Bismilah...

Autor: Jahja bin Sheref en-Neueuij (631-676 h.)

Burimi: el-Minhaxh Sherhu Sahihi Muslim Ibnul Haxhxhaxh, 16/124-125

 

Transmeton Ebu Musa el-Esh'arij, radijAllahu anhu, i cili thotë: E falëm namazin e Akshamit me të Dërguarin e Allahut - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - e më pas thamë: “Sikur të prisnim e të falim me të edhe Jacinë!” Kështu pritëm, ndërsa ai - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - erdhi te ne dhe na tha: "Akoma jeni këtu?" I thamë: “O i Dërguari i Allahut, e falëm namazin e Akshamit me ty e më pas thamë të qëndrojmë e të falim edhe namazin e Jacisë me ty.” Ai tha: "Ju lumtë!" Ose tha: "Shumë mirë keni vepruar!" Pas kësaj ai - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - e ngriti kokën nga qielli, e ai shpesh e ngrinte kokën nga qielli, e tha: "Yjet janë rojtarët e qiellit, e kur të largohen yjet do t'i ndodh qiellit ajo me të cilën është kërcënuar. Unë jam rojtari i shokëve të mi, e kur të vdes unë, do t'u ndodhë shokëve të mi ajo me të cilën janë kërcënuar. Shokët e mi janë rojtarët e umetit tim, kur të vdesin shokët e mi, do t'i ndodhë umetit tim ajo me të cilën është kërcënuar." [Transmeton Muslim, 2531]

عَنْ أَبِي مُوسَى الأَشْعَرِي قَالَ: صَلَّيْنَا الْمَغْرِبَ مَعَ رَسُولِ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ، ثُمَّ قُلْنَا: لَوْ جَلَسْنَا حَتَّى نُصَلِّيَ مَعَهُ الْعِشَاءَ قَالَ: فَجَلَسْنَا، فَخَرَجَ عَلَيْنَا، فَقَالَ: "مَا زِلْتُمْ هَاهُنَا؟" قُلْنَا: يَا رَسُولَ اللَّهِ، صَلَّيْنَا مَعَكَ الْمَغْرِبَ، ثُمَّ قُلْنَا: نَجْلِسُ حَتَّى نُصَلِّيَ مَعَكَ الْعِشَاءَ. قَالَ: "أَحْسَنْتُمْ". أَوْ: "أَصَبْتُمْ". قَالَ: فَرَفَعَ رَأْسَهُ إِلَى السَّمَاءِ، وَكَانَ كَثِيرًا مِمَّا يَرْفَعُ رَأْسَهُ إِلَى السَّمَاءِ فَقَالَ: "النُّجُومُ أَمَنَةٌ لِلسَّمَاءِ، فَإِذَا ذَهَبَتِ النُّجُومُ أَتَى السَّمَاءَ مَا تُوعَدُ، وَأَنَا أَمَنَةٌ لِأَصْحَابِي، فَإِذَا ذَهَبْتُ أَتَى أَصْحَابِي مَا يُوعَدُونَ، وَأَصْحَابِي أَمَنَةٌ لِأُمَّتِي، فَإِذَا ذَهَبَ أَصْحَابِي أَتَى أُمَّتِي مَا يُوعَدُونَ".

__________________________

Thotë En-Neueuij, Allahu e mëshiroftë, në komentimin e këtij hadithi:

? Fjala e tij - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: "Yjet janë rojtarët e qiellit, e kur të largohen yjet do t'i ndodh qiellit ajo me të cilën është kërcënuar.”

Do të thotë: përderisa ekzistojnë yjet, do të ekzistojë edhe qielli; e kur të bien yjet e të shpërndahen në ditën e Kijametit dhe qielli do të dobësohet, atëherë qielli do të çahet, do të pëlcasë dhe do të zhduket.

? Fjala e tij - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Unë jam rojtari i shokëve të mi, e kur të vdes unë, do t'u ndodhë shokëve të mi ajo me të cilën janë kërcënuar.”

Do të thotë: ajo që janë kërcënuar janë fitnet, luftrat dhe dalja prej fesë, siç dolën disa prej arabëve; zemrat e njerëzve do të kenë përçarje, e gjëra të këtilla prej të cilave ai - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - kishte paralajmëruar qartësisht dhe të gjitha këto ndodhën.

? Fjala e tij - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Shokët e mi janë rojtarët e umetit tim, kur të vdesin shokët e mi, do t'i ndodhë umetit tim ajo me të cilën është kërcënuar."

Që do të thotë: do të shfaqen bidate, ngjarje të ndërlidhura me fenë dhe fitne në Fe; do të shfaqen mëkëmbës të shejtanit, do të dalin Romakët (të Krishterët) dhe të tjerët kundër Muslimanëve, do të përdhoset Meka, Medina dhe vende të tjera. Të gjitha këto lajme janë prej mrekullive të tij - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

 

Përktheu: Servet Mata