thënë: do të thotë se ata janë zotërinj dhe prijës. Arabët i përshkruajnë zotërinjtë duke u thënë “qafëgjatë”.

Po ashtu, është thënë: do të thotë se ata janë njerëzit që do të kenë më shumë ndjekës.

(Ebu Bekër) Ibën el-Arabiju ka thënë: do të thotë se ata janë njerëzit që kanë më shumë vepra të mira.

El-Kadij ‘Ijad dhe të tjerët kanë thënë: disa të tjerë e kanë transmetuar duke e lexuar fjalën ‘’anakan” me kesra, “’inaakan”, që do të thotë: ata që më së shumti do të shpejtojnë për në Xhennet.”

 

Përktheu: Jeton Shasivari